0.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

“Gjermania nuk duhet të jetë strehë e armiqve të Turqisë”

Më të lexuarat

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se Turqia është e gatshme që të bëjë dy hapa, nëse Gjermania bënë një hap pozitiv në drejtim të saj, por se nuk mund të injorojë disa probleme aktuale që kanë ndikim negativ në marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu sot në Ankara u takua me homologun e tij gjerman, Sigmar Gabriel, dhe pas takimit deklaroi se si ministra bëjnë përpjekje të përbashkëta për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve aleate të cilat janë shumë të rëndësishme për Evropën.

“Takimi i sotëm është i rëndësishëm. Duhet të pranojmë faktin se aktualisht ka një atmosferë që ka efekt negativ ndaj marrëdhënieve tona dypalëshe apo edhe të bashkëpunimit rajonal. Sot kishim rastin që të marrim në konsideratë se çfarë mund të bëjmë për t’i dhënë energji të re marrëdhënieve tona dhe për të ndryshuar atmosferën e keqe”, tha Çavuşoğlu.

Duke theksuar se në takim me homologun e tij dhe me delegacionet e zgjeruara pala turke ka shpalosur pikëpamjen e tyre të situatës, Çavuşoğlu tha se problemi i madhë i pranishëm janë disponimi anti-turk në Gjermani, e cila sipas tij, çon drejt urrejtjes dhe armiqësitë, duke favorizuar rrymat radikale politike.

“Kohëve të fundit ka pasur rritje të sulmeve ndaj muslimanëve dhe xhamive në Gjermani. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe miku im Gabriel. Ky në fakt është një problem i Gjermanisë, por edhe i të gjithë Evropës së sotme”, ka thënë Çavuşoğlu.

I pyetur nga gazetarët për të komentuar rreth arrestimit dhe ndjekjes penale të gazetarit të gazetës gjermane “Die Welt”, Deniz Yucel, Çavuşoğlu tha se ky rast nuk ka të bëjë asgjë me gazetarinë, por me terrorizmin. Ai shtoi se Turqia, si Gjermania, ka një gjyqësor të pavarur që është duke bërë punën e saj.

Çavuşoğlu sqaroi se shërbimet e inteligjencës evropiane në vitet e fundit gjithnjë e më shumë shfrytëzojnë gazetarët si spiunë dhe pastaj pyesin pse arrestohen disa gazetarë.

“Duhet të merren masa efektive kundër aktiviteteve të PKK-së në Gjermani”

Kreu i diplomacisë turke paralajmëroi rreth aktiviteteve të organizatës terroriste PKK në Gjermani dhe tha se kundër këtij rrjeti terrorist duhet të merren masa efektive.

“PKK është armiku ynë dhe kërcënim për të gjithë. Ja, nesër Gjermania le të iniciojë masa për të ndaluar veprimtarinë e tyre, do të shihni se ata do të bëjnë rrëmujë edhe atje. Ne nuk e duam këtë, por kjo është një organizatë e tillë terroriste”, paralajmëroi Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu tha se ashtu si në rastin me PKK, Gjermania nuk duhet të jetë as strehë e anëtarëve të arratisur të organizatës terroriste FETO dhe se duhet të ekstradojnë të gjithë puçistët Turqisë, të cilët në korrik të vitit të kaluar kryen tentimin e dështuar të grusht shtetit ushtarak.

“Kemi marrëveshje dypalëshe dhe ekstradimet në raste të tilla janë të mundshme. Gjermania ynë mike nuk duhet të jetë strehë për armiqtë tanë. Prandaj, është mjaft e natyrshme nga miku dhe aleati ynë Gjermania presim të marrë masa më konkrete në këtë kontekst”, ka thënë Çavuşoğlu.

Duke komentuar rastin e ndalimit të vizitës së zyrtarëve gjermanë në bazën ushtarake në Incirlik, Çavuşoğlu tha se aktualisht kushtet nuk janë të favorshme për vizitën, por për të gjithë zyrtarët gjermanë mund të vizitojnë trupat gjermane në bazën e NATO-s në Konia.

“Turqia e gatshme të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve mes Katarit dhe shteteve arabe”

Duke komentuar edhe krizën në marrëdhëniet diplomatike mes Katarit dhe disa shteteve të Gjirit, Çavuşoğlu tha se kriza duhet të zgjidhet me rrugë paqësore.

“Në çdo rast, dialogu duhet të vazhdojë dhe kriza të zgjidhet në rrugë paqësore. Turqia është e pikëlluar për situatën aktuale në këtë rajon dhe do të japim çdo mbështetje në procesin e normalizimit të situatës”, ka thënë Çavuşoğlu.

Arabia Saudite, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Jemeni mëngjesin e sotëm kanë bllokuar marrëdhëniet diplomatike me Katarin, të cilat e akuzojnë për destabilizim të rajonit.

Gabriel: Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Turqisë kalojnë në periudhë të vështirë

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ka theksuar se marrëdhëniet mes dy shteteve janë duke kaluar në një periudhë të vështirë.

Në konferencën e përbashkët për media pas takimit me ministrin e Jashtëm të Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu në Ankara, Gabriel ka rikujtuar deklaratën e Turqisë se Gjermania nuk ka reaguar shpejt sa duhet pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik nga organizata terroriste FETO, duke shtuar se ndihet i lumtur për dështimin e grushtit të shtetit.

Gabriel theksoi se dy shtetet janë aleatë të NATO-s dhe luftojnë bashkarisht terrorin. Sipas tij, Turqia ka numrin më të madh të humbjeve nga terrorizmi.

Siç theksoi kryediplomati gjerman, marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve janë në nivel të mirë. Ai shtoi se Gjermania është e gatshme që të përditësohet Marrëveshja e Unionit Doganor mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE).

Ndërkaq, lidhur me aktivitetet e organizatës terroriste PKK në Gjermani, Gabriel rikujtoi se PKK është e ndaluar jo vetëm në Turqi, por edhe në Gjermani, për aktivitete të jashtëligjshme.

“Për këtë arsye, unë mund t’i kuptoj pyetjet që Turqia ia drejton Gjermanisë lidhur me PKK-në. Këto do të shqyrtohen në mënyrë që PKK-së t’i mos i ofrohet mundësi në Gjermani dhe në mënyrë që ata të mos mund t’i vazhdojnë aktivitetet e tyre”, potencoi Gabriel.

Lidhur me kërkesat për azil në Gjermani të pjesëtarëve të FETO-s të cilët Turqia i akuzon për pjesëmarrje në tentativën për grusht shteti vitin e kaluar, Gabriel tha se me këtë çështje merret një institucion i pavarur dhe gjykatat dhe se për personat në fjalë u duhen prova të qarta.

“Kemi nevojë për prova nga Turqia. Kjo nuk duhet kuptuar si qëndrim kundër Turqisë”, u shpreh Gabriel.

Në ndërkohë, Gabriel e ka vlerësuar si zhvillim pozitiv lejimin që parlamentarët gjermanë të vizitojnë bazën e NATO-s në Konja të Turqisë, por u shpreh se ndihet i pikëlluar ndaj pamundësisë për të vizituar bazën e Inxhirlikut.

I pyetur për tërheqje të mundshme të ushtarëve gjermanë nga baza e Inxhirlikut, Gabriel vuri në dukje se lidhur me këtë nuk ka ndonjë plan apo rezultat të qartë dhe se varësisht nga situata do të takohen me Turqinë për t’i dhënë epilogun situatës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit