-0.4 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Gratë e angazhuara në sistemin shëndetsor gjatë Sundimit Osman

Më të lexuarat

A ka patur gra të angazhuara në fushën e përkujdesjes shëndetsore gjatë periudhës  osmane? Nëse po, ku i kanë kryer shërbimet e tyre?  A i kanë shërbyer ato një fushë specifike apo kanë ushtruar veprimtari në fusha të ndryshme? A pranonin gratë të kuroheshin nga praktikante femra në mënyrë tradicionale? A e lejonte praktika sociale gjatë periudhës së sundimit osman trajtimin e pacienteve femra nga praktikantët meshkuj apo e ndalonte një gjë të tillë?

Megjithëse ende nuk është bërë një studim i tërësishëm në lidhje me funksionin dhe rolin e grave të angazhuara në fushën e mjekësisë gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, studimi im tregon se ka patur gra të të gjitha statuseve dhe klasave, të cilat janë përfshirë në shëndetësi, qoftë duke sponsorizuar ngritjen e instiucioneve shëndetësore, qoftë duke e praktikuar vetë mjekësinë. Ne jemi në dijeni se disa nga spitalet e njohura si Dar-Al-Shifa janë themeluar nga gra, qoftë nga gratë e sulltanëve apo nga nënat e tyre, si p.sh Hafsa spitali i sulltanit në Manisa (themeluar më 1539), spitali Haseki i sulltanit (themeluar me 1550) dhe spitali Nurbanu i sulltanit (themeluar më 1582) në Stamboll. Megjithatë, gratë preferonin që sipas rastit të trajtoheshin nga mjeket femra, nga mamitë ose shërbëtoret e shtëpive apo rezidencave të tyre. Për kohën e atëhershme kjo lloj trajtese ishte vlerësim që i bëhej femrës në drejtim të kujdesit të saj shëndetsor, i cili konsiderohej më serioz nëse ndiqej në shtëpi dhe jo në një institucion shëndetsor.  Kjo tregonte indiferencë dhe neglizhencë të familjarë karshi të drejtave të saj.

Për shembull  nga të dhënat e një regjistri juridik të vitit 1673, mësohet rasti i përpjekies për  shtrim në spitalin e Konjës të një gruaje me emrin  Fatime, e cila vuante nga sëmundje mendore. Mirëpo  ishte djali i saj Omeri i cili e kundërshtoi vendimin  duke  garantuar se do të kujdesej vetë për nënën e tij në shtëpi e do ta trajtonte nga ana mjekësore gjithashtu. Gjykatësi (kadiu) vendosi që përgjegjësia për nënën t’i kalonte të birit. Megjithatë, gra të rrethit të afërt familjar përkujdeseshin për anëtarin e sëmurë të familjes, që do të thotë se përgjegjësia për të sëmurin shpërndahej tek të tjerë familjarë. (përveç djalit në rastin e sipërpërmendur)

 

Picture2

Figurë 2: (Paris, Bibliothèque Nationale, Département des Estampes, Od. 26-26a). © Nil Sari and Ulker Erke.

 

Një përhapje e gjerë e shërbimit të trajtimit të  jashtëm të pacientëve u vu re në vitin 1839 në klinikat e Shkollës së Mjekësisë. Shtrimi në spital i pacienteve femra u bë një praktikë e njohur në spitalin Haseki në vitin 1843. Megjithatë, ato që zakonisht shtroheshin në spital, siç shohim edhe nga arkivat, ishin femrat e varfëra, të pastrehat, ato të cilat nuk kishin mbrojtie familjare ose ato që kishin sëmundje fizike. Këto fakte, të cilat i zbulova gjatë studimit tim, cilësojnë kategorinë e femrave që praktikonin mjekësinë si brenda ashtu dhe jashtë pallatit osman. Në pjesën tjetër të materialit do të prezantojmë  një informacion konçiz mbi grupet e ndryshme të grave praktikuese të mjekësisë.

 

  1. Mjeket femra

Fillimisht do të përpiqem të përkufizoj konceptin e mjekes që në një farë mënyre ndryshon nga koncepti i mamisë,  duke qënë se kjo e fundit njihej me emrin “ebe” ose”kabile” e cila si detyrë kishte të asistonte në lindjen (pritjen) e fëmijës.

Ashtu siç tregojnë pikturat në miniaturë të shekullit XV, dorëshkrimet turke në fushën e kirurgjisë të quajtura Cerrahiyetü’l Haniye of Sabuncuoglu, e quanin “tabibe” gruan mjeke që ishte e përfshirë në operacionin e një pacienteje femër, që do të thotë “mjeke femër” ndërkohë fjala “tabib” nënkuptonte mjekun mashkull. Është interesante të vërehet se mjeket femra të njohura si “tabibe” paraqiteshin në piktura apo librat mësimorë duke praktikuar operacione gjinekologjike, siç janë për shembull trajtimet e hemafroditëve, hemorroideve, puçrave të infektuara etj. Në të njëjtin dorëshkrim mamitë quhen “kabile” dhe njihen si trajtuese të vrimave në uterus, të fetusit të gjallë që vinte në jetë nga lindje jonatyrale, në trajtimin e nxjerrjes së fetusit të vdekur si dhe depërtimit në anus.

Duke qenëse dy kapitujt e fundit kanë të bëjnë me lindjen, kapitulli që flet për format e instrumenteve të nevojshme për  nxjerrjen e fetusit  logjikisht i drejtohet mamive. Megjithatë është e vështirë të kuptohet përse disa operacione u adresoheshin mjekeve femra ndërsa disa të tjera mamive.  Është intersant fakti që Al-Zahrawi në kapitujt që flasin për operacionet gjinekologjike që u përmendën më lart nuk i përmend mjeket femra. Në të vërtetë, në kapitujt në lidhje me lindjet në librin e tij mbi kirurgjinë të cilin Sabuncuoglu e përktheu dhe e pasuroi me eskperiencën e tij personale, ai  përmend mamitë. Nga ana tjetër, Sabuncuoglu, ndryshe nga Al-Zahraëi siç e vumë re i përmend mjeket femra në kapitujt e sipërpërmendura dhe i quan ato “tabibe”.

Shumë dokumenta në lidhje me Pallatin Osman na japin informacion të besueshëm mbi mjeket femra. Ne jemi në dijeni të faktit se si pallati në Adrianople i ndërtuar në vitin 1450 dhe pallati i vjetër i Bajazitit apo Pallati i Portës së Lartë (Topkapi) kishin brenda në Harem një spital të madh dhe një banjo për pacientët e sëmurë të Haremit. Spitali në fjalë mendohet të jetë  ndërtuar rreth shekullit XVII  në Haremin brenda Pallatit Portës së Lartë dhe quhej “Cariyeler Hastanesi”. Ky pallat u shërbente rezidentëve të Haremit, pjesa më e madhe e të cilit përbëhej nga  ato që njiheshin si vajzat shërbyese të cilat merrnin edukim prej mësueseve të tyre, në fushën e artit dhe të shërbimit. Po ashtu, ekzistonte dhe një grup mjekësor femrash anëtarja e të cilit njihej si “hastalar ustasi”, kuptimi i së cilës është “kujdestare e pacientëve“ dhe ndihmësja e saj njihej si (cariyesi). Po ashtu ishin dhe “hastalar kethüdasi kadin” që ishin femra infermiere përgjegjëse për pacienët dhe ndihmësja e saj (cariyesi); dhe doktoresha, hekime kadin. Pagat e tyre figurojnë të regjistruara në vitet 1798-99.  Ende sot ekzistojnë ndërtesat e Spitalit të Haremit brenda Portës së Lartë, banjot dhe godina që njihej si “kuzhina e pacientëve“.

Ne posedojmë dokumente në arkivat përkatës të rasteve të  pacientëve meshkuj të cilët janë operuar nga dy mjeke femra me ngjyrë. Këta pacientë jetonin në dy zona të ndryshme të vendit larg njëra-tjetrës. Mjekët lëvizës të cilët nuk kishin një zyrë fikse, udhëtonin nga njëra zonë në tjetrën dhe qëndronin për një periudhë të caktuar në një vend ku kishte pacientë për t’u trajtuar. Ata  ishin më të shumtë në numër krahasuar me mjekët që punonin nëpër zyra.

Në rastet kur trajtimi i njërës prej grave apo fëmijëve të Sulltanit nuk kishte dhënë rezultat, atëherë thërrisnin në Pallat “shërues” nga jashtë oborrit. Dy dokumente në arkivin e Portës së Lartë që datojnë nga mesi i shek. XVII tregojnë për ftesën që kryemjeku Cemalzade Mehmed Efendi i bën një mjekjeje të famshme të kohës që njihej si “hekime kadin” për të ardhur nga qyteti ku banonte, Scutari (Shkodra), në pallatin e vjetër “Saray-i Atik” që të shëronte tre paciente femra të quajtura Ferniyaz Kalfa, Lalezar Kalfa dhe Nazenin Kalfa, të cilat ndodheshin në pavionin e të sëmurëve.

Kuptimi i termave “Hekime Kadin” dhe “hekim”, përkatësisht është “mjeke” dhe “mjek”. Në vitet e fundit të shek. XVIII  d’Ohsson, ambasadori suedez në detyrë, në librin e tij mbi traditat dhe zakonet në Turqi shkruan rreth mjekeve femra të quajtura “hekime kadin”, të cilat kishin pak njohuri por shumë eksperiencë dhe ftoheshin të vinin madje dhe në ambientet e Haremit kur e kërkonte nevoja. Sipas d’Ohsson, këto mjeke praktikonin gjithashtu dhe rolin e mamisë. (Zakonisht funksioni i një mjekeje (hekime kadin) përfshinte dhe rolin e mamisë, ndërsa kjo e fundit zakonisht ishte përgjegjëse vetëm për lindjet).

Ali Riza Bey në shkrimet e tij përmend ftesën që i bëhet një mjekeje  të quajtur Meryem Kadin pas dështimit të një mjeku të  punësuar në Pallat për të kuruar Abdylmexhidin , trashëgimtarin e fronit në fillim të shek. XIX. Kjo grua pati sukses në trajtimin e Abdylmexhidit duke e shëruar atë plotësisht. Për këtë arritje si shpërblim iu garantua një pagë mujore dhe u lejua të hynte e të dilte lirshëm në Harem. Punësimi i femrave mjeke në Pallat vazhdoi dhe në pjesën e dytë të shekullit të XIX.

Një ndër katër mjekët myslimanë në mesin e dhjetë mjekëve të punësuar në farmacinë mbretërore të pallatit mbretëror Yildiz në vitin 1872, ishte dhe një mjeke femër e quajtur Tabibe Gülbeyaz Hatun, paga mujore e të cilës ishte “200 akçes”. Megjithatë mbetet i diskutueshëm fakti nëse ajo  ishte mjeke apo farmaciste.

Po të kemi parasysh ndarjen e praktikave të sipërpërmendura nga njëra-tjetra që  filloi në shek. XIX atëherë kur farmacitë filluan të luanin edhe rolin e klinikave në rajone të ndryshme, mjekët u shërbenin të sëmurëve në ambjentet e farmacisë, një pjesë e së cilës tashmë shërbente edhe si qendër spitalore. (Brenda të njëjtës godinë gjendej edhe farmacia edhe qendra spitalore). Nisur nga kjo mund të arrijmë në përfundimin se ajo mund të ketë qenë edhe farmaciste edhe mjeke.  Nuk duhet të harrojmë faktin se praktika mjekësore nuk kishte ndarje specifike në fusha të ndryshme të profesionit, siç ndodh në ditët e sotme.

Në shënimet e Abdylaziz Beut në lidhje me traditat osmane, ceremonitë dhe terminologjinë, material i cili ka mundësi të jetë përmbledhur në vitin 1910, përmendet gjithashtu fakti se mjeket femra ftoheshin nga oborrtarët dhe atyre u jepeshin paga e u dhuroheshin pagesa vjetore fetare të njohura si “Bairam”. Mjeket femra të quajtura “morti tabibe” ishin gjithashtu të punësuara në zyrën e karantinës, zakonisht për studime në fushën  post mortem. Në një dokument të vitit 1842 gjejmë të regjistruara pagat e këtyre mjekeve në regjistrin e pagave të personelit të karantinës.

Një tjetër burim që vërteton ekzistencën e mjekeve janë epitafet, një model intersant i të cilave  gjendet në oborrin e xhamisë së vogël Aya Sophia (Hagia Sophia) në Stamboll. Një fjali kuptimplotë gjendet e gdhendur në gurin e “tabibe kadin”, e një mjekeje  e cila figuron në vitin 1802.  Një nga vargjet e këtij vajtimi është: “Mjerë kjo! Femra mjeke që nuk arriti të shërojë as veten.”

 

Picture3

Figurë 3: Një grua turke me kokën e saj të mbështjellë që simoblizonte sëmundjen e saj. (Les Portraits Des Différens Habillemens Qui Sont en Usage A Constantinople Et Dans Toute La Turquie, Istanbul: Deutschen Archaologischen Institutes, Tafel 188). © Nil Sari and Ulker Erke.

Shërueset që praktikonin “mjekësinë tradicionale” formuan një grup tjetër femrash praktikuese të cilat zakonisht merreshin me një sëmundje të vetme, që e e trajtonin nëpërmjet mjekësisë tradicionale por që zakonisht kryhej nëpërmjet riteve.(mjekësisë popullore)

Shembujt më të hershëm të grave që ishin të lidhura me fushën e mjekësisë tradicionale datojnë që në shekullin e XIV.  Në këtë periudhë Karacaahmed, i cili jetonte në Afyon,( qytet i cili mori emrin e tij të më vonë) , merrej me trajtimin e të sëmurëve mendorë. Gjithashtu mbesat e tij u bënë të njohura për trajtimin e femrave që vuanin nga sëmundje mendore. Kjo traditë vazhdoi deri në shekullin XX. Femrat më të famshme si shëruese ishin gratë që përpunonin vaksina kundër lisë. Praktikën në fjalë zonja Montagu, bashkëshortja e ambasadorit anglez, në letrat e saj ia përshkruan (shpjegon) mikut të vet në Angli në vitin 1717. Në shënimet e tij, Abdylaziz Beu përmend faktin se mjeket femra e kishin zakon t’i kalonin aftësitë (profesionin) e tyre nga nëna tek e bija dhe kjo praktikë njihej si mjekësia e traditës (hearth medicine) dhe se çdo anëtare e kësaj praktike përfaqësonte një familje. Në mesin e këtyre grave shëruese, ato që përgatisnin ilaçet ishin të njohura për kurimin e sifilizit dhe quheshin “hekim kadin”. Abdylaziz Bey vëren se këto femra që përgatisnin barnat ftoheshin në Pallat dhe u jepeshin paga dhe dhurata të njohura si “Bairam”. Në mesin e këtyre shërueseve, ata të cilat i trajtonin sëmundjet e fryrjes së stomakut dhe diarresë tek fëmijet njiheshin si “Kirbaci Kadinlar” dhe i kryenin shërbimet e tyre në afërsi të Aksaray dhe Bozdogan Kemeri në Stamboll. Ata i trajtonin fëmijët me mjekime tradicionale që praktikoheshin me metoda ritualesh (dhe jo mjekësie të mirëfilltë).

Një grup tjetër i shërueseve ishte “alazci kadinlar” , të cilat kuronin një sëmundje që quhej  “alaz”, e cila zakonisht shfaqej në faqet e fëmijëve dhe ishte një lloj ekzeme që shoqërohej me kruarje dhe formim koresh. Fëmijët dërgoheshin tek shërueset para se të binte nata ose i ftonin ato në shtëpi përpara lindjes së diellit dhe trajtoheshin me mjekime të ndryshme, baza e të cilave ishte hiri dhe  përdorimi i tij ishte në përputhje me një lloj rituali të kohës. Një grup tjetër ishte grupi i shërueseve të njohura si “alopecia healers”. Në fillim gratë shëruese të  këtij grupi ishin hebreje, ndërsa më vonë myslimane. Ato  filluan të praktikonin të njëjtin art  në rajone të ndryshme të Stambollit. Disa prej tyre kryenin po ashtu  dhe profesionin e infermieres.

Abdylaziz Beu e përshkruan këtë sëmundje si një lloj ekzeme e dhimbshme e acaruese që formonte një kore të trashë e cila gjakosej dhe rridhte vazhdimisht mbi skalpin e kokës. Metodat e trajtimit të kësaj sëmundjeje, ndonëse ishin tepër të dhimbshme, ishin shpesh të suksesshme. Trajtimi bazohej në përdorimin e baltës për disa ditë me radhë pastaj mbështillej koka me një përzierje katrani dhe një sërë bimësh me efekt qetësues që tërhiqej me forcë nga lëkura e kokës 15 minuta pas aplikimit. Pasi hiqej korja e plagës, koka mbështillej me një përzierje kuruese. Ky proces vazhdonte të aplikohej me disa ndryshime derisa i sëmuri shërohej. Gratë që kuronin fobitë ose frikën njiheshin si “Shtypëset e enës së frikës”  e cila besohej se ndodhej në pjesën e ijeve (brinjëve). Shkrirëset e plumbit (ato që shkrijnë plumbin dhe e hedhin atë në ujë të ftohtë dhe mbi kokën e të sëmurit) përpiqeshin të trajtonin fëmijët nga pagjumësia dhe konvulsionet, si dhe dhimbjen e kokës tek gratë e moshuara, të vjellat, ankthin etj.

3.Gratë që përgatisnin dhe shisnin ilaçe

Picture4

Figurë 4: Rustam’s birth from Shahnamah Firdaës (Book of Kings of Firdaës), Türk Islam Eserleri Müzesi Kütüphanesi, 1984, fol. 48a. © Nil Sari and Ulker Erke.

Gratë që përgatisnin dhe shisnin ilaçe mund të merren në konsideratë si një grup më vete, edhe pse të gjitha gratë që praktikonin mjekësinë ka shumë mundësi të jenë marrë secila me përgatitjen e ilaçeve që u nevojiteshin. Fraza “mjekësia e grave të moshuara” (koca kari ilaçlari), që nënkuptonte mënyrën  e shërimit me metoda tradicionale është një frazë që gjen përdorim të gjerë e cila përkufizon traditën e grave në përgatitjen e ilaçeve. Me sa duket, duhet të ketë pasur një konflikt midis profesionisteve dhe praktikueseve të mjekësisë popullore.

Shumë nga preparatet  merreshin në pranverë si një masë profilaktike kundër sëmundjeve. Për shembull, siç mësojmë nga udhëtimet e Evliya Çelebi të shekullit XVII, gjendeshin gra nga Adrianople  që përgatisnin dhe shisnin lëngun e trëndafilit në enë të mëdha prej argjile. Gratë cigane (endacake) mblidhnin  flangrancat e luleve dhe bimëve medicinale nga fushat dhe përgatisnin një masë bimore kurative. Shënimet e Abdylaziz Bey tregojnë se kishte grupe të ndryshme grash që përgatisnin preparate bazuar në mjekësinë popullore të bimëve dhe kafshëve. Ato njiheshin me emrin e ilaçeve që përgatisnin.

  1. Profesioni i mamisë

Picture5

Figure 5: Illustration of a Seljuk Woman, painted by Nil Sari. © Nil Sari.

Ekzistonte një traditë e hershme e grave që praktikonin profesionin e mamisë gjatë Sundimit Osman, siç mësojmë nga dokumentet dhe letërsia të cilën e kemi marrë në analizë. Arti i mamisë zakonisht ishte një profesion familjar që trashëgohej nga nëna tek bija ose tek femrat e afërta të fisit. Ekzistojnë dokumente që kanë të regjistruar caktimin  e mamisë së rangut të parë dhe të dytë në Pallatin e sulltanit. Përveç mamive që paguheshin me rrogë nga Pallati, kishte dhe të tjera që thirreshin herë pas here në Pallat. Mamitë që ushtronin profesionin e tyre në Pallat dhe ato që i shërbenin familjeve fisnike bënin një jetë të pasurish.

Pastërtia si dhe mënyrat e sjellshme që ato përdornin ishin merita mbi të cilat ato vlerësoheshin në mënyrë që të favorizoheshin e të bëheshin të njohura. Megjithëse aborti ishte i ndaluar rreptësisht, ka dokumente që vërtetojnë se ai është aplikuar herë pas here, veçanërisht në shekullin XIX. Sipas  Abdylaziz Bey kishte tre rangje mamish: mamitë e Pallatit të sulltanit (saray-i hümayun ebesi), mamitë e familjeve fisnike  (kibar ebesi) dhe mamitë që u shërbenin njerëzve të thjeshtë (ahad-i nas ebesi).  Disa nga mamitë e famshme të shek.XIX thirreshin me pseudonime si p.sh  “Silver Knifed” (Gümüs Çakili ebe); “Duararta” (Eli Güzel ebe); ” Mbajtësja e vathëve” (Küpeli ebe); “Jugged” (Fuçulu ebe); “Virgin” (Kiz ebe) etj., dhe disa të tjera emërtoheshin me emrin e vendlindjes.

  1. Infermieret femra

Picture6

Figure 6: Një pikturë tjetër që tregon lindjen e Rustamit marrë nga Shahnameja e Ferdusiut  (Book of Kings of Firdaës), Türk Islam Eserleri Müzesi Kütüphanesi, 1945, fol. 67a. © Nil Sari and Ulker Erke.

Ndryshe nga mjekësia dhe profesioni i mamisë, profesioni i infermieres për femrat deri në fillim të shekullit XX. nuk pati një rol të dukshëm, duke qenë se nënat, bashkëshortet, motrat dhe të afërmit e të sëmurit kryenin në mënyrë spontane rolin e infermiereve, siç del në pah dhe nga veprat  e gjinekologut Besim Ömer Pasha i cili i dha një mbështetje të rëndësishme arsimimit zyrtar të infermiereve në vitin 1914. Megjithatë, duhet vënë re se gjatë gjithë historisë osmane meshkujt ushtronin profesionin e infermierit dhe njiheshin si  “kayyum”,  kualifikimet etike të të cilëve janë të dokumentuara në detaje në dosjet përkatëse që gjenden nëpër spitale. Po ashtu, infermierët meshkuj ushtronin profesionin e tyre edhe në ushtri. I vetmi dallim që njohim midis femrave dhe meshkujve që ushtronin këtë profesion është se gratë e këtij profesioni thirreshin”nineler”, që  do të thotë gjyshe ose  “analar”, që do të thotë nëna e ato ishin infermiere të paguara dhe të punësuara nga Spitalet e Shkollës  së Pallatit dhe në Spitalet e Haremit. Kryeinfermierja njihej si Bas Hatun, e cila dilte në pension kur plakej, pra  “pîr”, term i cili nuk i referohej një moshe të caktuar.

Arsimi zyrtar për infermieret femra filloi si profesion i pavarur në fillim të shekullit XIX e më pas Lufta Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore nxorën në pah nevojën e madhe për femrat që praktikonin infermierinë e që jepnin një kontribut të madh për trajtimin e plagëve të ushtarëve. Pavarësisht se një figurë e rëndësishme e kësaj fushe është dhe Florence Nightingale e cila dha një kontribut të shquar në Stamboll gjatë luftës së Krimesë, ajo u vlerësua si një shembull-model shumë kohë më vonë. Dr. Besim Ömer Pasha ishte emir që udhëhiqte fillimin e arsimimit të infermiereve femra.

  1. Burrat që merreshin me trajtimin e grave

Picture7

Figurë 7: The Main gate of Amasya Dar Al-Shifa. The image is depicting Sharaf al-Din Sabuncuoglu, the chief physician of the Dar Al-Shifa, with his two students. © Nil Sari and Ulker Erke.

Një çështje  që duhet sqaruar është dhe trajtimi që meshkujt i bënin femrave. Nga informacionet e gjetura në dorëshkrime të ndryshme tregohet se grave u lejohej të trajtonin meshkujt që kishin probleme shëndetësore si dhe anasjelltas. Shembulli për rastin e burrave që trajtonin gratë e sëmura merrej nga koha e profetit Muhamed kur gratë e tilla si Ümmiyetü’l Gaffariye trajtonin plagët e burrave të plagosur në betejë. Megjithëse për infermieret femra preferohej që të trajtonin pacientet femra, shpesh ishte e nevojshme që mjekët meshkuj madje dhe ata që nuk ishin myslimanë lejoheshin t’i trajtonin këto paciente femra sipas parimit “nevoja e bën të lejuar të ndaluarën”. Për këtë ka piktura në miniaturë në kopjet e Cerrahiyetü’l Haniye’s, ku paraqiten mjekë meshkuj që trajtonin një grua. Kjo , në kapitullin e 39 të librit të parë.

Kapitulli 71  mbi rrethprerjen  (circumcision) e femrave, që është “prerja e klitorisit dhe mishin përreth organeve gjenitale të femrës ”  njihet po ashtu si një praktikë e  mjekut që njihej si “tabib”.  Në kapitullin e 61-të të Cerrahiyetü’l Haniye mbi nxjerien e gurit nga femra, ashtu si në tekstin e Al-Zahrawi, citohet se ishte e vështirë të gjeje një grua me aftësi të plota në artin e kirurgjisë; megjithëse Sabuncuoglu  thoshte se nëse një grua mjeke të cilën ai e quan “tabibe avret” nuk mund të gjendej për një paciente, atëherë do t’i kërkohej një mjeku kompetent e me moral të lartë të kryente punën e saj.

Fakti që trajtimi i një pacienteje femër mund të kryhej dhe nga meshkujt, ashtu si dhe nga gratë mund të vërtetohet dhe nga dokumentet që ilustronin procese të ndryshme gjyqësore. Këtu mund të citojmë dy raste nga regjistrimet gjyqësore nga Afyonkarahisar në mesin e Anadollit.

Në një rast që daton në vitin 1654, pala akuzuese e përfaqësuar nga Hasani hodhi në gjyq kirurgun Hüseyin, që  operoi gruan e tij Zülfie e cila kishte një tumor në pjesën e ballit dhe për shkak të operacionit ajo humbi jetën. Dokumenti tjetër i cili  flet për qytetin Afyon dhe daton në vitin  1691, është një  konsensus i përbashkët midis pacientes Zeynep që vuante nga tumori në fyt dhe mjekut kirurg të quajtur Abdurrahman Çelebi të zgjedhur për të kryer operacionin.

Robert Withers, një zyrtar i Ambasadës Britanike kur përshkruan jetën në Stamboll në fillim të shekullit të XVII citon diplomatin venecian Ottaviano Bonn i cili në studimet e tij shkruan se në rastet kur ishte e nevojshme ndërhyrja e një kirurgu, femra linte mënjanë bindjen e saj fetare dhe bënte gjithçka mundej që të fitonte sërish shëndetin  e saj dhe nuk i refuzonte kirugët meshkuj; megjithatë, Withers dhe disa burime të tjera thonë se femra e sëmurë shpesh mbulohej me një copë të hollë.

Ne mund të përmendim shumë shembuj të tjerë të trajtimit të pacienteve femra nga mjekë meshkuj dhe disa prej tyre lidhen me bashkëshortet  e sulltanëve dhe nënat e tyre. Duhet përmendur fakti se përveç grave mjeke të punësuara në Harem, mjekët burra dhe kirurgët punësosheshin po ashtu në harem. Shumë dokumente janë provë e qartë e këtij fakti. Për shembull, në vitin 1599, me urdhër të sulltan Mehmet III, kirurgu Ibrahim u caktua në Haremin e Pallatit të Sulltanit në Adrianople.

Dokumentet e viteve 1667, 1700, 1715, 1770, 1834-1836  dhe përshkrimet e jetës që paraqitej në to në lidhje me “të qenit një mjek në Haremin e Pallatit” ose “një nga kirurgët që shërbejnë në Haremin e Pallatit”,  apo ” mjekët ose kirurgët të cilët i shërbenin nënës së Sulltanit”, janë tregues se punësimi me pagesë i mjekëve dhe kirurgëve meshkuj në ambientet e Haremit ishte një traditë.

Në këtë pozicion, ushtronin profesionin e tyre rreth 5 praktikantë të fushës së mjekësisë: mjekë dhe kirurgë. Megjithatë, përveç kësaj, mjekët dhe kirurgët merreshin nga Lindja përpara periudhës së mbizotërimit të kulturës perëndimore dhe ftoheshin nga vendet europiane për të trajtuar banorët e Haremit. Për shembull, një okulist i njohur nga Libia u thirr në Pallat; Kemi Dr. Sigmund Spitzer nga Austria, një anëtar i fakultetit në Shkollën e Mjekësisë  (Mekteb-i Tibbiye) i cili u thirr në Harem nga  Sulltan Abdylmexhidi për të trajtuar gruan e tij të tretë dhe nënën e tij  Bezm-i Alem në vitin 1845.

Sipas të dhënave që na vijnë nga raportet e Shkollës së Mjekësisë, mjekët meshkuj, disa prej të cilëve nuk ishin myslimanë, kanë trajtuar qindra “femra” myslimane si paciente në klinikën e shkollës në vitet 1840. Në pjesën e fundit të shek. XIX, gjinekologë të famshëm si Vahid Bey dhe Besim Ömer Pasha, u ftuan për të ushtruar profesionin e tyre në Haremin e Pallatit të Sulltanit.

  1. Përgatitja profesionale e praktikanteve femra

Përfundimisht, mbetet për t’u diskutuar çështja e përgatitjes dhe trajnimit të mjekeve femra dhe infermiereve. Nuk ka dokument që  të faktojë ose të bëjë të nënkuptohet se mjeket femra arsimoheshin në një institucion të tillë si medrese, spital, apo shkolla e Pallatit dhe kjo vazhdoi deri në 1922 kur femra u pranua në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Stambollit. Është me të vërtetë e vështirë të shpjegosh burimin e trajnimit dhe statusit profesional të mjekes myslimane të punësuar në Pallat. Nuk do të ishte e gabuar të thonim se gratë trajnoheshin me mënyrën master-apprenticeship method (mjeshtër-mësim), art i cili zakonisht kalohej nga nëna tek e bija.

Raphaela Lewis vëren se si persona të  pashkolluar por edhe të shkolluar preferonin praktikantet e talentuara femra në vend të praktikantëve meshkuj. Megjithëse ishte e pamundur për femrën myslimane të arsimohej në fushën e mjekësisë ashtu si burrat, disa gra të talentuara dhe duararta u bënë shumë profesioniste dhe efikase në një kohë relativisht të shkurtër nëpërmjet praktikës në këtë fushë. Nëse njëra nga ato gra do të kishte mundësinë të trajnohej nga një mjek burrë, ajo do të mund të përfitonte aftësi të tilla që do t’i lejonin të kryente madje dhe operacione.

Një sërë dokumentesh që datojnë në vitin 1622 flasin për një grua kirurge të quajtur Saliha Hatun dhe 21 pacientët e saj burra të cilët ajo i kishte operuar, njërin prej tyre e operoi nga tumori dhe të tjerët nga hernia.

Megjithëse në pjesën e dytë të shekullit XIX praktika e praktikueseve tradicionale konsiderohej si e jashtëligjshme, ajo vazhdoi gjatë nëpërmjet personelit mjekësor të meshkujve që kishin një diplomë. Praktikat gjinekologjike u bënë një problem dhe si pasojë e fillimit të arsimimit modern mjekësor i cili u aplikua në Stamboll në Shkollën Mbretërore të Mjekësisë për arsimimin e studentëve meshkuj të degës përkatëse. Vetëm profesioni i mamisë, megjithëse i kufizuar tek lindja e fëmijëve, lejohej për ata që merrnin pjesë në mënyrë të suksesshme në kursin e mamisë që jepej nga Shkolla e Mjekësisë, në përputhje me ligjin e miratuar në vitin 1842. Mamitë, përkatësisht Vantor nga Parisi dhe Mesati nga Austria, u ftuan t’u mësonin studentëve artin e mamisë në ambientet e Mekteb-i Tibbiye në vitet  1841 dhe 1846. Përveç atyre që ushtronin këtë profesion në Shkollën e Mjekësisë, mamitë Fatma dhe Nefise ishin të punësuara në spitalet e qeverisë në vitin 1863.

Me kalimin e kohës kërkesa për një arsimim zyrtar  rezultoi në një izolim dhe tërheqje të grave nga kjo fushë, veçanërisht praktikantet myslimane. Gratë jomyslimane europiane dhe ato që i përkisnin Perandorisë Osmane  të cilat ndoqën shkollat e mjekësisë në fushën e infermierisë, mamisë si dhe shkollat  e stomatologjisë në Europë, zëvendësuan praktikantët tradicionalë myslimanë të fushës në fjalë dhe përdorën tendencën e parapëlqimit të femrave praktikante për të trajtuar femrat paciente në vend të praktikantëve meshkuj, megjithëse në raste nevoje, siç e kemi përmendur, burrave u lejohej të trajtonin gratë e sëmura.

Pati një numër femrash mjeke të arsimuara në shkollat e Europës që dolën nëpër gazeta për faktin se ushtronin profesionin e mjekes në zyrat e tyre. Për shembull, në vitin 1840 Vantor nga Parisi; në 1840 Madame Anette, një e diplomuar në shkollën e infermierisë në Montpellier, në 1842, Amade Taylul, një mami nga Anglia; në 1894 Madame Marry Marie Zibold, një praktikante e mjekësisë, kirurge dhe mami në Beyoglu në Stamboll ; në 1896 Irini Anopiloiti, një e diplomuar në Shkollën e Mjekësisë në Paris u reklamua në gazetat e përditshme të kohës. Në vitin 1903, Madmazel Flora u reklamua se aplikonte profesionin e dentistes për gratë në Babiali në Stamboll.

Sipas një dokumenti të arkivit që daton në vitin 1892, dy mjeke amerikane që kërkuan të aplikonin praktika mjekësore dhe kërkuan leje të ushtronin këtë profesion në zonat e sunduara nga Perandoria Osmane, u mirëpritën duke pasur parasysh idenë se do të ishte më e përshtatshme për gratë të trajtoheshin nga mjeke gra. Studentet femra filluan të pranohen në Shkollën e Mjekësisë në vitin 1922, pothuajse një shekull pas themelimit të këtij institucioni. Pranimi në këtë institucion gjatë viteve kur Stambolli ishte i pushtuar doli se ishte një eksperiencë e dhimbshme. Megjithëse profesioni i mamisë ishte konsideruar gjithnjë si një profesion i përshtatshëm për gra dhe profesioni i infermieres konsiderohej si një shërbim natyral për gratë, në kundërshtim me shembujt e dhënë përgjatë shekujve, ashtu siç e vumë re, ndodhi që mjekësia si profesion nuk konsiderohej më e përshtatshme për punësimin e grave në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX.

Udhëheqësit turq të lëvizjeve feministe arritën të fitonin këtë të drejtë për gratë pas një lufte të gjatë dhe të ashpër duke përdorur masmedian kundër anëtarëve meshkuj të fakultetit në Shkollën e Mjekësisë. Përfshirja e parë e gjashtë studenteve gra në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Stambollit u realizua në vitin 1922. Ky pranim ishte në fakt një konfirmim zyrtar i shërbimit të grave dhe punësimit të tyre bazuar mbi trajnimin e rregullt në fushën e shëndetësisë, megjithëse praktikantet femra të mjekësisë kishin ekzistuar gjatë gjithë periudhës së Sundimit Osman.

 

Shënim i autorit:

Ky material u publikua për herë të parë nga prof. Nil Sari në librin ”The New History of Medicine Studies”, 2-3, Stamboll, 1996-97, f. 11-64.

http://www.muslimheritage.com/topics/default.cfm?ArticleID=1086

 

Referencat:

“Altintas, A., “Türk Hemsireliginin Baslangici”. Saglik Alaninda Türk Kadini, edited by N. Yildirim. Istanbul: Novartis, 1998, pp. 373-87.”

“Araz, N., Egitimi Savasinin Öncüsü Aziz haydar hanim. Published by Milliyet, 31 July 1988.”

“Kum, E, Velioglu P., “Temel Hemsirelik Egitimi Programina iliskinlke ve Standartlar”. Türk Hemsireler Dergisi, 1981, 31: pp. 1:3-7.”

“Erhan Sentürk, E., Hemsirelik Tarihi. Istannbul: Divan Printing Press, 1978: 105.”

“Özaydin, Z. “The Foundation of the Ottoman Red Crescent Society According to its Yearbook Sâlnâme”. History of Medicine Studies, Istanbul, 1990: 4: pp. 70-89.”

“Özaydin, Zuhal, Start of Nursing in Turkey and Samples from its Development in the Last Thirty Years.”

“Özaydin, Z., “An Outstanding Pionneer in Turkish Nursing Prof.Dr.Perihan Velioglu”. Hemsirelik Forumu 1998; 1:2: pp. 59-64.”

“Özbay, K., Türk Asker Hekimligi ve Asker Hastaneleri. Istanbul: Yörük Printing Press, 1976: 1: p. 99.”

“Sari, N., “Women Dealing with Health during the Ottoman Reign”. The New History of Medicine Studies, Istanbul, 1996: 2-3: pp. 11-64.”

“Sari, N, Özaydin Z. “Ottoman Ladies and the Red Crescent”. Sendrom, Mach 1992; 4:3: pp. 66-78.”

“Sari,N, Özaydin Z. “Dr.Besim Ömer Pasha and Nurse Education”. Sendrom, April 1992; 4:4: pp. 10-8.”

“Sari, N, Özaydin Z. “Dr. Besim Ömer Pasha and Nurse Education II”. Sendrom, May 1992; 4:5:72-80.”

“Sari, N, Özaydin Z., “Social Responses to Female Nurses in the Ottoman Society”. Sendrom, August 1992; 4:8: pp. 6-15.”

“Sesen, R., “Some Remarks on the Medical Profession at the Early Period of Islam”. The Neë History of Medicine Studies, Istanbul, 1996: 2-3:65-70.”

“Toros, T., “Aydin Kalburüstü Pek Çok Hanim Fahri Hemsireligi Kosmustu”. Yakin Tarihimiz, Published by Milliyet, 393-5.”

“Toros, T., “The First Turkish Nurse Safiye Hüseyin Elbi”. Skylife, 144: 54-60.”

“Tüzün, R., “Hemsirelik Egitiminin Tarihi Gelisimi ve Temel ilkeleri”. Türk Hemsireler Dergisi 1978; 28:2: pp.13-24.”

“Velioglu, P., “Hemsirelikte Liderlik”. Hemsirelik Üstüne Düsünceler, Istanbul: Lâtin Printing Press, 1977: pp. 83-7.”

“Velioglu, P., “Çagdas Hemsirelik Egitimi Üstüne Düsünceler”. Hemsireler Dergisi, July 1961; 3:3: pp. 3-7.”

“Velioglu, P., Hemsirelikte Bilimsellesmeye Dogru. Istanbul: Bozok Printing Press, 1985: pp. 3-7.”

“Velioglu, P., “Hemsireligin Son Kirk Yil içindeki Gelisiminin Dokuz Kilometre Tasi”. Hemsirelik Bülteni 1993; VII:29: pp. 1-5.”

“Velioglu, P., “Saglik Sorunlarimiz ve Hastaneler”. Hemsirelik Üstüne Düsünceler, pp. 119-25.”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit