Kompania Google i ka prezantuar telefonat e vet premium për vitin 2019, ndërsa Pixel 4 dhe Pixel 4 XL paraqesin vizionin aktual të kompanisë për telefonin e përsosur Android. Karakteristikat kryesore të dy modeleve janë ekranet 90Hz dhe kamerat e dyfishta në anën e pasme. Ekranet janë praktikisht e vetmja gjë madhore që i ndan dy telefonat për nga specifikimet, raporton GSMArena.
Pixel 4 vjen me një panel 5.7 inçësh OLED me rezolucion 1080p+, ndërsa Pixel 4 XL vjen me një ekran më të madh dhe më të mprehtë OLED 6.3 inçësh në rezolucion QHD+. Në të dy rastet, raporti i faqeve është 19:9, ndërsa në ekrane nuk ka prerje dhe interfejse të ndërlikuara të përdoruesit. Smooth Display i ri ka rifreskim prej 90Hz. Për ta kursyer baterinë, ekrani punon në 60Hz kur në të nuk ndodh asgjë kërkuese. Ekranet kanë mbështetje HDR dhe modin Always On.
Pixel 4 XL është i pajisur me të njëjtin sistem kamerash si modeli më i vogël Pixel 4. Sensori kryesor prej 12MP ka autofokus Dual Pixel, ndërsa kjo kamerë ka stabilizim optik dhe elektronik të fotografisë, si dhe madhësi të pikselëve prej 1. 4µm dhe hapje të thjerrëzës prej f/1.7. Ndikimin më të madh në cilësinë e fotografisë do ta ketë Pixel Neural Core i ri dhe algoritmet e Google. Me Pixel Neural Core të ri, aplikacioni i kamerës mund ta renderojë HDR+ në kohë reale, duke e shfaqur një rezultat të përafërt në viewfinder. Kjo do të ndihmojë në konfigurimin e duhur të ekspozimit.
Kamera telefoto është një risi për brendin Pixel, dhe e ka një sensor prej 16MP (1.0 μm) me mbështetje OIS dhe EIS. Softueri Super Resolution Zoom do të mundësojë që gjatësia fokale të rritet përtej zoomit 2x, ndërkohë që ofrohet edhe renderimi i përmirësuar për bokeh. Kamera kryesore mund të xhirojë video në 4K 30fps dhe 120fps slow-motion @1080p. Në anën e pasme është edhe moduli i tretë, por ai nuk është kamerë por spektral + flicker sensor.
Kur bëhet fjalë për kamerën e përparme, telefonat Pixel 4 vijnë me kamerë selfie 8MP, ndërsa ajo që e veçon është depth sensori 3D, i cili përdoret për zhbllokim të sigurtë përgjatë linjave të fytyrës (telefonat nuk kanë sensor për gjurmë gishtash), si dhe opsioni i efekteve bokeh për selfie.
Në pjesën e përparme, sipër ekranit, ndodhet edhe radari Soli, i cili përdoret për përcjelljen e gjesteve me duar, por nuk do të jetë në dispozicion në vendet e caktuara, shkruan KOHA Ditore. Soli mund të përdoret për t’i kontrolluar njoftimet, për t’i ndërruar këngët. Për veprimet më komplekse, është komanda “Hey, Google”. Active Edge do të kthehet, ndërsa përdoruesi me anë të shtrëngimit të telefonit mund t’i inicojë disa veprime.
Kapacitetet e baterisë janë gjithashtu mjaft të ndryshme në telefona. Pixel 4 vjen me një bateri të vogël prej 2800mAh, ndërsa Pixel 4 XL vjen me bateri prej 3700mAh. Në të dyja rastet ofrohet mbushja e shpejtë 18W USB Power Delivery dhe mbushësi shoqërues. Gjithashtu mund të përdoret mbushësi pa tel Qi, i cili e aktivizon Ambient Mode, i cili e shndërron telefonin në ekran të mençur.
Telefonat e kanë çipsetin Snapdragon 855 (versioni standard), në kombinim me 6 GB RAM. Modelet bazë do t’i kenë 64 GB hapësirë për ruajtje, ndërsa ekziston edhe opsioni prej 128 GB. Nuk ekziston slloti për microSD, dhe as ndonjë sllot për kartela sekondare. Në vend të kësaj, ofrohet kombinimi i zakonshëm i nano-SIM dhe eSIM.
Telefonat Pixel 4 e kanë një kornizë alumini me një finish mat. Pjesa e pasme prej xhamit vjen në tre ngjyra të ndryshme: Just Black, Clearly White dhe Oh So Orange. Sistemi katror i kamerave në anën e pasme është gjithmonë me ngjyrë të zezë, siç është edhe korniza metalike.
Telefonat kanë certifikatë IP68 për rezistencë ndaj ujit dhe qëndrueshmëri të shtuar, dhe janë të pajisur me altoparlantë stereo.
Linja e telefonave Google Pixel 4 do të jetë në dispozicion në Evropë dhe SHBA nga 24 tetori, ndërsa në parashitjet janë në dispozicion me çmime prej 800 dollarë për 64 GB Pixel 4 dhe 900 dollarë për 64 GB Pixel 4 XL. Modelet me hapësirë për ruajtje prej 128 GB kushtojnë 100 dollarë më shumë.