4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Grabisin nënën e shokut që jetonte e vetme

Më të lexuarat

Grabisin dhe dhunojnë nënën e shokut në mes të natës në shtëpinë e saj, arrestohen pas pak orësh dhe e pranojnë krimin e kryer. Ngjarja ka ndodhur dje në mëngjes rreth orës 04:00, në lagjen “15 Tetorit” të qytetit të Fierit, kur e moshuara 60-vjeçare D.T., ka qenë e vetme duke fjetur në shtëpi.

Tre autorët e grabitjes kanë përdorur tubat e shkarkimit të ujërave të shiut për të arritur deri në ballkonin e katit të tretë të pallatit ku banon 60-vjeçarja. Ata kanë zgjedhur orën 04:00 të mëngjesit për të vënë në jetë planin e tyre. Pasi janë futur në banesë nga dera e ballkonit që e kanë shqyer, pa e ndezur dritën, ata e kanë dhunuar dhe kërcënuar të moshuarën që të tregojë se ku i mbante paratë. E ndodhur nën ushtrimin e dhunës fizike dhe presionit psikologjik, 60-vjeçarja ka pranuar t’u japë gjithë të hollat që ka pasur në shtëpi, ndërsa autorët nuk kanë lënë pa marrë as bizhuteritë që kanë gjetur. Ata kanë gjetur dhe kanë marrë me vete 5 mijë dollarë amerikanë dhe kanadezë, 200 euro dhe 1.700.000 lekë. Grabitjen tre të rinjtë e kanë kryer në errësirë, dhe janë orientuar në lëvizjet e tyre me dritën e aparateve celularë.

Të arrestuarit

Pas denoncimit të kryer nga e dëmtuara, policia ka nisur hetimin për identifikimin e autorëve. Pas informacioneve të marra në rrugë operative, pak orë pas ngjarjes policia ka identifikuar si autorë të dyshuar tre të rinjtë nga qyteti i Fierit, Ermal Bilimani, 32 vjeç, Elvir Kananaj, 23 vjeç, Ermal Likuria, 25 vjeç. Gjatë operacionit të koduar “Mesnata” për arrestimin e tyre, policia u ka gjetur të ndaluarve shumën e parave dhe bizhuteritë, që janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale. Tre të rinjtë u ndaluan për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 139 dhe 25 i Kodit Penal. Gjatë marrjes në pyetje, tre të ndaluarit kanë pranuar autorësinë e krimit, duke shpjeguar edhe detajet e grabitjes.

Hetimi

Brenda pak orësh, policia ka arritur të identifikojë autorët, falë një pune intensive operative. Për shkak se djali i së moshuarës që jeton dhe punon jashtë prej vitesh në Itali i kishte dërguar pak kohë më parë një sasi të konsiderueshme parash së ëmës, policia ka dyshuar se autorët kanë pasur dijeni mbi këtë fakt. Gjithashtu, është dyshuar se autorët kanë pasur dijeni edhe që paratë ndodheshin në shtëpi dhe jo të depozituara në bankë, pohuan burime të bluve. Pas verifikimit të personave që dyshohej se mund të kishin dijeni mbi dërgesën e parave, policia ka identifikuar autorët, që rezultojnë të jenë pjesë e rrethit shoqëror të djalit të së moshuarës.

Pas prangosjes tre të ndaluarit kanë pranuar se kishin pasur dijeni për dërgesën e parave dhe se e kishin kryer gjithçka me paramendim

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit