Gratë në Siri që mbaheshin në mënyrë të paligjshme në burgjet e regjimit të Bashar al-Asadit, të cilat u janë nënshtruar masakrave dhe përdhunimeve kanë treguar për Anadolu Agency (AA) atë që kanë parë dhe kanë përjetuar.
Gratë janë në mesin e viktimave më të mëdha të luftës së brendshme 7 vjeçare në Siri.
Sipas informacioneve të mbledhura nga burgimet e regjistruara, Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) bën të ditur se të paktën 8.633 gra ndodhen në qendrat e paraburgimit të palëve në konflikt.
Të paktën 7.009 prej tyre mbahen në burgjet e regjimit Asad, pa u gjykuar fare.
Të dhënat e SNHR-së bëjnë të ditur se të paktën 864 gra në qendrat e paraburgimit të forcave të regjimit dhe të paktën 432 vajza nën moshën 18 vjeçare janë përfshirë në 7.699 raste të përdhunimit.
Por, dihet se në të vërtetë numri i grave të burgosura dhe të përdhunuara është shumë më i lartë se këto shifra.
Arsyeja e kësaj është se shumica e arrestimeve bëhen pa u regjistruar dhe për shkak të asaj që gratë e përdhunuara detyrohen të heshtin.
– “Në klasën e 9-të një vajzë u përdhunua nga 6 persona përpara syve të të gjithëve”
Um Muhammed e cila jeton në rajonin e Gutës Lindore të Damaskut, duke e mbuluar fytyrën e saj me një mbulesë tregon se vitin 2012 gjatë një mëngjesi përderisa shkonte në punë, ishte futur në një automjet të forcave të regjimit dhe është rrahur në një qendër të paraburgimit ku ishte dërguar.
Ajo thotë se pasi që është marrë tre herë në pyetje, ishte vendosur në të njëjtën dhomë me 7 gra tjera të arrestuara dhe se gjatë kësaj kohe ishte detyruar me dhunë të heqë mbulesën e saj.
“Torturat e ushtruara mund të lexoheshin nga fytyra e të gjithave që ndodheshin aty. Ishte një vajzë në klasën e 9-të. Atë e përdhunuan 6 persona, përpara të gjithëve që ndodheshin në atë dhomë. Vajza ishte e një familjeje shumë fetare. Më pas atë e dërguan në një vend tjetër dhe nuk u kthye më. Po të ishte gjallë, do të kthehej”, tregon ajo.
– U përdhunua edhe gruaja 55 vjeçare”
Duke thënë se ka kundërshtuar heqjen e mbulesës së saj, Um Muhammed thotë se “Për këtë arsye në fillim iu nënshtrova torturave. U përdhunova përpara të gjithëve. Madje, edhe një grua 55 vjeçare u përdhunua”.
Pesë ose gjashtë ditë pasi që është futur në paraburgim, Um Muhammed tregon se është vendosur në një burg të vetmuar, ku ka jetuar për rreth dy muaj e gjysëm me një bukë dhe pak djathë për çdo 10 ditë.
Ajo tha se për këtë arsye është sëmurë dhe është dëmtuar sistemi i saj nervor. Um Muhammed thotë se “Një njeri i madh më rrihte mua deri sa më binte të fikët. Edhe një grua ishte në gjendjen time. Ishte një mësuese 30 vjeçare. Ajo u nënshtrohej trajtimeve më të rënda”.
– “Hyni me nder, por nuk mund të dilni të ndershme”
Um Muhammed tregon se çdo grua që hyn në burgjet e regjimit të Asadit i nënshtrohet përdhunimit dhe ngacmimit. “Aty hyni me nder, por nuk mund të dilni të ndershme. Gratë përdhunoheshin dhe torturoheshin shumë herë. Unë isha në një burg të vetmuar, por dëgjoja zërat e torturave dhe persekutimit. Ato zëra janë në veshët dhe trurin tim. Nuk mund të harrohen”, thotë ajo.
Um Muhammed thotë se edhe pasi që ka dalë nga burgu ka vazhduar viktimizimi i saj, ku familja e kishte refuzuar dhe nuk e ka pranuar. Ajo ishte martuar me djalin e xhaxhait, por tregon se është divorcuar pasi është mësuar se ajo është përdhunuar.
– “Çdo herë që më godisnin bija në tokë, por më ngrinin përsëri dhe më godisnin”
Poashtu edhe Sajha El Barudaji, e cila është torturuar në burgjet e regjimit, nënë e dy fëmijëve, është arrestuar në një pikë kontrolli përderisa ishte duke shkuar për në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, së bashku me bashkëshortin e saj.
Barudaji thotë se është arrestuar për shkak se mbante në çantë lejen e bashkëshortit të saj për gjueti. Ajo tregon se është torturuar dhe është marrë në pyetje për 4 orë me akuzën se “ka ndihmuar terrorizmin”.
“Çdo herë që më godisnin bija në tokë, por më ngrinin përsëri dhe më godisnin. Pas gjithë këtyre, përsëri më morën në pyetje në njësinë ushtarake. Më pas m’i lidhën sytë dhe duart nga prapa dhe më vendosën në një dhomë burgu të vetmuar. Pas 48 orëve e hapën derën dhe gjuajtën një fetë buke dhe tre ullinj”, thotë ajo.
– “Me ndikimin e shokut, ose do të thuash ‘po i kam kryer’ të gjitha veprat penale të pretenduara, ose do të rezistosh”
Barudaji thotë se ka rënë në shok pas torturave që ka përjetuar. “Me ndikimin e shokut, ose do të thuash ‘po i kam kryer’ të gjitha veprat penale të pretenduara, ose do të rezistosh. Unë zgjodha të rezistoj dhe u betova se do të rezistoj edhe po qe se lirohem, edhe po që se mbetem e burgosur. Unë punoja në Gjysmëhënën e Kuqe në mënyrë vullnetare. Ndihmoja në mënyrë të paanshme çdo të plagosur apo person në nevojë. Por, këta tiranë na akuzonin neve se po ndihmonim terrorizmin”, thotë ajo.
Barudaji thotë se në dhomën ku mbahej ndodheshin edhe 3 gra të cilat gjithashtu akuzoheshin me vepra të ngjashme penale. Duke folur për ato që u është nënshtruar, Barudaji tha se “Ai që më mbajti për 8 orë me sy të mbyllur, me pranga në duar dhe këmbë, ishte pothuajse në moshën e të birit tim”.
– “U kishin dalë eshtrat nga uria, ishin plakur nga rrahjet, ishin pothuajse si kufoma që lëvizin”
Më tej Barudaji thotë se gjatë kohës kur ishte marrë në pyetje, i është hequr mbulesa e saj dhe se ishte rrahur duke u zhveshur pjesa e sipërme e trupit të saj. Ajo tregon se pasi që ka refuzuar akuzat e pretenduara ndaj saj, ishte varur në një dhomë të mbushur me ujë, me duar të mbërthyera në pranga.
“Iu nënshtrova torturave të ndryshme fizike. Kur më binte të fikët, më zbrisnin nga pjesa ku isha varur dhe më zgjonin përsëri duke i dhënë energji elektrike ujit në tokë. 66 persona u dërguam në burgun qendror në Humus. Na vendosën në repartin e njëjtë të burgut me ata që akuzoheshin për përdhunim dhe vrasje. Jam traumatizuar kur pashë se vajzat 18 vjeçare të cilat kanë shpëtuar nga masakra e Baniyasit mbaheshin në burg sikur të ishin fajtorë. Fillova të mendoj se të gjitha gratë në Siri po mbahen në burgje”, thotë ajo.
Pas Humusit, Barudaji tregon se është transferuar në burgun Banon dhe se aty përsëri ishte dëshmitare e personave të torturuar. “U kishin dalë eshtrat nga uria, ishin plakur nga rrahjet, ishin pothuajse si kufoma që lëvizin”, thotë ajo.
– “Nga shkallët ku zbrisja merrja vetëm erën e vdekjes dhe të kufomave”
“Pasi që u transferova në njësinë palestineze të burgut Banon, më tërhoqi vëmendjen se aty kishte shiitë iranianë. Nga shkallët ku zbrisja merrja vetëm erën e vdekjes dhe të kufomave. Dhomave u vinte era vdekje”, thotë Barudaji.
Këtu ajo thotë se është mbyllur në një dhomë burgu ku ndodheshin edhe 43 gra të tjera, ku kishte infektime e nuk kishte asnjë dritare. “M’u afruan sikur të isha dikush që ka zbritur nga qielli për t’i shpëtuar ata dhe më pyetën se çfarë po ndodh përjashta. Ishin të emocionuara kinse do të binte regjimi i Asadit dhe ata do të liroheshin nesër”, shprehet ajo.
Barudaji tregon se pas 3 ditë urie pa ushqim, u sillnin nga një patate të zier për çdo katër persona.
“Meqë nuk e kisha emrin nëpër lista, mua nuk më takonte porcioni i ushqimit. Gratë pranë meje e ndanin ushqimin e tyre me mua. Përkundër asaj që jetuam në vështirësi të shumta, me patatet që e ndanë me mua më bënë që të qaj dhe të qetësohem. Aty qëndrova dy javë. Tre herë më morën në pyetje nëpër korridore. Sidomos pas orës 21:00 nuk mund të flinim nga zërat e rënkimit të vajzave të reja. Në ora 09:00 dhe 17:00 dilnim në pauzë 15 minutëshe”, thotë ajo.
– “Ne pamë kufoma që zvarriteshin me serum të ngjitur në krahë”
Duke e treguar momentin kur ka qenë dëshmitare e mbajtjes së kufomave nga forcat e regjimit, përgjegjës për pastrimin e korridoreve ku merreshin në pyetje, të cilët quheshin Es Sebaat, Barudaji thotë se “Një herë një shoqe e jona kishte një sëmundje urinare. Na dhanë leje për ta çuar atë në tualet, por pasi që përfundoi na thanë që të qëndrojmë aty. Harruam dhe dolëm. Duke dalur pamë që Es Sebaatët mbanin kufoma brenda leckave. Pamë kufoma, dora e të cilëve kishte dalë nga lecka, me serum të ngjitur në krah. Pothuajse koha u ndal për neve në atë moment”.
Barudaji tregon se është liruar në seancën gjyqësore ku ka dalë dy javë pasi që ishte transferuar në burgun Adra.
– “Sebaatë e hapën mbulesën dhe trupin tim dhe nisën të më zvarrisin përpara gjithë mëhallës”
Ndërsa Merjemja 24 vjeçare nga Hama, nënë e 4 fëmijëve, i është nënshtruar përdhunimit dhe torturave të shumta në burgjet e regjimit.
Merjem në fillim të luftës së brendshme ka marrë pjesë në dy protesta në Hama, të kryesuara nga djemtë e xhaxhait të saj. Pas fillimit të përdorimit të dhunës nga regjimi, ajo thotë se ka nisur të punojë si vullnetare në një spital fushor të cilin e kishin hapur për trajtimin e të plagosurve.
Ajo thotë se gjatë kohës kur forcat e regjimit kanë hyrë në Hama ajo ishte denoncuar nga një raportues i Asadit. “Bashkëshorti im punonte si shërbyes civil në Drejtorinë e Bujqësisë dhe të Blegtorisë. E kanë kapur atë dhe kanë pyetur për mua. Kur ai u ka treguar se është bashkëshorti im janë përpjekur që të marrin informacione nga ai. Miqtë më treguan që të iki, por mua më kishte marrë malli shumë për fëmijët. Kur regjimi përpiqej që t’i shtypë protestat në Hama, unë në ora 6 të mëngjesit shkova në shtëpinë e nënës dhe babait”.
Në momentin kur ishte duke i përqafuar fëmijët, Merjem thotë se forcat papritmas kanë thyer derën dhe kanë bastisur shtëpinë e nënës dhe babait të saj. Duke e goditur andej këndej vajzën e saj 4 vjeçare, Merjem thotë se e pyesnin atë “Ku e ke nënën?”.
“Vajza ime atë ditë nuk arriti të mbajë dot nevojën fiziologjike nga frika. Shabihatë e hapën mbulesën dhe trupin tim dhe nisën të më zvarrisin përpara gjithë mëhallës. Kur më hipën në një automjet të blinduar, pashë se aty ndodheshin edhe 4 vajza të reja”, tha ajo.
“Kur arritëm në njësi, nisën që të bërtisnin ‘Erdhën terroristët’. Kur hyrëm në dhomën e një personi të quajtur komandant Sulejmani, u takuam me një person i cili nga njëra anë hante fëstëk, e në anën tjetër fyente nderin tonë. Që nga ajo ditë as që blej e as që ha fëstëk. Nëpër burgje na dhanë numrat 581 dhe 518 dhe na fotografuan. Po ashtu thënia ‘Gratë kërkohen, policet gra’ është një gënjeshtër e madhe. Mua më kërkoi një polic mashkull, duke më zhveshur. Më dhimbte zemra”, shtoi ajo.
– “Pjesa e përparme zyra, ajo e pasme ishte dhomë e përdhunimit. I thoja ‘Mos e bën për Allahun’, më thoshte: ‘Nuk ka Allah’”.
Merjem duke treguar përjetimet e saj pas kësaj periudhe tha se “Dhoma ku merreshim në pyetje përbëhej vetëm nga një shtrat. Torturat nuk kishin kufi. Sikur të dinit çfarë ndodhte pas orës 12 të natës. Komandanti Sulejman i zgjidhte vajzat më të bukura dhe i sillte në dhomën e vet. Në zyrën e tij kishte dy dhoma. Dhoma e pasme ishte një dhomë përdhunimi. I thoja ‘Mos e bën për Allahun’, më thoshte: ‘Nuk ka Allah”. I thoja ‘Për hir të Pejgamberit’, më thoshte ai është ‘në pushim”.
“Parashtronin pyetje të ndyra si ‘Cilët jemi më të ëmbla? Ne apo ata të Ushtrisë së Lirë Siriane?. Një vajzë e cila u përdhunua mbeti shtatzënë. Ajo përdhunohej edhe kur ishte shtatzënë. Ajo lindi kur në muajin e gjashtë të shtatzënisë. E mbytën foshnjën përpara saj duke e gjuajtur me armë. Ajo vajzë u çmend. Tani familja e saj e mbajnë të lidhur. Një shoqe tjetër e imja ishte studente e vitit të tretë në Fakultetin e Mjekësisië. Nuk ishte e martuar. Edhe ajo u përdhunua. Ishte një i ri me emrin Ahmet nga rajoni Sefire. Qante kur dëgjonte britmat tona. Çdo mëngjes tortura. Në mbrëmje përdhunim. Askush nuk u bë i ndjeshëm ndaj nesh. Askush nuk e dëgjoi zërin tonë. Çfarë bëmë ne? U ndihmuam të plagosurve. U dërguam ndihma familjeve nën rrethim”, thotë Merjem.
– “I bëj thirrje vetëm babait tonë Recep Tayyip Erdoğan që të na dëgjojë zërin”
Merjem thotë se ka përjetuar një habi shumë të madhe pasi që ka dalë nga burgu. Ajo thotë se priste që kur do të dilte nga burgu do të pritej me mëshirë dhe fytyra të buzëqeshura, por ndodhi e kundërta, i gjithë populli e poshtëron për shkak se janë përdhunuar dhe madje nuk munden që të shkojnë as në treg për të blerë diçka.
Më tej ajo tregon se bashkëshorti i saj e ka shkurorëzuar, e gjithë familja i ka kthyer shpinën dhe nuk i hapin telefonin as në ditët e bajrameve, madje vëllai i tij e kërcënon edhe me vdekje.
“I bëj thirrje vetëm babait tonë Recep Tayyip Erdoğan që të na dëgjojë zërin. Zëri ynë arriti te çdo kush, në SHBA, organizatat e ndihmave humanitare, por kot, askush nuk e dëgjoi. Erdoğan le të zgjasë dorën te gratë të cilat janë liruar pas procesit të burgimit”, thotë Merjem, duke theksuar se merakoset edhe për shoqet e saj që ndodhen ende nëpër burgje të cilat nuk duhet të harrohen.