0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Gjonbalaj: Kosova mund të ketë kompani ajrore

Më të lexuarat

“Autoriteti i Aviacionit Civil është duke shqyrtuar një aplikacion për certifikatë të operimit ajror. Ata pretendojnë të regjistrohen si kompani ajrore e Kosovës.

Ky është një proces i gjatë dhe shumë kërkues, i kanë kaluar disa faza dhe prej tyre varet se sa do të jenë të suksesshëm për plotësimin e kushteve, të cilat janë shumë strikte, pasi sa herë që flitet për siguri, nuk ka fleksibilitet”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj.

RADIO EVROPA E LIRË: Zoti Gjonbalaj, Republika e Kosovës së fundi ka nënshkruar një marrëveshje bilaterale të transportit ajror me Emiratet e Bashkuara Arabe. Çka nënkupton kjo marrëveshje për Kosovën?

DRITAN GJONBALAJ: Delegacioni i Republikës së Kosovës, më 24 shtator, ka përfunduar me sukses negociatat me delegacionin e Emirateve të Bashkuara Arabe për dakordimin e tekstit për një marrëveshje bilaterale të transportit ajror.

Transporti ajror ndërkombëtar që nga miratimi i Konventës së Çikagos, rregullohet në parim dypalësh ndërmjet dy shteteve. Shtetet i negociojnë dispozitat dhe detajet që lidhen me transportin ajror dhe këto i formalizojnë me marrëveshje dypalëshe të transportit ajror. Është pikërisht kjo gjë që kemi bërë me delegacionin e Emirateve të Bashkuar Arabe, i cili ka qenë i udhëhequr nga drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Pra, kemi rënë dakord për tekstin e marrëveshjes bilaterale ndërmjet dy vendeve tona dhe e kemi përafruar këtë tekst. Përveç kësaj, kemi nënshkruar edhe një memorandum mirëkuptimi, me të cilin të dy palët janë dakorduar që dispozitat e marrëveshjes së përafruese të fillojnë të aplikohen menjëherë. Marrëveshja tash do të kalojë nëpër procedura qeveritare edhe në vendin tonë edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, deri në një moment të përshtatshëm protokollar kur do të nënshkruhet në nivel ministror.

Ndërkaq, përmes memorandumit të mirëkuptimit, marrim përsipër zbatimin e detyrimeve të tekstit të marrëveshjes. Me këtë është krijuar baza ligjore për fillimin e fluturimeve të drejtpërdrejta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

RADIO EVROPA E LIRË: Atëherë kjo marrëveshje do të mundësojë hapjen e tregut ajror të Kosovës me Emiratet e Bashkuara Arabe?
DRITAN GJONBALAJ: Besoj që kjo është një arritje e rëndësishme, sepse e hap tregun e transportit ajror të vendit tonë edhe me një pjesë të botës, me të cilën deri sot nuk e kemi pasur asnjë lloj komunikimi të drejtpërdrejtë, sa i përket fushës së aviacionit.

Ne, tashmë, kemi marrë edhe interesim nga kompani ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ministria e Infrastrukturës është përgjegjëse për lëshimin e licencave të operimit për kompanitë e huaja që operojnë në Kosovë.
Pra, kemi interesim të një kompanie shumë serioze nga Emiratet, është kompania Llokos, më e madhja e atij rajoni.

Planifikojmë të operojmë me dy fluturime në javë drejtpërdrejt nga Prishtina në Sharrxhah. Aeroporti i Sharrxhahut është shumë afër Dubait, rreth 20 kilometra, dhe për udhëtarin kosovar besoj që do të jetë më e pëlqyeshme të aterrojë në një aeroport më të vogël, ku procedurat e daljes nga aeroporti janë shumë më të shkurtra dhe më të thjeshta, sesa në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, i cili është shumë i madh.
RADIO EVROPA E LIRË: Ofruesi i shërbimeve të navigacionit Hungaro-Control nga Hungaria, nga qershori i vitit të ardhshëm do të fillojë të ofrojë shërbime në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës. Është diskutuar gjatë në publik se cilat do të jenë përfitimet financiare të Kosovës. Deri më tani a dihet se çka do të përfitojë Kosova?

DRITAN GJONBALAJ: Po, është folur shumë. Natyrisht, njerëzit e interesuar dhe profesionistë të këtij lëmi kanë bërë kalkulime të ndryshme, sa i përket të hyrave monetare që do t’i ketë ofruesi ynë i shërbimeve të navigacionit ajror. Ne ende nuk jemi në pozitë për të dhënë shifra të sakta, por sidoqoftë përfitimet janë të shumanshme, mbi të gjitha hapësira e lartë ajrore e Kosovës, e cila tash për tash është e mbyllur dhe është një zonë gri në hapësirën evropiane të rrugëve ajrore, do të hapet.

Kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Nuk është ndjenjë e mirë që hapësira e lartë ajrore mbi shtetin tënd të jetë zonë ndalim-fluturimi.
Kemi punuar vazhdimisht shumë ngushtë me NATO-n për përzgjedhjen e një operatori në një vend mik të Republikës së Kosovës, anëtar i NATO-s dhe anëtar i BE-së, tashmë është bërë e ditur që agjencia e trafikut ajror të Hungarisë, Hungaro-Controli, do të ofrojë përkohësisht këto shërbime në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës, natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me ofruesin tonë të shërbimeve të navigacionit ajror.

Janë disa hapa proceduralë, që duhet të kryhen, fillimisht. Përgjegjës për hapësirën e lartë ajrore të Kosovës është NATO-ja dhe ofrimi i shërbimeve nga Hungaro-Controli në hapësirën e lartë ajrore gjithmonë në bashkëpunim edhe me ne, do të bëhet përmes një delegimi të përgjegjësive për ofrimin e këtij shërbimi nga NATO-ja.

NATO është duke punuar ngushtë edhe me Hungarinë, e gjithashtu edhe me ne, do të punojmë edhe me shtetet e rajonit për shkak se kontrolli i trafikut ajror është e pamundur të bëhet i ndarë nga shtetet e tjera të rajonit, natyra e avionit është e tillë që kalon shumë shpejt nga një juridiksion në një juridiksionin tjetër.

Kështu që do të diskutohen edhe modalitet e kalimit të avionit nga një shtet në tjetrin.
Janë marrëveshje teknike, të cilat do të nënshkruhen.

Marrëveshje të tilla do të nënshkruhen dhe negociohen edhe sa i përket çështjeve rregullatore të sigurisë në hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës, ku do të jetë i përfshirë edhe Autoriteti i Aviacionit Civil. Pastaj, do të jetë ofruesi ynë i shërbimeve të navigacionit ajror, ofruesit nga shtet fqinje, por ky proces do të jetë i udhëhequr nga NATO, siç ka qenë i udhëhequr deri tash kur është marrë vendimi që përkohësisht ofrimi i shërbimit të navigacionit ajror në hapësirën tonë të lartë ajrore t’i delegohet Hungarisë.

Nuk mund t flasim për shifra, por padyshim që në këtë projekt ofruesi ynë i shërbimit të navigacionit ajror, do të ofrojë një sërë shërbimesh, të cilat do t’i hyjnë në punë Hungaro-Controlit, dhe për të gjitha këto shërbime që do të ofrohen nga ana jonë natyrisht, që Hungaro- Controli do të paguajë.

Të gjitha këto detaje do të përcaktohen në protokolle teknike, që pritet të negociohen dhe të nënshkruhen së shpejti.
RADIO EVROPA E LIRË: Çfarë do të mund t’i ofrojë Hungaro-Controlit shërbyesi i navigacionit ajror të Kosovës?

DRITAN GJONBALAJ: Mund të them se ofruesi ynë i shërbimit të navigacionit ajror operon radarë, të cilët japin një pasqyrë të qartë të hapësirës së lartë ajrore të Republikës së Kosovës.

Ofruesi ynë është në proces të instalimit edhe të një radari të ri. Këto figura të radarëve tonë, përmes teknologjisë do të përcillen në ekranet e radarëve në Budapest. Pra, është një shërbim që ne do t’ia ofrojmë Hungaro-Controlit. Për këtë shërbim, natyrisht, do të bëhet edhe shpagimi nga ofruesi i shërbimeve.

Përveç kësaj, ne kemi të gjitha kapacitetet teknike për të ofruar të gjitha shërbimet meteorologjike. Gjithashtu, ofrohen edhe shërbimet e informatave aeronautike, dhe shumë shërbime tjera, të cilat natyrisht do të diskutohen dhe dakordohen me Hungaro-Controlin gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe nën mbikëqyrjen e NATO-s në gjithë këtë proces.

RADIO EVROPA E LIRË: Transporti ajror i Kosovës vazhdon të bëhet nga kompani të huaja, jo vendore. A ka ndonjë nismë për themelimin e një kompanie ajrore të Kosovës?
DRITAN GJONBALAJ: Tash për tash nuk ka asnjë kompani ajrore që është bartëse e certifikatës së operimit ajror të lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës.

Dod të thotë, nuk ka asnjë kompani kombëtare të Kosovës, asnjë kompani vendore. Të gjitha kompanitë që operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, janë kompani të huaja, shumica absolute e tyre vijnë nga vende të Bashkimit Evropian Zvicra dhe Turqia.

Në Kosovë ekziston legjislacioni i plotë në përputhje të plotë me legjislacionin e BE-së, për themelimin e kompanive ajrore. Natyrisht, ka kaluar koha kur shteti investon për ngritjen dhe themelimin e kompanive ajrore. Legjislacioni i Kosovës është shumë liberal dhe çdo palë e interesuar që i plotëson kushtet mund të aplikojë dhe natyrisht nëse është e suksesshme në kalimin e të gjitha fazave strikte drejt certifikimit, mund të certifikohet si kompani ajrore e Republikës së Kosovës.

Me Autoritetin e Aviacionit Civil jemi duke e shqyrtuar një aplikacion që e kemi marrë nga një aplikues për certifikatë të operimit ajror. Ata pretendojnë të regjistrohen si kompani ajrore e Republikës së Kosovës.

Siç e thashë ky është një proces i gjatë, shumë kërkues, i kanë kaluar disa faza dhe tash varet prej tyre se sa do të jenë të suksesshëm për plotësimin e të gjitha kushteve që janë mjaft strikte, sepse sa herë flitet për siguri, nuk mund të ketë fleksibilitet.

Pra, legjislacioni për regjistrimin e kompanive ajrore është në fuqi, ne jemi të hapur dhe mezi presim të kemi aplikacione për themelim të kompanive ajrore në Republikën e Kosovës.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit