Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë për shkak të zgjedhjeve në Serbi. Rinisja nuk dihet. Qeveria serbe po luan me kredibilitetin e saj në BE, shkruajnë gazetat në gjuhën gjermane.
Peizazhi politik pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Serbi ka ndryshuar me themel, shkruan gazeta “Neue Zürcher Zeitung”.
Shumë vëzhgues u befasuan atëherë me humbjen e Boris Tadicit dhe Partisë së tij Demokratike. Rezultati befasoi edhe qarqet në Bruksel, ku është rritur pasiguria pas ardhjes në pushtet të Nikoliqit dhe socialistëve, sepse nuk dihet se cila do të jetë politika e tyre konkrete ndaj Kosovës.
“Ndaj të martën, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Bruksel në këtë post, duhet të maten shumë mirë fjalët e kryeministrit Ivica Dacic.
Ish-zëdhënësi i Milosevicit prej kohësh ka hequr dorë nga politika e dikurshme dhe nuk do t’i kujtohet e kaluara e errët. Por mbetet e hapur nëse me të vërtetë do të angazhohet për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog”, shkruan NZZ.
Kushtet ndaj Beogradit
Në anën tjetër, Brukseli ka bërë të qartë se Serbia pa normalizimin e raporteve me Kosovën nuk do të vazhdojë procesi i integrimit në BE. Komisioneri për zgjerim, Stefan Fule ka deklaruar këto ditë se në raportin e tetorit për përparimin e Serbisë, nuk do të ketë tepër vlerësime pozitive. Dialogu është ndërprerë ndërkohë që shumica dërmuese e marrëveshjeve të nënshkruara më parë nuk është realizuar.
Edhe gazeta “Die Welt” paralajmëron për gjendjen në Serbi. “Qeveria nën kontrollin e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) ka bërë përgjegjëse mediat për standardin e ulët dhe për krizën” shkruan “Die Welt” dhe kujton se zëvendëskryeministri Aleksandar Vucic në kohën e Milosevicit ka qenë ministër i Informacionit dhe ka ushtruar presion ndaj mediave. Vucic dhe qeveria e tij, sipas kësaj gazete, kanë shkaqe të mjaftueshme për nervozizëm.
Sytë nga Moska, dorën nga Brukseli?
Lajmet për gjendjen e rëndë në Serbi po shtohen. Ndërkohë që në perëndim janë skeptikë lidhur me orientimin e qeverisë së re. Dyshimet mes Brukselit dhe Beogradit janë shtuar pas emërimeve, vendimeve dhe ligjeve të fundit në Serbi. Ndërkohë që qeveria, e cila zyrtarisht angazhohet për afrim me Bashkimin Evropian, tani po afrohet me Moskën. Me 11 shtator Moskën do ta vizitojë edhe presidenti Tomislav Nikolic, i cili do të pritet nga presidenti rus Vladimir Putin. Edhe gjatë kësaj vizite do të bëhet fjalë për thellimin e bashkëpunimit.
Qeveria e re ka shpresuar se me një retorikë të moderuar ndaj Kosovës dhe me shtimin e përpjekjeve për luftimin e korrupsionit, këtë vit do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Por diplomatët në Bruksel ende nuk janë të bindur në sinqeritetin e qeverisë në Beograd, shkruan gazeta. /Dw/Tg/kohaislame