Gallery Go është aplikacion i ri i kompanisë Google, i dizajnuar për t’ua mundësuar përdoruesve me lidhje jostabile të internetit që t’i organizojnë dhe përpunojnë fotot e tyre, raporton The Verge.
Ashtu si aplikacioni standard i Google Photos, Gallery Go e përdor të mësuarit e makinës për t’i organizuar fotot. Dallimi është se aplikacioni i ri është krijuar për punë offline dhe i zë vetëm 10MB hapësirë në telefon.
Gallery Go paraqet edhe një version të reduktuar të aplikacioneve, të cilat kompanitë i publikojnë për tregjet në zhvillim. Facebooku e ka versionin “Lite” të aplikacionit të vet Facebook, si dhe Messenger dhe Instagram, ndërsa Twitteri e ka aplikacionin Twitter Lite.
Google ka bërë diçka të ngjashme në nivelin e sistemit operativ, me versionin Android Go, që paraqet sistemin operativ më të reduktuar, i cili është dizajnuar për të punuar në telefona më të lirë që nuk kanë fuqi të madhe procesorike.
Aplikacioni i ri Gallery Go është në dispozicion për shkarkim nëpërmjet Play Store, ndërsa për ekzekutimin e tij nevojitet pajisje me Android 8.1 Oreo ose ndonjë sistem më të ri operativ./koha.net