-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Gaza, familja shtron iftarin në mesin e rrënojave të shtëpisë

Më të lexuarat

Familja palestineze Shahin shtron sofrën e iftarit në muajin e Ramazanit në mesin e rrënojave të shtëpisë së tyre të rrënuar nga sulmet e Izraelit në Gaza në korrik të vitit 2014.

Familja Shahin, e cila jeton në qytetin Absan al-Kebira në lindje të prefekturës Han Junus në Rripin e Gazës, vazhdon jetën në një dhomë të rregulluar të ngelur nga shtëpia e tyre e rrënuar.

Afërsisht tri vite pas luftës, çifti Husejin dhe Semahir Shahin ende mbajnë të gjallë dëshirën për largimin e rrënojave dhe riparimin e shtëpisë së tyre sa më parë. Së bashku me vajzën e tyre tetëmuajshe Selma, ata hapin iftarin në sofrën e shtruar në mes të rrënojave.

Për vite të gjata çifti kishte pritur të kenë fëmijë. Teksa fqinjët e tyre kishin vendosur të merrnin shtëpi me qira pas rrënimeve nga sulmet izraelite, çifti Shahin kishte vendosur të tubojë të holla për të mundësuar shpenzimet e trajtimit me terapinë e fertilizimit in vitro.

Duke rrëfyer se para tetë muajsh ka marrë fund dëshira e tyre e madhe prej dhjetë vitesh për të pasur fëmijë, çifti Shahin thonë se nuk dëshirojnë që vajzën ta rrisin në rrënojat në të cilat vet kishin pranuar të jetojnë vetëm për hirë të saj.

“Nga sulmet izraelite, shtëpia jonë erdhi në gjendje ku nuk mund të qëndrohej brenda, por nuk gjetëm vend tjetër për t’u strehuar. Një pjesë të saj e rregulluam dhe vazhduam të qëndrojmë këtu, pa marrë asnjë ndihmë nga askush”, tha Semahir Shahin për AA.

Siç rrëfen Shahin, familja nuk ka marrë asnjë ndihmë për qiramarrje të ndonjë shtëpie nga Agjencia Humanitare e Kombeve të Bashkuara për e Refugjatët Palestinezë (UNRËA) apo ndonjë organizatë tjetër.

“Meqë numri i anëtarëve të familjes ishte i vogël, u vonua edhe riparimi i shtëpisë sonë. Organizatat ndihmojnë familjet numri i anëtarëve të së cilave është mbi pesë”, thotë Shahin.

Ajo thekson se jetën e kanë të vështirë, posaçërisht me ardhjen e muajit të Ramazanit. Ajo thotë se dhoma ku janë duke vazhduar jetën është e hapur dhe në të mund të hyjnë kafshë të ndryshme.

“Në të mund të hyjnë minj, milingona, mace, krimba, mushkonja dhe çdo lloj kafshe. Kam frik që foshnja ime të mos sëmuret në këto kushte të këqija”, shprehet Shahin.

Nëna palestineze thotë se krahas dhomës me defekte të shumta, një pjesë të kohës kalon edhe në një tendë të vogël. Dëshirë e saj është që të jetojë në një shtëpi më të rehatshme, sikurse gratë e tjera, në mënyrë që ta rrisë vajzën në një mjedis më të shëndetshëm.

Ndryshe, si rezultat i sulmeve 51 ditore që Izraeli i filloi në korrik të vitit 2014 ndaj Gazës, mbi dy mijë palestinezë humbën jetën, 11 mijë u plagosën, kurse mbi 28 mijë shtëpi u rrënuan.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit