2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Gazetarja greke turpërohet nga vendi i saj kur sheh kampet e refugjatëve në Turqi

Më të lexuarat

Gazetarja greke Liana Spyropoulou tha se ndihet e turpëruar nga vendi i saj kur sheh përsosmërinë e kampeve në Turqi në të cilat qëndrojnë refugjatët sirianë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Spyropoulou, korrespondente e gazetës gjermane Bild, në një artikull në lidhje me kampet e refugjatëve në Greqi dhe Turqi, ka shkruar se kampet në Turqi janë një mijë herë në gjendje më të mirë sesa ato në vendin e saj.

Gazetarja greke këto vlerësime i ka bërë pasi ka vizituar kampet e refugjatëve në Altınözü dhe Kilis të Turqisë.

“Në Turqi unë kuptova se çfarë loje jonjerëzore luan qeveria ime, Greqia ime, me refugjatët, e si bëhen politika në shpinë të më të gjorëve dhe të pambrojturve”, ka theksuar Spyropoulou.

Ajo ka thënë se ndihet e turpëruar nga gjendja e kampeve në Greqi që nga fillimi i krizës së refugjatëve në vitin 2015, duke shtuar se të strehuarit në këto kampe nuk kanë madje as dyshekë për të fjetur, detyrohen të gatuajnë jashtë duke ndezur zjarr dhe fëmijët atje janë të pambrojtur, ndërsa për këtë, ajo ka fajësuar Bashkimin Evropian (BE) dhe OKB-në.

Sipas gazetares greke, përmbushjen e nevojave të refugjatëve institucionet greke duhet ta kërkojnë vetëm nga BE-ja, por, siç ka shkruar ajo, Greqia nuk ka arritur ta bëjë as këtë. Ajo ka pyetur nëse vendi i saj vepron kështu në mënyrë që refugjatët të shkojnë në vende të tjera në veri ose në mënyrë që BE-ja të dërgojë më shumë mjete financiare.

Ajo thotë se nuk u ka besuar syve kur ka parë kampet e refugjatëve në Turqi, duke theksuar se këto kampe janë “hotele me pesë yje” nëse krahasohen me kampet në Greqi.

Duke krahasuar kampet në dy vendet, Spyropoulou ka shkruar se në Greqi, refugjatët detyrohen të përdorin banjo të përbashkëta, ndërsa në kampe është e pamundur të ecet normalisht për shkak të plehrave dhe të strehuarit atje janë të pambrojtur nga moti i keq. Ndërkaq, në kampet në Altınözü dhe Kilis, ka shkruar ajo, refugjatët jetojnë në shtëpi kontejnerë, kanë banjo dhe kuzhina të veçanta, çdo vend është tejet i pastër dhe madje pjesa e jashtme është gjelbëruar.

Spyropoulou po ashtu ka shkruar se në kampet në Greqi fëmijëve nuk u ofrohet mundësi arsimimi dhe ata luajnë në ambient të ndotur, kurse në Altınözü dhe Kilis gjenden kopshte, shkolla dhe një bibliotekë “e mrekullueshme”.

Sipas saj, refugjatët në Greqi nuk janë të sigurtë dhe detyrohen të presin tre deri në katër orë për të marrë ushqimin e tyre, kurse personave të regjistruar u jepen nga 90 euro në muaj.

Ndërkaq, në Turqi, siç thotë ajo, hyrjet në kampe bëhen përmes sistemit elektronik të identifikimit të shenjave të gishtërinjve dhe siguria është tepër e lartë, ndërkohë që refugjatët kanë mundësi të përgatisin ushqimin vetë dhe pranojnë nga 100 euro për person.

Gazetarja ka shkruar se disa nga refugjatët në Turqi madje kanë gjetur punë.

Ajo e ka cilësuar si të turpshëm faktin që Greqia ka rezultuar e pasuksesshme të strehojë një numër prej më pak se 65 mijë refugjatësh, ndërkohë që Turqia me sukses menaxhon tre milionë.

“Si një greke, unë ndihem e turpëruar”, ka shkruar Liana Spyropoulou.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit