1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Gratë e dhunuara, të lëna pas dore

Më të lexuarat

“Për afro 3 orë më dhunuan dy ushtarë serbë”, kështu e nis rrëfimin e saj, gruaja e dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Rasti i kishte ndodhur në rrethinën e Prishtinës, pasi që ishte dëbuar nga vendlindja e saj, nga Drenica.

Ajo edhe pas 14 viteve, ende nuk ka arritur të harrojë atë që kishte përjetuar. Pasojat e asaj nate e kanë bërë që tani të jetë nën ndikimin e barnave, dhe terapive të shumta.
Të gjitha këto terapi dhe barna, asaj i kushtojnë shumë shtrenjtë. Pasi që është e papunë, ajo çfarë kërkon tani është që t’i njihet statusi si viktimë e dhunës gjatë luftës, dhe të jetë nën mbrojtjen e shtetit.
“Asgjë nuk po kërkoj vetëm të më njihet statusi si viktimë e dhunës, dhe të më mbajë shteti. Së paku terapitë dhe barnat t’i kem falas, sepse nuk kam se nga t’i marr të hollat për t’i paguar. Unë nuk mund të punoj, pasi që kam mbetur me trauma, nga ajo natë”, thotë viktima rreth të 40-ve.
Gratë e dhunuara, përmes shoqatave të ndryshme, disa herë kishin kërkuar që t’u njihet statusi si viktima të dhunuara gjatë luftës, mirëpo kjo ende nuk ka ndodhur, dhe se ato vazhdojnë të jenë pa mbrojtje institucionale.
Përveç problemit të dhunimit, kjo grua ka edhe një problem tjetër. Ajo edhe pas 14 viteve ende nuk ka arritur t’i tregojë familjes së saj për rastin që i ka ndodhur.
“Kam bërë gabim që në fillim nuk iu kam treguar që më kanë dhunuar, tash është shumë vonë, edhe po t’iu tregoj nuk do të ndryshojë asgjë, e ç’është më e keqja nuk e di a do të më besonin, kanë kaluar shumë vite, edhe pse për mua do të vdes dhe nuk do ta harroj”, shprehet viktima.
Ajo gjithashtu thekson se do të ndihet shumë më e lumtur po ta kishin mbytur, e të mos jetonte me këtë vuajtje.
“Vdekja kishte me qenë shumë më e mirë, se sa që më kanë lënë kështu. Kjo është më e tmerrshme, ma kanë marrë lumturinë, gëzimin, nuk di se çfarë është të jetosh pa vuajtje”, thotë viktima.
40-vjeçarja e cila tani i ka tre fëmijë dhe jeton me familjen e saj, ajo nuk ka aspak optimizëm për jetë. E ndër të tjera nuk dëshiron që familja e saj ta shoh si barrë, për ta mbajtur. “Nuk dua që të më mbajnë vetëm pse jam e dhunuar, ka shumë paragjykime, për këtë edhe kërkoj përkujdesje nga shteti”, thotë në fund viktima.
Ndërsa nga Qendra për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave, Sebahate Pacolli, ka thënë se ka shumë gra që janë të dhunuara, mirëpo hezitojnë që ta thonë atë. Kjo ndodh për arsye se gjykohen nga shoqëria dhe nuk përkrahen nga familja.
“Ne kemi shumë gra që bëjnë terapi në qendrën tonë, jemi munduar që t’i përkrahim në forma të ndryshme, sepse janë shumë të lëna pas dore. Ajo çfarë na mungon është financimi, si për terapi, si për barna. Nuk kemi përkrahje nga institucionet e vendit për këto gra.
Ministria e Integrimeve Evropiane na ka përkrahur me një kampanjë që është mbajtur vitin e kaluar, e që ka pasur synim vetëdijesimin e shoqërisë, më këtë kategori të grave. Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë kemi kërkuar që barnat që i përdorin gratë e dhunuara, t’i kenë falas, mirëpo ende nuk ka ndodhur një ndihmë nga ana e tyre”, ka thënë Pacolli.
Ndërkohë gazeta “Zëri” ka bërë përpjekje të vazhdueshme për tri ditë radhazi që të marrë përgjigje nga ana e Qeverisë, gjegjësisht nga udhëheqësja e Zyrës për Barazi Gjinore në kuadër të Kryeministrisë, Edona Hajrullahu, por ajo nuk i është përgjigjur gazetës. /Ind/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit