0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Gjuha e drunjtë si kontroll pushteti

Më të lexuarat

AGIM BAÇI 

Të gjithë e dinë se pa fjalën nuk do të kishim komunikim, nuk do arrinim të shprehnim ndjesitë tona, nuk do arrinim të shënonim asgjë e as të lexonim se ç’kanë menduar të parët. Por, sërish, edhe pse të gjithë e dimë këtë fakt, pakkush kujdeset për gjuhën e komunikimit, për atë që arrin të fshehë apo të shfaqë gjuha. Për shkak të kësaj fuqie që ka gjuha, pushtetet janë përpjekur të kontrollojnë gjuhën e komunikimit, pasi në këtë mënyrë mund të kontrollojnë edhe mendimin. Diktaturat e kontrollojnë hapur gjuhën e përdorur në komunikimin publik, pasi as nuk e fshehin se janë të interesuara të dinë se ç’mendojnë qytetarët. Ndërkohë që në demokraci pushteti alternon herë ofertat dhe herë delegjitimimin e tjetrit, duke përdorur median.

Ndërkohë, dalja në skenë e së ashtuquajturës “Fake News” konsiderohet nga studiuesit e shkencave të komunikimit si rritje e fuqisë për të destabilizuar dhe mjegulluar edhe më shumë fuqinë e së vërtetës, duke bërë që njerëzit të topiten, t’u ikin dëshirave për të ditur të vërtetën, duke konsideruar pushtetin si “të gjithë të korruptuar”. Nga ky terr nis edhe e keqja që shoqëritë përgjithësisht i shkaktojnë vetes, pasi krijohet kaosi i mungesës së alternativave. Shumëkush mendon, kështu, se ndryshimi politik është i kotë, se kushdo që të vijë në pushtet, do bëjë të njëjtën gjë. “Fake News” i ka shtuar këtij mozaiku të errët gurin që peshon më shumë se çdo gjë tjetër në dekurajimin e përgjithshëm. Dhe të parët që janë të interesuar të ushqejnë publikun me “Fake News” janë vetë pushtetet, të cilët me anë të këtij komunikimi krijojnë hartën e njëllojtë të emocioneve negative, pa dallime, pa ngjyrime.

Imagjinata kolektive se “politika është e gjitha e korruptuar” tashmë ngjan si një realitet. Për këtë imagjinatë nuk nevojiten armët, por vetëm fjalët. Dhe fjalët duhet të jenë të kontrolluara, ashtu siç ndodh rëndom sot në shumë vende të botës. Për vende si Shqipëria, me të shkuar nën diktaturë, krijimi i imagjinatës kolektive duket edhe më i thjeshtë për shkak të mbetjes fort në këmbë të kulturës dhe historisë ideologjike të 45 viteve nën diktaturë, ku çdo gjë që thuhej e shkruhej komandohej nga ideologjia e diktaturës komuniste. Dhe, në botën e sotme të dëshirave pa mbarim, të një konsumimi pa fre, të shkundësh dikë nga bota e tij e iluzioneve dhe e manipulimit, është e vështirë. Shumë nuk dëshirojnë të zgjohen, por vijojnë të ëndërrojnë për një jetë pa telashe, sidomos pa telashe me pushtetin. Dhe i manipuluari, përgjithësisht, mbetet rob i iluzionit të tij, ndaj e ka shumë të vështirë të lëvizë nga injoranca, të lëvizë nga mashtrimi që ka para syve.

Sipas filozofit francez Calude Lefort, një shoqëri nuk mund të flasë për vlerën e demokracisë nëse nuk arrin të bëjë dallimin mes reales dhe imagjinares, mes së vërtetës dhe së pavërtetës, mes së drejtës dhe së padrejtës, mes së ligjshmes dhe së ndaluarës apo edhe mes normales dhe patologjikes. Sipas Lefort, dallimi i tyre na jep mundësinë të kuptojmë nëse jemi mes legjitimitetit apo ilegjitimitetit.

Por, dallimi i tyre është sot i vështirë për shkak se gjuha e spektaklit dhe e konsumit arrin të krijojë një manipulim të tillë të realitetit, sa asnjë përfundim nuk është i lehtë. Kjo, për faktin se manipulimi krijon një realitet të ri, ku asnjë derë për të dalë nuk është më e ndërtuar nga logjika, as nga krahasimi. Në një panoramë të tillë konsumizmi mbështet edhe më tej frikën nga humbja që rrok shumicën e qytetarëve, të cilët janë gati të bëjnë çdo kompromis për të ruajtur atë që kanë, atë që iu është dhënë, apo atë që kanë pasur mundësinë të rrëmbejnë gjatë pjesëmarrjes në qeverisje apo nga mbështetja e saj.

Për të ruajtur pushtetin mbi mënyrën e të menduarit, qeveritë kërkojnë përgjithësisht të përfshijnë në logjikën e tyre edhe shoqërinë civile. Hapi i parë për të arritur këtë përfshirje është vendosja sa më shpejt e besimit dhe e gjuhës fetare në periferi të jetës së përditshme. Duke vendosur, kështu, gjuhën fetare në periferi, pushteti i jep krahë arsyes që të marrë në dorë komunikimin, e njëkohësisht i jep udhë edhe uniformitetit që pushton më pas shumicën e komunikimit. Në këtë aspekt, gjuha magjike e besimit, gjuha që shpesh e bën njeriun të ruajë ekuilibra moralë, humbet terren dhe duket sikur i drejtohet një pjese të harruar të shoqërisë. Ose, edhe më keq, vetë pushteti – përmes zërit të shoqërisë civile – mundohet ta shtyjë drejt konservimit jo vetëm gjuhën e librave fetarë, por edhe vetë atë pjesë të shoqërisë që e praktikon dhe e komunikon.

Me izolimin e pjesës së shoqërisë që beson në Zot dhe dërgimin e saj në periferi të gjuhës që vijnë nga librat fetarë, kontrolli i mendimit (pra, kontrolli i shoqërisë), bëhet edhe më i thjeshtë, pasi shumica e qytetarëve joshen nga ideja se ata kanë të drejtë të arsyetojnë me atë çka shohin vetë. Kjo është edhe “parajsa e injorancës”, që është e vështirë të zhbëhet. Vetë ai që jeton në një botë të tillë e ka shumë të vështirë ta kuptojë kur manipulohet. Duhet patjetër që dikush të dijë, të guxojë t’ia thotë. Por si? Duke imituar atë që është në pushtet apo duke gjetur hapësirë tjetër komunikimi? Kjo është pikëpyetja e sotme që ka futur në qorrsokak shumicën e opozitave në shumë vende, çka ka sjellë edhe zhgënjimin e mjaft qytetarëve në botë me politikën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit