3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Gjermania hap qendrat e mbrojtjes nga ekstremizmi dhe terrorizmi

Më të lexuarat

Në Köln federata dhe landet kanë bashkuar aktivitetet e tyre për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit në një qendër të re mbrojtjeje. Por gjashtë lande nuk marrin pjesë dhe e kanë kritikuar organin e ri.
Në qendrën e re të mbrojtjes kundër ekstremizmit dhe terrorizmit (GETZ) sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme gjermane do të marrin pjesë fillimisht vetëm dhjetë lande. Bashkëpunimin e refuzuan landet e qeverisura nga koalicione mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve Baden-Württemberg, Nordrhein-Westfalen, Rheinland-Pfalz dhe Schleswig-Holstein, si dhe Hamburgu i qeverisur nga socialdemokratët dhe Mecklenburg-Vorpommern, që qeveriset nga socialdemokratët dhe demokristianët. Por këto lande vazhdojnë të jenë të ftuara të marrin pjesë tha zëdhënësi i ministrisë Jens Teschke, për gazetën “Kölner Stadt-Anzeiger”. Në aktivitetin e hapjes të enjten (15.11.) në Köln, ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich, tha se “autoritetet e sigurisë të specializuara dhe të afta” në federatë dhe lande duhet të gërshetojnë më mirë informacionet e tyre, për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
GETZ do të jetë e vendosur në ndërtesën e Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës në Köln.
Specialistët e 40 autoriteteve nga federata dhe landet duhet të bashkojnë kompentencën dhe informacionet e tyre në qendrën e re. Në të duhej të merrnin pjesë me zyrat e tyre të kriminalistikës dhe ato të mbrojtjes së kushtetutës 16 landet federale. Por disa prej tyre u ndien të anashkaluara pasi planet për qendrën u njoftuan vetëm pak kohë më parë. Ministri i Brendshëm i landit Nordrhein-Westfalen, socialdemokrati Ralf Jäger, e akuzoi ministri federal Friedrich se ka nxituar pa u konsultuar me landet. “Ajo që po bën ministri i Brendshëm federal është më shumë se irrituese”, tha Jäger. Sipas tij duket se Friedrich nuk ka mësuar asgjë nga defektet në hetimet kundër celulës neonaziste NSU.

Harmonizimi i punës mes landeve duhej bërë prej kohësh
Friedrich i hodhi poshtë kritikat dhe theksoi: “Unë e konsideroj urgjentisht të nevojshme të kemi një harmonizim optimal dhe sa më shpejt, kur dihet se në arktitekturën e sigurisë së vendit marrin pjesë më shumë se 40 autoritete të ndryshme”. Ministri Friedrich shtoi se që në muajin gusht ai kishte deklaruar fare qartë se do të punohej për ngritjen e qendrave të përbashkëta të mbrojtjes për të gjitha llojet e ekstremizmit.

Një qendër mbrojtjeje kundër terrorizmit islamik ka filluar punën që në vitin 2004 në Berlin. Pak kohë pas zbulimit të serisë së vrasjeve të grupit terrorist NSU një vit më parë, filloi nga puna qendra e mbrojtjes kundër ekstremizmit të djathtë në Köln dhe Meckenheim. “Nuk kemi ende asnjë qendër për ekstremizmin tek të huajt dhe asnjë për ekstremizmin e djathtë, as për spiunazhin. Kjo do të arrihet tani”, tha Friedrich.
E majta mund të ngrejë padi në Gjykatën Kushtetuese
Ndaj qendrës së re GETZ, ka gjasa të ngrihet një padi në Gjykatën Kushtetuese. Politikania e majtë Petra Pau deklaroi për agjencinë e lajmeve “dpad” se partia e saj do të shqyrtonte nëse organi i ri është në përputhje me kushtetuën. Duhet sqaruar nëse qendra respekton rregullin e ndarjes së punës mes policisë dhe autoritetit për mbrojtjen e kushtetutës. Veç kësaj duhet sqaruar nëse qendra respekton rregullat e federalizmit. Një “qendër universale” nuk është mjeti i duhur për arritjen e synimit, tha zëvendëspresidentja e Bundestag-ut. “Nuk mund të luftohen të gjitha format e ndryshme të ekstremizmit me të njëjtën recetë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit