Me datën 23 dhe 24 prill do fillojnë gërmimet në dy anët e lumit të Novi Pazarit ku dyshohet për varrezë masive. Siç deklaroi kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, në këtë varrezë masive dyshohet se janë varrosur rreth 100 trupa të shqiptarëve.
“Të enjten nisin kërkimet për një varrezë të re masive në Serbi. Rreth 100 trupa mendohet të jenë varrosur në të dy anët e lumit në Novi Pazar dhe e vërteta rreth tyre dhe rreth kësaj varreze masive do të mësohet në këtë javë. Më 23 dhe 24 prill do të ketë gërmime në disa lokacione në Novi Pazar, ku mendohet të jenë trupat e shqiptarëve të vrarë, si dhe shqiptarë të rrëmbyer derisa po largoheshin nga Kosova”, tha Gjetaj.
Gjetaj bëri të ditur se Serbia ka lejuar që të hulumtohet dhe të gropohen lokacionet e dyshuara për varre masive, por nuk ka specifikuar numrin e saktë të personave që mund të gjenden aty.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Prenk Gjetaj, ka thënë gjithashtu se as çështja e Rudnicës nuk është kapitull i mbyllur, pasi që dyshohet se atje akoma kanë mbetur pa u gjetur trupa të shqiptarëve. “As Rudnica e Rashkës nuk është kapitull i mbyllur, pasi që edhe vetë Prokuroria e Serbisë kishte dyshime për 250 trupa, ndërsa deri më tani janë gjetur pak më shumë se 50”, tha Gjetaj, i cili konstatoi se gjatë kësaj vere do të gërmohet një lokacion tjetër në afërsi të varrezës masive që është gjurmuar në Rudnicë të Rashkës, por që gjurmimet për varrezë masive janë duke u kushtëzuar nga Serbia me një vend të dyshuar për varr masiv në liqenin e Livoçit në Kosovë, i cili ishte gjurmuar edhe më përpara, por nuk ishte gjetur asgjë.
“Lokacioni i ri i Rashkës po kushtëzohet me hapjen e liqenit të Livoçit në Kosovë, një vend i dyshuar, i cili ishte kontrolluar më herë dhe i cili ishte mbyllur, pasi që nuk ishte gjetur asgjë e dyshimtë, por që Komisioni serb ka kërkuar që të hulumtohet sërish”, tha Gjetaj, i cili ripërsëriti se pala kosovare do të insistojë që lokacionet e tjera të dyshuara në Rashkë të hapen gjatë këtij viti, pasi dyshimet janë të mëdha.
Ndryshe, kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjetur, Prenk Gjetaj, ka deklaruar në ceremoninë e rivarrimit të mbetjeve mortore të 21 viktimave të masakrës së Çikatovës së Vjetër të Drenasit, se deri më tani janë gjetur 900 trupa të shqiptarëve të zhdukur gjatë kohës së luftës, ndërsa evidencohen të zhdukur edhe 1560 trupa të tjerë të shqiptarëve, të cilët u vranë e u rrëmbyen gjatë luftës dhe pastaj u katandisën në anë të ndryshme të Serbisë, në përpjekje për t’i humbur gjurmët e krimit që forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe i kryen në Kosovë. kohaislame