-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Gjërat që na bashkojnë

Më të lexuarat

Të një rëndësie të madhe janë marrëdhëniet në sferën ekonomike, ku roli i kapitalit turk në vend ka ardhur duke u rritur. Në vizitën që zhvilloi në Shqipëri, në vitin 2015, Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, e vuri theksin në rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve që, sipas tij, duhet të kapnin shifrën e një miliard dollarëve.

Shkruan: Urim TUSKU, Tiranë

E hershme është lidhja ndërmjet dy vendeve, pasi kemi ndarë shekuj histori së bashku. Shqipëria sheh tek Turqia një partner strategjik, ideuar nga politika vendimmarrëse e Tiranës, duke u nisur nga premisa dashamirësie të vendit mik. Roli i Turqisë në rajonin e Ballkanit ka ardhur duke u zgjeruar, sepse fuqia e saj në fushën diplomatike ka qenë shumë e ndjeshme në rajonin tonë, duke e rritur praninë e saj në sferën kulturore, ekonomike dhe politike. Shpeshherë, kjo prani është parë edhe me sy kritik nga disa, duke dhënë argumentin e vakët për rikthimin e kohës së vjetër otomane. Kjo është thjesht një kundërshti, që nuk mbështetet në fakte. Turqia asnjëherë nuk ka tentuar të hyjë në punët e brendshme të ndonjë vendi aleat. Kjo dëshmohet edhe me Shqipërinë: marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë qenë në trajtën e reciprocitetit, në respekt të plotë ndaj njëri-tjetrit.

Turqia, duke qenë një vend i madh, me fuqi ushtarake të konsoliduar, ka spikatur me diplomacinë e saj në rajon dhe në botë. Një ndihmesë të veçantë ka dhënë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, sa herë është ndodhur në rrezik nga agresioni i fqinjëve. Kujtojmë ngjarjet e vitit të mbrapshtë ’97, kur kryeministrja e asaj kohe, Tansu Çiller, deklaroi: “Askush të mos guxojë ta shkelë kufirin e shtetit shqiptar, se në të kundërtën do të konsiderohet si cenim i Turqisë“. Duke u ndodhur në zgrip të greminës, për Shqipërinë ishte një mbështetje shumë e fuqishme, duke u vënë fre orekseve të fqinjëve, që gjithmonë kanë qenë me gojën hapur për të përfituar ndonjë copë toke.

Lufta e Kosovës ishte një tjetër rast, kur Turqia shkëlqeu me dashamirësinë e saj. Jo vetëm duke dhënë kontribut si vend anëtar i NATO-s, por edhe duke mbajtur qëndrime vëllazërore për popullin shqiptar. Kjo ka qenë një ndihmesë për popullin shqiptar, sepse i është dashur të përballet me rreziqe nga më të ndryshmet.

Nuk duhet lënë pa përmendur, gjithashtu, se në Turqi ka prani të madhe shqiptarësh afërsisht 4-5milionë, të cilët – edhe pse janë integruar mirë aty – nuk e harrojnë prejardhjen e tyre. Ata i gjen të përfshirë edhe në hierarkinë e lartë shtetërore. Kohët e fundit shteti turk ka hapur edhe shkolla për mësimin e gjuhës shqipe

Në planin ekonomik

Të një rëndësie të madhe janë marrëdhëniet në sferën ekonomike, ku roli i kapitalit turk në vend ka ardhur duke u rritur. Në vizitën që zhvilloi në Shqipëri, në vitin 2015, Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, e vuri theksin në rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve që, sipas tij, duhet të kapnin shifrën e një miliard dollarëve. Investimet e para kanë qenë kryesisht ato të sektorit bankar, duke u shtrirë më pas në fushën e telekomunikacionit etj.

Projekte të ndryshme infrastrukturore kanë marrë jetë falë investimit të kapitalit turk, e ardhur kjo edhe nëpërmjet donacioneve. Duhet përmendur këtu edhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim(TIKA), e cila ka dhënë një ndihmesë të madhe në sferën kulturore dhe sociale, ku përfshihet rikonstruksioni i objekteve të kultit me rëndësi të madhe në trashëgiminë kulturore.

Interesi i investitorëve turq për Shqipërinë ka ardhur duke u rritur, kjo falë marrëdhënieve miqësore që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve. Turqia gjithmonë ka synuar ta rrisë praninë e saj ekonomike në Shqipëri, duke respektuar reciprocitetin. I këtij mendimi është edhe ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, i cili në çdo dalje publike ka shprehur vullnetin e shtetit turk për rritjen e investimeve në Shqipëri. Në këtë kuadër, shteti turk ka marrë përsipër ndërtimin e aeroportit të Vlorës, i cili është një investim i shtetit turk, i dhënë me koncesion nga qeveria shqiptare. Ndërtimi i këtij aeroporti pritet t’i sjellë Shqipërisë një rritje të madhe të turistëve.

Kuadri gjeostrategjik

Përtej ndjeshmërive pozitive të ndërsjella midis dy popujve, ka edhe një orientim diplomatik, i cili bëhet disi më i ftohtë. Turqia është një faktor i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit, kjo edhe për shkak të së kaluarës historike, por edhe e tashmja nuk ngelet pas. Aq e fortë është kjo lidhje, saqë 40 për qind e popullsisë në Turqi është me origjinë nga Ballkani. Ky realitet bën që lidhjet shpirtërore e kulturore të jenë të forta. Kjo dëshmohet më së miri në Shqipëri, ku fjalët e huazuara nga gjuha turke janë në përdorim deri në ditët e sotme.

Në Ballkan janë të pleksura interesat e vendeve të mëdha, si Rusia, e cila synon ta rrisë praninë e saj në Ballkan nëpërmjet pansllavizmit, por edhe investimeve të fuqishme që po kryen në rajon. Shqipëria është e qartë në orientimin e saj gjeopolitik: ajo e ka shpallur partner strategjik Turqinë. Për një mori arsyesh është bërë kjo zgjedhje, por më kryesorja është se të dyja vendet kanë shumë të përbashkëta, që i bëjnë ato të pandara.

Gjithmonë kemi dëgjuar nga zyrtarë të lartë turq, që e kanë vizituar Shqipërinë, për një lidhje shpirtërore të fortë midis dy vendeve. Për disa mund të shihet me zili një afrimitet i tillë, saqë nuk hezitojnë të përhapin edhe valë turkofobe, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose me minime të nëndheshme djallëzore, sepse Shqipëria ka shpallur partner strategjik Turqinë. Këto janë kritika të sponsorizuara nga qëllime dashakeqe, që duan ta lënë Shqipërinë pa një aleat të madh në rajon, siç është Turqia.

Është shumë e qartë tashmë se Turqia është një vend mik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk duhet të kompleksohet askush nga një aleancë e tillë, pasi është ajo më e mira në interes të të dyja vendeve./ shenja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit