Gjykimi i pyetjes së magjistarëve dhe mashtruesve
Pyetja: Në disa zona të Jemenit ekzistojnë disa njerëz, të cilët quhen “zotërinjtë”. Këta njerëz kryejnë veprime që bien në ndesh me fenë, si për shembull: fall, magji; pretendojnë se mund të shërojnë njerëzit nga sëmundje të rënda dhe e argumentojnë këtë duke shpuar pjesë të trupit të tyre me thika, apo duke prerë gjuhën dhe duke e rikthyer në gjendjen e saj të mëparshme pa asnjë dëm. Ka prej tyre që hedhin fall dhe ka nga ta që nuk hedhin fall. Kur luten për të sëmurët thonë: “O Allah… O filan”, e duke thirrur ndonjë nga gjyshërit e tyre. Në kohët e mëparshme njerëzit i madhëronin ata dhe i konsideronin të “jashtëzakonshëm”, “të afërmit e Allahut”, madje i quanin “njerëzit e Allahut”, ndërsa në kohët e sotme njerëzit janë ndarë në dy grupe: njëra palë përbëhet nga të rinjtë dhe individë të shkolluar, të cilët i kundërshtojnë, ndërsa pala tjetër vazhdon t’i madhërojnë, ashtu si më parë, e kjo palë kuptohet që përfshin të moshuarit dhe të pashkolluarit. Kërkojmë nga hirësia juaj të na e sqaroni të vërtetën rreth kësaj.
Përgjigje: Ata që përshkruat më sipër, me siguri janë sufitë, të cilët bëjnë vepra të urryera dhe të kota. Po ashtu, ata janë edhe fallxhorë, edhe parashikues të së ardhmes, për të cilët Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush shkon tek parashikuesi i së ardhmes dhe e pyet për ndonjë gjë, atij besimtari nuk i pranohet namazi për 40 ditë.” Kjo vjen për shkak se ata i adhurojnë xhindët dhe u shërbejnë atyre dhe mashtrimi që u bëjnë njerëzve, me anë të përdorimit të llojeve të ndryshme të magjisë, për të cilën Allahu ka thënë në historinë e Musait dhe Faraonit, kur Musai u përgjigj:
“Hidhni ju!”- u përgjigj ai. Kur magjistarët hodhën shkopinjtë e tyre, i magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe shfaqën një magji të madhe.” (Araf: 116)
Nuk lejohet frekuentimi i atyre njerëzve dhe as t’i pyesësh ata, sepse Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush shkon tek fallxhori dhe i beson fjalëve të tij, e ka mohuar atë që i është zbritur Muhamedit.”
Për sa i përket lutjes që ata i bëjnë dikujt tjetër përveç Allahut, kërkimit të ndihmës nga dikush tjetër përveç Allahut, të pretenduarit e tyre se baballarët dhe të parët e tyre kanë ndikim mbi lëvizjet e gjithësisë, ose se shërojnë të sëmurët, ose u përgjigjen lutjeve që u bëhen, megjithëse janë të vdekur, të gjitha këto përbëjnë kufr dhe mohim të Allahut, shirk të madh. Refuzimi i këtyre veprave dhe qortimi i personave që i kryejnë ato është detyrë, po ashtu konsiderohet detyrë që të mos shkohet tek ta, të mos i pyesim për asgjë, të mos u besojmë fjalëve të tyre, sepse në veprimet e tyre ka vepra të fallxhorëve, të parashikuesve të së ardhmes, të idhujtarëve, të cilët adhurojnë diçka, apo dikë tjetër përveç Allahut, të atyre që i kërkojnë ndihmë dikujt tjetër veç Allahut, qofshin ata xhindë, apo të vdekur nga baballarët e tyre, ose të tjerë persona, tek të cilët pretendohet se janë “eulija”, apo që bëjnë mrekulli, të gjitha këto konsiderohen prej veprave të fallit, të magjisë, të mashtrimit, të parashikimit, vepra të urryera në sheriatin e pastër.
Ndërsa për sa i përket disa veprimeve të urryera të tyre, si për shembull: dëmtimi i vetes me thika, apo prerja e gjuhës, etj., këto vepra i bëjnë për t’i mashtruar njerëzit. Këto veprime janë lloje të ndryshme të magjisë, e cila është e ndaluar në tekstet e Kuranit dhe Sunetit. Nuk i takon njeriut të logjikshëm që të mashtrohet nga veprime të tilla, sepse këto janë njësoj si ajo për të cilën Allahu na tregoi në lidhje me magjistarët e Faraonit:
“Ai tha: “Jo, hidhni ju!” Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre.” (Taha: 66).
Ata njerëz kanë bashkuar në veprimet e tyre mes shumë gjërave: magji, mashtrim, fall, shirk të madh, kërkim të ndihmës dikujt tjetër veç Allahut, pretendim të njohjes së të fshehtës, ndikim në lëvizjet e gjithësisë; të gjitha këto konsiderohen shirk i madh, kufr (mohim) i qartë dhe mashtrim, vepra që Allahu i ka ndaluar. Allahu thotë, duke bërë të qartë se askush nuk mund ta dijë të fshehtën përveç Tij:
“Thuaj: “Askush, përveç Allahut, në qiell apo në Tokë, nuk i di të fshehtat dhe askush nuk do ta dijë se kur do të ringjallet.” (Neml: 65).
Çdokush që njeh persona të tillë e ka për detyrë t’i qortojë, t’ua bëjë të qartë poshtërsinë e veprave të tyre të urryera dhe në rast se ndodhet në vende Islame, atëherë le t’i denoncojë tek organet përkatëse, në mënyrë që ato të marrin përsipër dënimin e tyre ashtu siç e meritojnë me sheriat, me qëllim që të ruhen dhe shpëtojnë muslimanët nga sherri dhe mashtrimi i tyre. Allahu është Ai që jep sukses.
AbdulAziz bin Baz