-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Gjjithsecili ka rizkun e tij

Më të lexuarat

Mustafa Ferhat

 

Zerkaul Jemame, e paralajmëroi popullin e saj për një sulm të befasishëm, por askush nuk ia vuri veshin. Kur u ndërgjegjësuan për aftësinë e saj nuhatëse dhe parashikuese, nuk kishte më kohë. Prej tyre u vranë shumë njerëz dhe një pjesë e madhe u zunë robër.
Një i verbër rropatet sa herë që hedh një hap rrugës. Ai nuk do gjë tjetër veçse një rreze drite shikimi, që të mund ta udhëheqë rrugës, sa për të mos përfunduar në ndonjë gropë, sa për të mundur të plotësojë nevojat e tij. Nëse i mungon personi që e udhëzon, ai shndërrohet në një të burgosur brenda mureve të shtëpisë. Ebul Ala Muammeriij, e konsideronte veten “Pengu i dy qelive”, ku qelia e parë ishte shtëpia, pasi ishte i verbër, kurse qelia e dytë, ishte trupi i tij, i cili mbante të burgosur shpirtin, për shkak të jetës.
Lidhur me mirësinë e shikimit, njerëzit variojnë nga të shëndetshëm, të verbër, me një sy, me shikim të kufizuar natën etj…
Kjo nuk vlen vetëm për shikimin, por për gjithçka tjetër që ka të bëjë me shëndetin, jetën dhe njeriun në përgjithësi, si inteligjenca dhe mungesa e saj, shëndeti dhe sëmundja, pasuria dhe varfëria. Secili që ka mangësi në diçka të caktuar, e sheh veten të privuar, se i është bërë padrejtësi, edhe pse ka sufiçit në shumë aspekte të tjera. Njeriu është i prirur ti shtojë sa më shumë të mirat, sepse niveli i ngopjes me të mira është infinitiv.
Në jetë, njeriu mund të ketë sukses, por edhe mund të dështojë. Nëse ka sukses, ia faturon aftësive, aktivitetit dhe mundit të tij. Por nëse dështon, ia faturon fatit të tij të keq dhe ters, duke mohuar çdo mundësi gabimi që mund ta ketë çuar drejt disfatës dhe humbjes. Vetë Kurani e konfirmon faktin se:” Çdo e mirë që të gjen ty o njeri, është prej Allahut, kurse e keqja që të godet, është prej vetes sate.” (Nisa, 79)
Por shumica e njerëzve e përmbys ajetin, duke ia atribuuar të mirën vetes së tyre, falë mundit, inteligjencës dhe mençurisë së tyre. Kurse të keqen ia faturojnë Zotit, ose fatit.
Filozofët kanë folur e shkruar shumë lidhur me barazinë mes njerëzve. Para se të flasin për barazinë në detyrime dhe të drejta, ata kanë folur rreth barazisë në karaktere, gjymtyrë, aftësi mendore dhe fizike. Ata janë orvatur të zbulojnë shkakun e diferencimit të njerëzve në fuqi dhe dobësi, bukuri dhe shëmti, zgjuarsi dhe marrëzi. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka mundur të mbërrijë tek urtësia e diçkaje të tillë, pasi ajo që mund të bëjë njeriu, është thjesht ta interpretojë, ia arrin apo jo, i afrohet apo i largohet të vërtetës.
Imam Ahmedi, transmeton nga Ubej ibnu Kab, se Ademi a.s i hodhi një vështrim pasardhësve të tij, tek të cilët pa të pasurit dhe të varfrit, të hijshmit dhe të shëmtuarit. Ai pyeti:”O Zot! Përse nuk i ke barazuar të gjithë robërit e Tu?!” Zoti iu përgjigj:”Sepse doja të falënderohem!” Nëse njerëzit do të ishin të një mase në gjithçka, jetës do i mungonte diversiteti, diferencat dhe dallimet, të cilat në ndërveprim me njëra-tjetrën plotësojnë njëra-tjetrën.
Nëse të gjithë njerëzit do të ishin gjeni në matematikë, kush do ta mbante përgjegjësinë e pastrimit, transportit dhe zanateve që kërkojnë energji fizike të mëdha? Nëse të gjithë njerëzit do të kishin vetëm një shije, shtresa të shumta të shoqërisë do të dëmtoheshin. Nëse të gjithë njerëzit do të ishin aventurierë, do të humbiste koncepti i vatanit, nuk do të ngrihej asnjë civilizim, nuk do të ndërtoheshin qytetet… Nëse do unifikoheshin shijet, do shkriheshin tregjet.
I pasuri e ka të lehtë të flasë për rëndësinë e diveristetit të njerëzve në pasuri, sepse ai nuk e ka shijuar urinë, nuk e ka provuar çdo të thotë të mos gjejë ushqim dhe ilaçe për veten dhe fëmijët. Një i hijshëm e ka të lehtë të flasë për shëmtinë, ashtu siç e ka të lehtë një i shëndetshëm të flasë për sëmundjen dhe durimin në sprova.
Por, mos vallë kemi ardhur në ekzistencë për të listuar ato që kemi dhe ato që nuk i kemi, e mandej, këtë listë t’ia paraqesim Krijuesit, duke i kërkuar llogari, sepse jemi sjellë në një botë me kritere të padëshiruara prej nesh?
Jeta dhe përvojat e saj na mësojnë se shumica e atyre që korrën sukses, ia kanë nisur nga zero, nga hiçi. Ata kanë qenë zero për nga pasuria, të metat fizike, statusi social etj… dhe janë ngjitur në shkallët më të larta, falë pranimit të sfidës, vendosmërisë dhe vullnetit për sukses. Ndërkohë, të tjerë që e kanë nisur jetën me depozita plot e përplot, nuk e kanë ndjerë shijen e trashëgimisë së tyre, ata e kalojnë jetën në shpërdorim të pasurisë, shëndetit dhe zgjuarsisë. Kjo na kujton thënien e Omer ibnul Hattab, i cili thoshte:”Islami do të fillojë të dobësohet, kur në Islam të rriten breza që nuk e kanë njohur të keqen (xhahilijen).”
Kjo, sepse njerëzit humbasin referencën për të krahasuar dy situata kontradiktore.
Shtresa e ish skllevërve myslimanë, vinin nga shtresa sociale fetare, njihnin zanate të ndryshme dhe bënin çmos për të përftuar dije. Ndërkohë që elitat arabe ishin të pasionuar për mësimin e vjershave të periudhës paraislame, jepeshin pas pushtetit dhe gjërave të luksit etj… Kështu, që në gjysmë shekullin e parë hixhri, u shfaq shtresa e dijetarëve dhe juristëve, shumica e të cilëve vinin nga prindër të cilët kishin qenë skllevër. Kur elitat arabe u kujtuan, rrota e historisë kishte përshkuar rrugë të gjatë dhe pa kthim.
Ibnu Shihab Zuhrij, ka thënë:”Vajta tek kalifi Abdul Melik ibnu Mervan, i cili më pyeti:”Nga vjen?” “Nga Meka” iu përgjigja. Më pyeti:”Kush është referenca e Mekës?’ “Ata ibnu Ebi Rebah” i thashë. Ai pyeti:”A arab është apo joarab?” “Është nga familje ish skllave” iu përgjigja. Ai më pyeti:”Po çfarë e ka bërë referencë?” “Dija” iu përgjigja. Më tha:”Po, dija dhe transmetimi i haditheve profetike, të shndërrojnë në referencë. Po në Jemen, kë pyesin njerëzit?” “Taus ibnu Kisan” iu përgjigja. Më pyeti:”A arab është apo familje ish skllevërish?” “Vjen nga familje skllevërish” iu përgjigja. Më pyeti:”Po me çfarë e ka arritur këtë status?” “Me të njëjtën gjë që e kishte arritur dhe Ata ibnu Ebi Rebah” iu përgjigja. “Po në Egjipt, kë dëgjojnë njerëzit?” më pyeti. I thashë:”Jezid ibnu Ebi Habib”. “A arab është?” pyeti. “Jo, i thash, është nga ish skllevërit.” “Po në Sham, kë dëgjojnë njerëzit?” më pyeti. “Mekhul” iu përgjigja. Ai pyeti:”A arab është?” “Jo, i thashë, ka qenë skllav i një gruaje nga Hudhejl, ajo i fali lirinë.” Ai pyeti:”Po në Gadishullin Arabik, kujt i dëgjohet fjala?” “Mejmun ibnu Mehran” iu përgjigja unë. Ai pyeti:”A arab është?” “Jo – thashë – rrjedh nga një familje që ka fituar lirinë pas skllavërisë. “Po në Horasan?” pyeti ai. “Është Dahhak ibnu Muzahim” iu përgjigja. “A arab është?” pyeti ai. “Jo – i thashë – rrjedh nga familje skllevërish. Ai pyeti:”Po në Basra, kush ka bërë emër?” “Hasan Basrij” i thashë. “A arab është?” më pyeti. “Jo – i thashë – vjen nga familje skllevërish.” Ai pyeti:”Po në Kufa?” “Është Ibrahim Nehaij” iu përgjigja. “A arab është ai?” pyeti gjithë kureshtje. “Po – iu përgjigja – arab është” “Shyqyr Zotit – më tha – më hoqe një gajle të madhe. Familjet që kanë qenë skllevër, po sundojnë arabët, saqë do të ngjiten mbi minbere të predikojnë, ndërkohë që arabët do të jenë poshtë duke dëgjuar.” Unë i thashë:”O Prijës i Besimtarëve! Kjo është fe, kushdo që e mban, lartësohet dhe kushdo heq dorë prej saj poshtërohet.” (Besair dhekhair, 8/85)
Po të shohim përvojat e suksesshme njerëzore në fillimet e shekullit të njëzet e një, do të shohim që yjet dhe novatorët më të mëdhenj, rrjedhin nga familje të thjeshta, suksesin nuk e trashëguan nga të parët, por e bënë me duart e tyre. Ata luftuan dhe u përpoqën derisa ia dolën dhe arritën atje ku donin. Bill Gates, i dyti në listë si më i pasuri në botë për 2013 me një shumë prej 67 miliardë dollarësh, kur ishte fëmijë ka qenë autik.
Jeff Bezos, pronari i Amazone, brodhi gjithë Amerikën në kërkim të donatorëve për të financuar fillimin e projektit të tij. Pasuria e tij për 2013, përllogaritej me 25 miliardë dollarë.
Ne e gjetëm veten mbi planetin tokë, të pajisur me aftësi dhe zotësi nga më të ndryshmet dhe na janë krijuar bindje lidhur me kategorizimin e njerëzve, gjë të cilën shkenca e ka hedhur poshtë.
Ndërkohë që besonim se zgjuarsia ka të bëjë me shifrat dhe matematikën, shkenca moderne pohon se zgjuarsia matematikore është një nga llojet e zgjuarsisë, por jo të gjitha. Tashmë ne njohim inteligjencën gjuhësore, letrare etj… Ndërkohë që ishim mësuar ti klasifikojmë fëmijët si inteligjentë dhe jointeligjentë, shkenca e sotme na thotë që të gjithë fëmijët kanë prirje për gjenialitet. Varet nga trajtimi ynë me fëmijët, nëse këto dhunti do të zhvillohen apo varrosen. Pasi ishim mësuar se personaliteti dhe karakteri ishin gjenetike, shkenca na thotë se ato fitohen, se dija përftohet duke studiuar dhe urtësia duke e ushtruar.
Do ti hynim vetes në hak nëse ulemi dhe bëjmë llogaritë e gjërave që kemi dashur ti kemi që në lindje, por që nuk i kemi pasur, në vend që të punojmë dhe të hapim rrugën e suksesit. Secili prej nesh do të gjejë një dhunti të tijën. Thjesht i lipset ta zbulojë dhe ta përdorë për të hapur portat e suksesit dhe lumturisë. Në fund të fundit, a nuk është ky qëllimi i secilit prej nesh, i pasur apo i varfër, i shëndetshëm apo i sëmurë qoftë?
Fatet tona janë të ndryshme dhe pikërisht është ky ndryshim ai që na shtyn për tu konfrontuar me sfidat dhe për më shumë sukses. Nëse e kalojmë kohën në kritika dhe fajësime, do i shtojmë jetës më shumë vuajtje dhe hidhërime.

Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit