-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

GJI

Më të lexuarat

GJI m.
1. Pjesë e futur e gjoksit, mesi i kraharorit; gjoks. Marr në gji. Shtrëngon në gji. Mbështeti kokën në gji. 
2. Organ i femrës së njeriut në pjesën e përparme të kraharorit dhe te kafshët gjitare, me gjëndra të posaçme që prodhojnë qumësht për ushqimin e të vegjëlve; sisë. Me gjinj të mëdhenj (të fryrë). Gjinjtë e lopës. Maja (thumbi, thithi) i gjirit. Qumështi i gjirit. I shteruan gjinjtë. E vë në gji e vë të pijë. 
3. Qumështi që prodhohet nga ky organ i gruas për ushqimin e foshnjës; sisë. Fëmijë gjiri. Mosha e gjirit muajt e parë, kur foshnja ushqehet vetëm me qumështin e nënës. Pi gji foshnja. I jep gji. Ia preu gjirin. E ndau nga gjiri. Është me gji. Po nuk qau fëmija, nuk i jep nëna (e ëma) gji. fj. u. 
4. Pjesa nën veshjen që mbulon gjoksin. E futi në gji. E mban në gji. Nxori letrën nga gjiri. 
5. fig. Gjoksi, kraharori ku është zemra si simbol i ndjenjave. E ka në gji. I vlon (i zien) në gji. 
6. fig. Pjesa e brendshme e diçkaje, thellësia e diçkaje, mesi. Gjiri i tokës (i dheut). 
Në gjirin e natyrës jashtë, në mes të natyrës së gjallë, jo në ndërtesat e në qendrat e banuara. Mban (fsheh) në gjirin e vet 
a) mban brenda, ka brenda; 
b) ka brenda diçka me pasoja, është i mbarsur me diçka. 
7. fig. Mjedisi, rrethi ku rritet dhe edukohet dikush. Në gjirin e familjes. Në gjirin e shoqërisë (e popullit, e punëtorëve). Kemi në gjirin tonë kemi në mes nesh. Nga gjiri ynë (i organizatës, i kolektivit tonë). 
8. veter. Sëmundje e bagëtive të imëta, prej së cilës u ënjten dhe u ngurosen sisët. 
Gjiri i madh (i zi). 
9. ~RE ~RET gjeogr. Pjesë e futur në bregun e oqeanit, të detit a të liqenit. Gji i hapur (i mbyllur). Gji deti. Gjiri i liqenit. Gjiri i Vlorës (i Durrësit). Anija hyri në gji. 
10. bot. Pjesa e thelluar ndërmjet bishtit të gjethes dhe degës ose ndërmjet degës dhe trungut. 
* Në gjirin e … në përbërjen (e një organizate, e një bashkimi etj.). I hyri në gji (ndër petka) dikujt ia di mirë hallin, ia kuptoi gjendjen. E do si zjarrin në gji shih te ZJARR,~I. E do si prushin në gji (e ka prush në gji) shih te PRUSH,~I. Kërkon kaun në gji kërkon aty ku nuk duhet e ku s’mund të gjejë gjë kurrë. E la me duar në gji e la vetëm e pa njeri, e la qyqe (përdoret kur një gruaje i vdes i shoqi ose kur ky ikën në kurbet për shumë kohë dhe e lë të shoqen me foshnjë gjiri ose me fëmijë të vegjël). Mbaj (rrit) gjarprin në gji shih te GJARP/ËR, ~RI. Mbeti me duar në gji mbeti pa njeri, fill i vetëm, pa fëmijë. Rri me duar në gji (në ijë, në mes, në brez, në bel, në xhepa) shih tek IJ/Ë,~A. Gris (prish) gjirin, arno pëqirin fj. u. shih te GRIS. Gjiri i vezëve anat. pjesa e trupit të femrës, ku përftohen vezët.
 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit