0.3 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Grabitja në Rinas nuk tregon gjë, pas-grabitja tregon gjithçka

Më të lexuarat

Fitim Zekthi

Grabitja e një sasie prej disa milionë eurosh, në një avion të mbushur me pasagjerë që po bëhej gati të flutoronte për në Vienë në pistën e aeroportit të Rinasit, është thjesht një gjë e pamendueshme. Nuk do të kishte mendje normale gazetari, politikani, eksperti të çështjeve të sigurisë, juristi, oficeri apo ish oficeri, gjenerali, ish-gjenerali në botë etj., që të mos tronditej në qoftë se do të ndodhte kjo në Romë, Milano, Athinë, Frankfurt apo edhe në Rio de Janeiro, Medelin, La Paz etj.

Një grabitje e tillë para syve të të gjithëve, në mes të ditës, në mes të botës, padyshim që tregon se tërë kohorta e atyre që merren me garantimin e sigurisë në aeroportin e vetëm të Shqipërisë ka dështuar. Për më tepër kjo ndodh për herë të dytë.

Është e qartë se policia ka dështuar. Është e qartë se strukturat e luftës kundër krimit, që të gjitha, kanë dështuar. Do të duhej një dështim spektakolar, në zinxhir, i këtyre institucioneve që të ndodhte ajo grabitje spektakolare. Megjithatë, dështime të strukturave të çështjeve të sigurisë mund të ndodhin. Ka patur raste të tilla dështimesh (jo grabitje si kjo, por gjëra gjithsesi të rënda), edhe në vende të tjera.

Më e rënda te ngjarja e Rinasit është pas-grabitja. Pas-grabitja tregon më shumë se sa grabitja. Pas-grabitja tregon një krizë organike të gjithanshme të institucioneve të vendit.

Pasi ndodhi ngjarja, policia tha se u vra një nga grabitësit nga policia. Me këtë policia kërkonte të tregonte se ajo kishte reaguar fort, kishte goditur krimin. Më vonë ministri Lleshaj, në mënyrë qesharake, tha se banda u shkatërrua dhe iu hakërrye opozitës dhe të gjithë atyre që flisnin për dështim. Ministri Lleshaj, me deklaratën për shkatërrim të bandës, tejkaloi veten. Ai shkoi përtej deklaratave të deritanishme mbi largimin e policëve barkmëdhenj nga semaforët, për mosdaljen e punonjësve gjatë orarit zyrtar në kafe, për mosgjetjen e denoncuesit të një rasti abuzimi seksual në Shkodër, për nevojën e gjetjes dhe hetimit të atyre që infomojnë qytetarin dixhital të Sali Berishës etj.

Më pas, qeveria shqiptare, ministri Lleshaj dhe ministrja Balluku thanë se fajin për grabitjen nuk e ka qeveria, por e ka kompania që menaxhon aeroportin, një kompani kineze. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se ata përshëndesin policinë për regaimin e shpejtë, për vrasjen e një grabitësi dhe për plagosjen e një tjetri.

Pra, deri më tani nuk kemi ndonjë ngjarje të rëndë që ka shkatërruar sigurinë ose dëshmon shkatërrimin e sigurisë, por kemi një ngjarje kriminale në të cilën qeveria nuk ka përgjegjësi, por gjithsesi policia ka reaguar shumë mirë.

Megjithatë, ministrja e Mbrojtjes dërgoi trupat e ushtrisë të rrethojnë aeroportin. Pamjet e ushtrisë që kontrollon perimetrin e aeroportit u shfaqën gjithandej.

Përjashtuar debatin nëse është apo ajo kushtetues dërgimi i ushtrisë (debat i madh më vete) kjo është pak a shumë pas-grabitja. Pas-grabitja është e gjitha një paradoks.

Ta nisim nga fundi. Pse duhet dërguar ushtria në qoftë se siguria nuk është shkatërruar, në qoftë se policia dhe qeveria nuk kanë ndonjë përgjegjësi dhe, në qoftë se reagimi i policisë ka qenë i mirë. Çfarë do të bëjë ushtria duke rrethuar aeroportin?

Ushtria u dërgua për propagandë. Ushtria u dërgua për të treguar se qeveria shqiptare nuk të fal, se kryeministri Rama nuk toleron kurrë që të grabiten paratë apo pronat dhe që të cënohet siguria e askujt. Ushtria u dërgua për të treguar se vend ka një kryeministër të fortë, të përgjegjshëm, që bën gjithçka për njerëzit, që i mbron ata me gjithçka. Ushtria u dërgua edhe për të futur një element tjetër në debat dhe për të shmangur debatin nga përgjegjësia e qeverisë dhe e policisë.

Ushtria nuk u dërgua se në Rinas ekziston një rrezik që mund të ndalohet me ushtri. Ushtria nuk u dërgua se ka informacione sekrete që banda do të rikthehet (a tha Lleshaj ‘u shkatërrua banda’?) të bëjë një vjedhje tjetër spektakolare dhe këtë herë ushtria atë do ta ndalojë.

Një paradoks tjetër është fajësimi i kompanisë kineze që menaxhon aeroportin. Edhe sikur kompania kineze që menaxhon aeroportin të jetë përgjegjëse direkte, madje edhe sikur ajo vetë të ketë punësuar bandën për të bërë grabitjen, përgjegjësia është tërësisht mbi qeverinë shqiptare.

Në një demokraci njerëzit votojnë dhe ia delegojnë pushtetin, për të mbrojtur pronën private dhe publike nga grabitja, për të mbrojtur jetën nga vrasja, për të mbrojtur rendin dhe paqen, vetëm qeverisë. Kur ndodh që prishet paqja apo që vriten njerëz, që grabiten prona apo plagosen qytetarë, që vidhen para etj., është përgjegjëse vetëm qeveria, sepse ka detyrën t’i mbrojë ato. Qeveri mund të zgjedhë t’i mbrojë duke ia dhënë këtë detyrë kinezëve apo gjermanëve, kompanive private apo apo agjentëve të ndryshëm, qofshin këta njerëz apo alienë (alienët nuk i lejon ligji sot, por qeveria mund ta ndryshojë ligjin). Çdo dështim është përgjegjësi e qeverisë. Përpara njerëzve jep llogari qeveria dhe jo kinezët apo alienët.

Paradokset e tjera kanë të bëjnë me faktin që qeveria mendon se shkatërroi bandën. Pra, e quan këtë sukses. Edhe sikur banda të jetë shkatërruar, përsëri dështimi është i plotë. Hynë në aeroport, morën avionin, e grabitën atë në mes të ditës.

Detyra e qeverisë nuk është të vrasë një nga grabitësit, apo edhe të gjithë grabitësit, por të mos i lejojë ata të grabisin, detyra e qeverisë nuk është të kapë trafikantët e drogës, pasi këta kanë trafikuar tonelata drogë dhe pasi kanë bërë dëmin duke korruptuar institucionet dhe shkatërruar rininë, detyra e qeverisë nuk është të vrasë një terrorist që ka hedhur bomba, por të mos e lejojë aktin të ndodhë etj.

Tërë paradokset e pas-grabitjes kanë të bëjnë me faktin që qeveria nuk mban përgjegjësi, nuk kërkon të mbajë asnjë përgjegjësi.

Kryeministri Rama, me dhjetëra herë në këto vite, ka thënë se “..ne kemi bërë gabime.. do të donim të kishim bërë më mirë…”, por ai kurrë nuk ka folur për një përgjegjësi konkrete. Në një demokraci përgjegjësia është e drejtpërdrejtë dhe konkrete. Kur një qeveritar mban përgjegjësi në përgjithësi, siç bën Rama, atëherë ai po i shmanget keqas përgjegjësisë.

Këtë Rama e bën në dy mënyra. E para është fajësimi i egër i kundërshtarit, i opozitës. Nuk ka fjalim apo komunikim publik të kryeminstrit, por edhe të ministrit Lleshaj tashmë (si Tahiri dikur) që të mos fajësohet PD-ja dhe opozita në tërësi. Fajësohen po ashtu edhe të gjithë ata që e kritikojnë. Gazetarë dhe media.

Mënyra e dytë për të mos mbajtur përgjegjësi është ajo që thamë më lart. Rama flet në përgjithësi për gabime, por kurrë por gjëra konkrete dhe për përgjegjësi individuale.

Demokracia është një sistem i mbështetur plotësisht mbi llogaridhënien. Llogaridhënia ka ardhur si një vlerë e feve abrahamike dhe në zemër të saj ka faljen. Falja, sakrifica, pendimi janë akte parësore në këto fe. Njerëzit mund t’i falin ata që i kanë lënduar, ata që kanë bërë një dëm apo edhe një krim, kur ata e pranojnë atë që kanë bërë. Ata nuk thonë thjesht “po e bëra këtë gjë”, por pendohen dhe përpiqen ta rregullojnë dëmin, të kompensojnë njerëzit që u dëmtuan, mbajnë përgjegjësi direkte.

Llogaridhënia në zyrat publike është pikërisht një manifestim i kësaj kulture të trashëguar nga feja, të cilën demokracia e ka brendësuar si një element themelor të sajin. Kjo kulturë e domodoshme në demokraci çon në dorëheqje të zyrtarëve dhe në zhveshjen nga pushteti.

Pas-ngjarja e Rinasit tregon se qeveria nuk ka asnjë mundësi të mbajë përgjegjësi. Sigurisht që ministri Lleshaj duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Sigurisht që ministrja Balluku duhet të kishte dhënë ndorëheqjen. Imagjinoni të rrinte në detyrë sekretari i Brendshëm në Britani po të ndodhte kjo e Rinasit. Atje dha dorëheqjen, janarin e vjetshëm, Lordi Bates, ministër për Zhvillimin, sepse nuk iu përgjigj në kohë pyetjeve të Dhomës së Lordëve. Por, edhe po të ndodhte kjo që ndodhi në Rinas, në Berlin apo Helsinki, sigurisht që do të kishte dorëheqje të forta.

Ka dy arsye pse qeveria dhe kryeministri nuk çojnë në mend dorëheqjen e Lleshajt apo të Ballukut. Njëra është moskuptimi i faktit që qeveria ka përgjegjësi, moskuptimi i faktit që kinezët janë thjesht të punësuar të qeverisë, e cila është punësuar nga njerëzit. Po të jetë kështu qeveria vërtet nuk ka faj, por duhet menjëherë të zhduket sepse nuk kupton detyrën e saj. Arsyeja e dytë është se qeveria është shkaku themelor i dështimit marramendës të sigurisë, i krizës organike të institucioneve dhe strukturave që duhet të sigurojnë aeroportin, dhe ky shkak nuk lidhet me paaftësinë, por me korrupsionin. Kur njeriu ose institucioni korruptohet me vetëdije atëherë ai e ka të vështirë të tërhiqet.

Me këtë njeri ose instituciuon nis dhe ndodh një proces i ngadaltë kalbëzimi derisa sa ai të dalë plotësisht nga funksionet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit