1.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Gazetarët e mafias

Më të lexuarat

Nga Vehap Kola

Gazetarët e mafias e shohin përballjen ndërmjet të Mirës dhe të Keqes si një ndeshje futbolli. Nuk ka asgjë nga gazetari si rojtar i të vërtetës apo si raportues i drejtë tek gazetari i mafias. Ai nuk është i interesuar që e Mira të triumfojë dhe as ndjen se ka përgjegjësinë morale të gjurmojë të Keqen që i kanoset një shoqërie. Sapo përballja ndërmjet këtyre dy forcave morale themelore përfundon në mënyrë tragjike, gazetari i mafias nis të komentojë me cinizëm pikat e dobëta të të Mirës.

Gazetarët e mafias e mbyllin raportimin apo analizën e tyre me shprehje si “viktima njihet si person me precedent,” apo “viktima kishte një të shkuar kriminale,” apo “vrasja dyshohet të jetë kryer për larje hesapesh.” Qershinë mbi tortën e frazeologjive të gazetarisë së mafias e ka ofruar udhëheqësi shpirtëror i saj dhe i vetë mafias, Edi Rama: “hëngshin kokat e njëri-tjetrit!”

Në Shqipëri gazetarët e mafias janë të shumtë. Ata nuk kanë asgjë për të thënë për Habilajt, Avdylajt, Bajrajt, Çapjet, Berishët e Shullazët. Ata nuk kanë gojë të përmendin Kastratin, Zamirin, Salillarin, Sandrin, Beson e Taivanit apo Vilma Nushin.

Asnjë fjalë për be nuk thonë ata për Ardit Gjoklajn, paratë e drogës që bëhen kulla me lejet e Erion Velisë dhe Vangjush Dakos.

Ata heshtin si vdekja për rrugën 10 milion euro për kilometër në zemër të Tiranës, për kosto 20 milion euro për kilometër të Unazës së Re apo për rrugën fushore Milot–Balldren me kosto sa trefishi i kostos së Rrugës së Kombit.

Në kulmin e skandalit të një firme fantazëm që fallsifikon firmat e shtetarëve amerikanë dhe merr një tender abuziv, gazetari i mafias zbulon se opozita, jo streha mbi kokë, qëndron pas protestave të banorëve të Astirit.

Ata i shohin Edi Ramën, Saimir Tahirin, Fatmir Xhafën, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin, Pjerin Ndreun dhe Arben Keshin si viktima të smirës së njerëzve të paaftë të opozitës ndaj çunave të shkathët që të zgjidhin hall për çdo situatë.

Ditmir Bushati që koordinon Edi Ramën me Bajrajt dhe bën një fushatë edhe më kriminale se Tom Doshi apo Mark Frroku, për gazetarët e mafias është një politikan vizionar dhe patriot. Madje ai është shpresë edhe për të korrigjuar Ramën, kurdo që ky i fundit mund të mbytet nga arroganca dhe vetëpëlqimi e të mos i qasë as vetë këta gazetarë.

Për gazetarët e mafias nuk ekziston asnjë problem moral me kapjen e shtetit dhe kontrollin e zgjedhjeve nga grupet kriminale dhe familjet mafioze.

Problemi i vërtetë është në fakt opozita e cila është e frikësuar nga reforma në drejtësi. Madje ajo nuk frymëzon mjaftueshëm sa njerëzit të votojnë për të edhe pse të kërcënuar me jetën apo vendin e punës. Opozita nuk bën fare. Ajo duhet ndryshuar. Ajo duhet shkrirë për të bërë një opozitë të tjetër, si ajo opozita e re që voton njëzëri me Ramën konçesionin e rrugës Milot-Balldren 15 milion euro për kilometër.

Kur përgjimet e dosjes 184 dhe 339 publikohen nga gazeta Bild, gazetari i mafias nuk pyet prokurorinë nëse ka filluar hetimet për politikanët e bërë njësh me grupet kriminale për të manipuluar zgjedhjet.

Për të nuk përbën asnjë problem fakti që prokuroria ka 3 vjet që fle mbi dosjet e kërcënimit të zgjedhësve nga familjet mafioze. As politikanët që furnizojnë bandat me listat e njerëzve që duhen shantazhuar nuk duhen bezdisur me pyetje. Këtë e bëjnë të gjithë politikanët dhe kjo ka ndodhur sa herë ka patur zgjedhje në Shqipëri, thotë gazetari i mafias.

Nga ana tjetër, gazetari i mafias është i shqetësuar se si do ta pengojë prokuroria rrjedhjen e ‘sekreteve hetimore’ në media. Ai pyet prokurorinë nëse ka filluar hetimin për të zbuluar cili prokuror i ka nxjerrë ato përgjime jashtë. Për më tepër, ai është përvëluar të dijë edhe sa vjet burg do të marrë ai që nxori ‘sekretin hetimor’.

Ndaj opozitës, gazetari i mafias s’ka mëshirë. Opozita është një klub të paaftësh, që as nuk di si merret pushteti, as nuk e kupton se problemi është tek ajo, jo tek mafia që ka kapur çdo zyrë të shtetit.

Ai pyet zyrtarin amerikan se çfarë masash do të merren ndaj opozitës nëse ajo pengon votimet njëpartiake. Ai ndjen se zyrtari amerikan thellë-thellë nënkupton se opozita do të shpallet organizatë terroriste. Njësoj si PKK-ja kurde, si Hezbollahu në Liban dhe IRA në Irlandë. Nëse zyrtari amerikan nuk e thotë këtë drejtpërdrejtë, është detyrë e gazetarit të mafias që ta interpretojë deklaratën diplomatike për popullin e thjeshtë që i do gjërat copë në sy.

Nëse votimet njëpartiake nën kontrollin e plotë të grupeve kriminale janë në interesin publik apo jo, kjo nuk përbën asnjë merak për gazetarin e mafias. Ai i referohet KQZ-së për të shpallur si antikushtetues dekretin e Presidentit. Dhe pyet me ngulm deputetin e pushtetit: kur do të shkarkohet Presidenti që shkeli kushtetutën?

Kur një oficer policie denoncon shkrirjen e policisë me rrjetin e mbjelljes dhe trafikimit të kanabisit nën patronazhin e Ministrit të Brendshëm, gazetari i mafias shpreh dyshim se oficeri kërkon të fitojë azil me këtë akuzë. Gazetari i mafias nuk pranon asnjë arsye përse duhet të hulumtojë nëse ka ndonjë të vërtetë në dëshmi të tilla. Përkundrazi, ai vrapon të zbulojë se çfarë njeriu i lig, mashtrues, madje vetë i implikuar në çështje droge ishte ky oficer.

Kur gazetari i mafias është zëvendës, ai është i bindur se në aerodromin e Gjadrrit nuk ulen dot avionët e vegjël për të ngarkuar drogë sepse guriçkat në pistë u çajnë rrotat.

Sfida kryesore e vendit, sipas tij, nuk është kapja e shtetit nga krimi i organizuar, por ajo marrëdhënia e neveritshme e inçestit në Lezhë. Fundja, kjo tregon se sa të pështirë janë shqiptarët dhe sa të zgjedhur e kanë qeverinë.

Ai e quan shpopullimin e Shqipërisë një etapë emancipuese, ndërsa ikjen e rinisë në azil e sheh si turizëm kulturor.

Nga vila e tij luksoze, gazetari i mafias i çon selam Presidentit të Republikës për t’u paraqitur në emisionin e tij në ora 5 të mëngjesit. Nga ishujt ekzotikë ku ai kalon pushimet mijëraeuroshe me fëmijët që ka me ish-gruan e tij ministre, gazetari i mafias i kthen xhevap kryetarit të opozitës.

Sepse gazetari i mafias nuk humb kohë me vogëlsira si puna në terren, shqyrtimi i dokumentave, zbulimi i skandaleve. Gazetari i mafias është gazetar i madh: ai debaton me udhëheqësin e opozitës, me Presidentin, me ish-Kryeministrin.

Për gazetarët e mafias, ky kryetar i opozitës s’është gjë. Nevojitet një figurë tjetër, si Rudina Hajdari ose Astrit Patozi, që i vënë gjoksin Ilir Metës që kërkon të lerë shqiptarët pa votime.

Nëse demokratëve nuk u pëlqejnë Rudina dhe Astriti sepse janë shumë vanitozë, kemi Jozefinën. Ajo është mbretëresha e opozitarizmit. Flet gegninsht, si shumica e demokratëve dhe sulmon Bashën për mungesë alternative saherë që Rama është në pozitë të vështirë.

Gazetarët e mafias janë të sigurt se Shqipëria do të hapë negociatat me BE-në në tetor. Do të ishin hapur në qershor po të mos ishte për problemet e brendshme të vetë BE-së. Shto këtu edhe lobimin e një shoqeje të klasës së Lulit në parlamentin hollandez për të rikthyer vizat me Shqipërinë.

Opozita sipas gazetarëve të mafias është e lidhur këmbë e krye me Rusinë dhe protestat e saj synojnë të pengojnë rrugën europiane të Shqipërisë. Kapja e sektorëve strategjikë të ekonomisë shqiptare nga grupet ruse dhe kineze nuk është fare dëshmi e lidhjeve të qeverisë me rusët.

Argumenti më i qartë për këtë është heshtja e Ambasadës së ShBA-së. Edhe disa shqetësime të ngritura nga senati amerikan për kapjen nga rusët të sektorëve strategjikë në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Bosnje janë paranoja të qafëkuqve të Trampit që nuk marrin vesh nga Europa as nga Ballkani.

Kur gazetari i mafias është drejtor televizioni, ai nuk e përmend në asnjë lajm blerjen nga kinezët të aeroportit të Rinasit dhe Bankers-it, apo privatizimin e bankave nga grupe bankare ruse. Sa për këtë punë, paratë ruse i gjen nën jastëkun e opozitës.

Gazetarëve të mafias u duket dhunë grumbullimi i njerëzve përpara KZAZ-së në Tropojë, madje dhunë më e madhe se kërcënimi i mësuesve dhe mjekëve të Dibrës që nëse nuk votojnë PS-në, të hënën janë pa punë.

Gazetarët e mafias nuk janë të brengosur për shuarjen e pluralizmit, për fundin e ekonomisë së tregut, për sundimin e grupeve kriminale, shpopullimin biblik të vendit apo krizën e gjithanshme morale. Shqiptarët këtë kokë kanë. E ka thënë edhe Konica i madh. Shqiptarët nuk bëjnë dot shtet pa një çikë diktaturë.

Edhe në qoftë kaq keq sa pretendon opozita dhe leckamanët që e ndjekin, gazetari i mafias është i bindur se fajtore për këtë është opozita e cila është e dobët dhe nuk fiton dot asnjë palë zgjedhje. Ai vetë si gazetar, si njeri, si shqiptar nuk ka asnjë përgjegjësi. Ai është aty për t’i shërbyer atij që i hedh kockën. Në fund të fundit, çfarë qari ka ai nga mbrojtja e interesit publik?!

Këta gazetarë kanë bërë zgjedhjen imorale të talljes cinike me opozitën dhe normalizimit të të keqes.

Kanë zgjedhur të censurojnë debatin real: atë të kërcënimit të demokracisë nga grupet kriminale me pushtet politik, oligarkia mafioze që vë traun në rrugë për të vjelur haraçin nga publiku dhe nga politikanët që përdorin organizatat kriminale dhe paratë e pista për të fituar pushtet.

Këta nuk janë gazetarë të të majtës. Janë rojtarë të portave të mafias.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit