3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Gjysmëhënia e Kuqe, Fondacioni Diyanet kanë vazhduar përpjekjet për të ndihmuar refugjatët Rohingya në Bangladesh

Më të lexuarat

Institucionet turke mbeten kryesuese në ofrimin e ndihmës për refugjatët Rohingya, të cilët u larguan nga Mianmari në drejtim të qytetit Cox’s Bazaar në Bangladeshin juglindor pas një dhune ushtarake brutale që shpërtheu më 25 gusht të vitit të kaluar.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë, Fondacioni Diyanet (TDV) dhe Drejtoria për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) kanë dhënë kontribut të madh për të ndihmuar muslimanët e përndjekur të Arakanit, duke përfshirë ofrimin e ushqimeve të përditshme, strehimoret, kujdesin shëndetësor dhe arsimin e dhjetëra mijëra njerëzve.

Koordinatori i TIKA-s në Bangladesh, Ahmet Refik Çetinkaya, tha se agjencia ka ofruar ndihmë për muslimanët Rohingya që nga 7 shtatori i vitit të kaluar, duke filluar me 60 tonë ndihma ushqimore emergjente.

Çetinkaya tha se rreth një milion Rohingya jetojnë në Bangladesh, prej të cilëve 706.000 kanë kërkuar strehim vetëm në Cox’s Bazaar që nga sulmi i gushtit të vitit 2017. Rreth 300.000 vendas gjithashtu kanë kërkuar ndihmë pas migrimeve të muslimanëve të Arakanit, shtoi ai.

– 10 milionë ushqime të nxehta

Çetinkaya tha se shpërndarja e ushqimeve të nxehta “përbën shtyllën kurrizore” të aktiviteteve të tyre humanitare.

“Tashmë një vit, ne kemi ofruar dhjetë milionë ushqime të nxehta”, theksoi Çetinkaya, duke shtuar se rreth 25.000-30.000 njerëz përfitojnë nga ushqimet e përditshme.

“Ne gjithashtu punësojmë 120 njerëz. Gjysma e tyre janë nga Bangladeshi dhe gjysma tjetër janë Rohingya”, tha ai.

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) gjithashtu shpërndan ushqime për refugjatët në rajon, duke u dhënë atyre oriz, vaj dhe thjerrëza; megjithatë, ngrënia e orizit në baza të përditshme nuk ofron të gjitha materiet e nevojshme ushqyese, sidomos për fëmijët, shtoi ai.

Nga ana tjetër, ushqimi i përditshëm i TIKA-s është i njohur të jetë më i shëndetshëm, pasi përfshin mish të kuq dhe mish pule, duke i plotësuar nevojat e refugjatëve për proteina.

Përveç TIKA-s, Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë gjithashtu ka ofruar ushqime të nxehta për 41.030 familje refugjate të komunitetit Rohingya në Cox’s Bazaar.

Ajo gjithashtu ka siguruar pako me ndihma ushqimore për 50.744 familje, pako ushqimore speciale të Ramazanit për 11.350 familje dhe 11.350 kuti me perime dhe frutash, tha Gjysmëhëna e Kuqe Turke për Anadolu Agency (AA).

Në mënyrë të njëjtë, Fondacioni Diyanet i Turqisë (TDV) gjithashtu shpërndau 15.000 paketa me ndihma ushqimore për refugjatët Rohingya në Cox’s Bazaar, treguan të dhënat që fondacioni i ndau me AA.

– Infrastruktura, ndërtimi i spitaleve

Çetinkaya tha se TIKA ka ofruar gjashtë autoambulanca për spitalet, duke themeluar po ashtu një shesh lojërash dhe duke shpërndarë 10.000 batanije.

Ai tha se TIKA është duke ndërtuar gjithashtu një urë prej çeliku prej 100 metrash në zonë, që do të ndihmonte në shpërndarjen e ndihmave në kamp.

Ndërkohë, Gjysmëhëna e Kuqe Turke tha se ka ndërtuar 200 strehimore, një qendër të komunitetit, 63 banjo, dy lavanderi, katër sisteme me energji diellore, gjashtë sisteme të shpërndarjes së ujit dhe 48 shtylla ndriçimi.

Strehimoret ofrojnë strehim për 26.132 familje, prej të cilave, afro 5.000 familjeve iu janë dhanë edhe rroba. Janë ndërtuar edhe puse me pesë tuba për të siguruar ujë për 12.500 njerëz në ditë.

Ndërkaq, TDV njoftoi se ka ndërtuar 450 strehimore me drunj bambu për refugjatët Rohingya në kampin Kutupalong në Cox’s Bazaar dhe ka në plan të ndërtojë 150 strehimore të tjera. Gjithashtu, TDV ndërtoi edhe nëntë puse, pesë xhami, katër ura bambuje dhe 4.538 sisteme ndriçimi diellor.

Fondacioni po ashtu siguroi 4.000 paketa me veshje, 6.500 paketa pastrimi, 7.500 paketa me enë gatimi dhe 300 tenda.

Nga ana tjetër, AFAD ka ndërtuar 1.065 shtëpi bambuje, 100 tualete, 100 njësi banjash dhe gjashtë puse për refugjatët. Kjo drejtori ka ndërtuar edhe një spital fushor në koordinim me Ministrinë turke të Shëndetësisë, e cila filloi punën më 25 janar. Deri më 20 gusht të këtij viti, në spital janë kryer 90.153 trajtime, përfshirë edhe 522 operacione mjekësore.

– Shkolla dhe bursa për studentët

Çetinkaya tha se TIKA ka filluar një projekt për të ndërtuar 100 shkolla gjysmë të përhershme me UNICEF-in duke përdorur beton dhe bambu. Deri më tani, 30 janë përfunduar.

Fondacioni Diyanet ka gjithashtu një qendër arsimore dhe një qendër trajnimi të qendisjes për nevojat në zonën e kampit.

Fondacioni ofron mbështetje për studentët Rohingya që studiojnë në vende të ndryshme. Ai mbuloi të gjitha shpenzimet e 110 studentëve Rohingya që studiojnë në departamente të ndryshme të Universitetit Islamik Ndërkombëtar Chittagong në Bangladesh.

Po ashu, fondacioni mbulon të gjitha shpenzimet e 16 studentëve Rohingya që studiojnë në Universitetin Ndërkombëtar Islamik të Malajzisë.

Ai ka mbështetur edhe 3.700 studentë Rohingya në 100 qendra arsimore në qytetin Karaçi të Pakistanit, ndërsa 11 nxënës janë duke studiuar në një shkollë të mesme në Turqi nën programin e bursave të fondacionit.

Që nga 25 gushti i vitit 2017, më shumë se 24.000 muslimanë të Arakanit janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit, ka njoftuar Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Ontarios (OIDA) përmes një raporti, pasi shifra e mëparshme e Mjekëve pa Kufij ishte 9.400.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750.000 refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën përdorimin e dhunës ndaj komunitetit pakicë muslimanë.

Rohingya cilësohet nga OKB si komuniteti më i përndjekur në botë.

OKB ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë vrasjen e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të kryera nga forcat shtetërore të Mianmarit. Në raportin e saj, hetuesit e OKB-së kanë thënë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit