0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Gjermania miku i madh i Kosovës

Më të lexuarat

Gati çdo serb e konsideron Gjermaninë si mikun më të madh të Kosovës. Vetëm për këtë fakt, Gjermania shihet në Beograd si armiku më i madh i Serbisë.

Por, shkaqe ka shumë, thonë analistët e atjeshëm.

Kaherë nuk ka zgjuar vëmendje më të madhe në opinionin gjerman ndonjë informacion nga Serbia, si shkrimi i gazetës “Vecernje Novosti ”Shantazhet dhe ultimatumet ndaj Serbisë edhe në shekullin 21“.

Shkas për këtë shkrim ishte vizita e një delegacioni parlamentar gjerman në Beograd dhe kërkesa që Serbia të bashkëpunojë me autoritetet ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Duke iu referuar faktit që Serbia dhe Gjermania në 100 vjetët e fundit gjithmonë kanë qenë në anë të kundërta, në Beograd flitet edhe tani për komplotin gjerman ndaj këtij vendi dhe kundër serbëve.

Ekzistojnë disa nivele të raporteve mes Berlinit dhe Beogradit, mendon profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Dragan Simeunovic. Raportet mes qytetarëve të rëndomtë janë në nivelin më të mirë. Por raportet më të thella politike janë të tendosura, transmeton DW.

”Shkaku është qëndrimi i Gjermanisë ndaj qëndrimeve të Serbisë për situatën në Kosovë dhe në anën tjetër kërkesa e Serbisë që të futet në Bashkimin Evropian, ku Gjermania e ka rolin më të fuqishëm”, pohon ai.

Tani nuk dyshohet më fare se rruga e Serbisë për në BE është e lidhur me normalizimin e raporteve me Kosovën. Historiani Çedomir Antiq mendon se Serbia në BE mund të futet aktualisht vetëm si një ”vend i nënshtruar”. Mendimet radikale serbe ndaj Gjermanisë, sipas tij, janë pasojë e politikës së Berlinit ndaj Serbisë.

”Nëse respektohet autonomia e Ishujve Alande, të cilat kanë pushtetin ekzekutiv, gjyqësor dhe ligjdhënës, ndërsa në Kosovë insisitohet që ushtria e Thaçit të futet në veri – atëherë nuk mund të flitet për një perceptim tjetër veçse – si një armik”, thotë Antic.

Ndërsa Simeunovic pohon se mediat serbe e kanë gabim kur Gjermaninë e paraqesin si faktorin me qëndrimet më të ngurta për Kosovën. „Në vitet 90-të kemi pasur një situatë kur populli gjerman, falë raportimit të mediave, ka krijuar një bindje të keqe për serbët”, rikujton ai.

A ka përfituar Gjermania nga shkatërrimi i Jugosllavisë?

Pikërisht vitet e shkatërrimit të Jugosllavisë e kanë sjellë Gjermaninë në skenën kryesore politike dhe e kanë forcuar rolin e Berlinit, mendon Antiq, i cili rolin gjerman nga kjo periudhë e vlerëson si ”mbështetje të parezervë për nacionalizmin slloven dhe kroat”.

“Gjermania në atë kohë e ka forcuar rolin në Evropë. Ajo nuk ishte më vetëm një faktor i fuqishëm ekonomik, por edhe një prej vendeve kryesore në Grupin e Kontaktit. Gjermanët dhe austriakët kaherë janë duke mbajtur pozicionet kyçe në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë”, thekson ai.

Simeunovic mendon se në Serbi kanë mbetur rezerva dhe paragjykime ndaj gjermanëve që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, por ai është i bindur se kjo ”do të kishte ndryshuar sikur Beogradi dhe Berlini të ishin angazhuar më shumë.“

Disa historianë të tjerë e quajnë politikën gjermane madje si ”fashizëm demokratik”. Çedomir Antiq mendon se kjo është e tepruar. ”Natyrisht që nuk mendoj se demokristianët gjermanë janë fashistë apo nazistë, por mendoj se Gjermania po e shfrytëzon rastin e Serbisë për të shëruar plagët e zhgënjimeve nga shekulli 20.

Situata e tanishme po përdoret si mjet për të relativizuar fajin e Gjermanisë ndaj Serbisë, të cilin është dashur ta pranojë por nuk e ka bërë këtë. Nuk mendoj se dikush tërë jetën duhet të kërkojë falje për atë që kanë bërë prindërit e tij, por mendoj se nuk është në rregull nëse historia përsëritet vetëm ndaj serbëve”, nënvizon Antiq.

Kohë pas kohe në Serbi harrohet se pikërisht Gjermania është vendi nga i cili kanë ardhur më së shumti para, pas rrëzimit të regjimit të Slobodan Miloshevicit. Simeunovic mendon se fajin e ka edhe vet Gjermania, e cila nuk ka bërë reklamë sa duhet për ato që ka bërë në Serbi.

”Si është e mundur që të jepen kaq shumë para dhe të mos dihet? Ku ka mbetur propaganda e njohur gjermane? Sikur njerëzit në Serbi ta dinin se çfarë investimesh ka bërë Gjermania në këtë vend, me siguri që qëndrimi i tyre do të ishte ndryshe dhe faktet historike do të shikoheshin me një sy tjetër”, mendon Simeunovic, i cili ka doktoruar pikërisht në Gjermani.

Antic pohon madje se as qeveria e Zoran Gjingjicit nuk e ka pasur një mbështetje të sinqertë të Gjermanisë. Raportet mes Berlinit dhe Beogradit prej vitit 1991 deri më sot ai i sheh si një ”lojë sadiste e maces dhe miut”.

Sipas tij, asnjë qeveri në Serbi nuk e ka pasur mbështetjen e plotë gjermane. Ndërsa Simeunovic mendon se Gjermania e ka më të lehtë të realizojë interesat e saj. ”Por kjo mund të jetë edhe kontraproduktive”, shton ai.

Përveç tekstit të cituar të “Vecernje Novostit” për ”fashizmin demokratik” të Berlinit, në gazetën gjermane ”Der Spiegel” citohet edhe mitropoliti Amfilohije, i cili flet për ”okupimin e Kosovës dhe Metohisë” dhe ”vazhdimin e politikës pushtuese të ngjashme me atë të okupimit pesë shekullor osman në Kosovë“.

Gazetat në Gjermani rikujtojnë se pikërisht Amfilohije e ka organizuar dikur një lutje për shkatërrimin e aleancës së NATO-s. Dhe përderisa mediat në Serbi e paraqesin Gjermaninë si një keqbërës të përhershëm, mediat në Gjermani e paraqesin Serbinë si një fantazmë të përhershme.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit