-2.1 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Gjergj Dedaj me paratë e shtetit në udhëtime private

Më të lexuarat

Me paratë e buxhetit të shtetit, zëvendësministri i Ministrisë se Administrimit të Pushtetit Lokal, Gjergj Dedaj, gjatë këtij viti ka kryer punë për Partinë Liberale të Kosovës. Ai ka realizuar gjatë vitit disa vizita zyrtare në konferencat e organizuara nga Rrjeti Evropian i Partive Liberale, pjesë e se cilës është Partia Liberale e Gjergj Dedajt.

Gazeta Fjala posedon dokumente të cilat dëshmojnë se këto vizita në emër të Partisë Liberale të Kosovës, zëvendësministri Dedaj i ka realizuar me paratë e buxhetit të Kosovës, shkruan Gazeta Fjala.

Bëhet fjalë për dy vizita të ndara. Njëra në Gjermani dhe tjetra në Austri ku Rrjeti Evropian i Partive Liberale ka organizuar konferenca të ndryshme me partitë simotra nëpër Evropë. Partia Liberale e Kosovës ka kohë që është pjesë e këtij rrjeti.

Këto dy vizita i kushtuan buxhetit të Kosovës afër tre mijë euro.

“Zëvendësministri Gjergj Dedaj, është anëtar i rrjetit evropian të partive liberale dhe me ftesë të rrjetit në fjalë, ka realizuar disa udhëtime zyrtare kryesisht në konferencat e organizuara në Gjermani dhe Austri”, thuhet në dokumentin e Ministrisë se Administrimit të Pushtetit Lokal sa i përket shpenzimeve të zyrtareve të kësaj ministrie.

Dedaj: Vizitat i bëra për të mirën e Kosovës

Zëvendësministri Gjergj Dedaj, i kontaktuar nga Gazeta Fjala, ka mohuar që këto vizita janë kryer në emër të Partisë Liberale, por siç ai ka thënë “vizitat janë kryer për të mirën e Kosovës”.

Dedaj ka thënë se bëhet fjalë për vizita të ndryshme që i takojnë resorit ku ai është zëvendësminsitër.

“Në kuadër të kësaj ka mundur të jetë ndonjë vizitë edhe tek liberalët. Por gjithmonë kam shkuar në vizita zyrtare si zëvendësministër”, ka thënë ai.

Zëvendësministri Dedaj ka shtuar më tej se ka pasur takime mjaft të rëndësishme për liberalizmin e vizave me anëtar të Komisionit Evropian. Kjo pasi siç është shprehur Dedaj “pa Partinë Liberale nuk mund të këtë viza”.

Ndërkaq, kur është pyetur se a i ka bërë vizitat në emër të partisë se tij dhe me para të buxhetit, Dedaj ka dhënë një përgjigje të pazakontë.

“Në momentin kur hypi në aeroplan, nuk jam më i Partisë Liberale, por i Kosovës”, ka thënë Dedaj.

Por ndryshe thonë dokumentet zyrtare të Ministrisë se Administrimit të Pushtetit Lokal, të cilat i ka siguaruar Gazeta Fjala. Aty thuhet decidivisht se këto vizita Dedaj i ka realizuar si anëtar i Rrjetit të Partive Liberale, ku partia e Dedajt është anëtar.

Shpenzimet tjera të Dedajt

Por vizitat zyrtare në emër të partisë nuk janë të vetmet. Dedaj është treguar dorëlëshuar edhe tek shpenzimet me telefon dhe derivate.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Gazeta Fjala, krahas vizitave zyrtare në emër të partisë, Dedaj ka shpenzuar gjatë kwtij viti për telefon 885 euro.

Të pakta nuk janë as shpenzimet për deritave. I vetëm Dedaj ka shpenzuar për derivate plotë 1 mijë e 531 euro.

Ndërkaq, shpenzimet e rezprezentacionit ku hyjnë dreket zyrtare dhe shpenzime tjera të takimeve zyrtare, për Dedajn kapin shifrën e 1 mijë e 420 eurove. /Gazeta Fjala/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit