2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Garë e re mes fuqive apo përballje të heshtura në ngritje?

Më të lexuarat

Nga Endrit Reka 
Aftësia ripërtëritëse si përcaktues vendimtar në përballjen mes demokracisë dhe diktaturës.

‘Virusi kinez’ Covid-19, siç thotë Presidenti Trump,në mos për arsye të tjera të paktën për origjinëne tij gjeografike e meriton të quhet i tillë, është i pranishëm tashmë në 210 shtete të botës. Ndryshe nga shkaktarët e krizave të tjera, përhapja e kësaj epidemie nuk bëri dallime sistemesh ekonomike, politike, gjeografike, kulturore apo financiare. Dallimi i vetëm mbetet të shihet tek aftësia dhe kapacitetet e këtyre shteteve për të dalë nga kjo situatë.

Profili aktuali sfidës

Pothuajse të gjitha strategjitë e rimëkëmbje-ripërtëritjes (të hartuara deri më tani), kryesisht ato të sulmeve bërthamore apo terroriste kanë mbetur në letër. Ky është rasti i parë që bota moderne, po teston përmes Covid-19, gamën e saj mëtë gjerë të këtyre kapaciteteve dhe aftësive. Vetëm dëmi ekonomik deri tani llogaritet të jetë mbi 4.1 trilionëdollarë. Ndërkaq ndikimi shkatërrues social është i pallogaritshëm. Papunësia, nga ana tjetër ka thyer rekorde.

Pavarësisht asaj që na pret, shtetet kanë marrë masa për parandalimin e sëmundjes duke vënë në vend të parë shëndetin. Shumëllojshmëria e masave varion që nga kufizimet ekstreme të bllokimit të plotë të jetës aktive, deri tek kufizimet minimale siç është vendosja e maskave, dorezave, etj.

Mjekët dhe politikanët janë prezantuar shumë më pranë njëri tjetrit këto 3 muajt e fundit. Ata shfaqen pothuajse në të gjitha emisionet kryesore informative dhe janë bërë pjesë e pandashme e stafeve televizive dhe bashkë me udhëheqësit e shteteve demokratike kanë orientuar qytetarët e tyre çdo ditë drejt ruajtjes dhe mbrojtjes së jetës.

Kriza është pranë. Shumë shpejt vendin e mjekëve do tata zënë ekonomistë, të cilët i pret një sfidë edhe më e madhe, për rimëkëmbjen e ekonomive; kjo pasi bota ndodhet përballë një krize të madhe ekonomike e financiare.

Shëndeti apo liria?

Përveç sfidës shëndetësore, Covid-19 paraqet edhe një sfidë ligjore për vendet demokratike. Në 40 shtete të ndryshme, qeveritë, në kuadër të masave parandaluese, kanë ndërhyrë duke cënuar, ku më pak e ku më shumë liritë dhe të drejtat e qytetarëve të tyre. ‘Kurrë në historinë e Shteteve të Bashkuara – edhe në kohë lufte – nuk ka ndodhur që qytetarit t’i hiqen të drejtat themelore përmes një vendimi të tillë agresiv të marrë me urdhër qeverie’ u shpreh një nga avokatet e qytetarëve të Shtetit të Miçiganit të cilët kanë paditur urdhërin e Gurvenatorit Whitmer të Miçinganit për kufizimet e lëvizjes të qytetarëve.

E njëjta praktikë po ndiqet edhe në shtete ku urdhrat e qeverive po sfidohen me padi ligjore nga qytetarët në gjykata të shkallëve të ndryshme, kundër rregullave të reja të kufizimeve të lëshuara në kuadër të luftës kundër pandemisë.

Në vetvete, këto padi ligjore nuk mohojnë faktin se gjendemi në një pandemi. Ato as nuk pretendojnë se nuk duhet të merren masa, por i rikujtojnë shtetit, të cilit i paguajnë taksa, që me masat kufizuese të mos nëpërkëmbin të drejtat themelore të lirive të njeriut, të cilat janë të patjetërsueshme dhe panegociueshme. Paditësit thjeshtë po paralajmërojnë se këto masa po sjellin një precedent të rrezikshëm për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm të një diktature të mundshme, të afërt apo të largët – ku shteti mund edhe t’i kundërvihet vullnetit të popullit të tij.

Vlerë apo hile?

Si ndodhi që Kina, e cila u përball e para me këtë pandemi që hamendësohet se e ka origjinën nga Wuhan (sipas Mike Pompeo), u rimëkëmb kaq shpejt nga ky virus tinëzar që ka goditur rëndë mbarë botën?

Ndërkohë që vendet perëndimore demokratike po përballen çdo ditë e më shumë me këtë betejë shëndetësore, ekonomike dhe ligjore, bazuar në të dhënat e deritanishme, Kinapothuajse e ka mbyllur kapitullin e përballjes së kësaj sfide në aspektin shëndetësor dhe ekonomik, meqenëse ai ligjor nuk ka ekzistuar në asnjë moment dhe nuk arsye pse.

Popullsia në Wuhan mori e para goditjen ekonomike e cila u bë bashkëshoqëruese e pandarë me pandeminë. Çelësi i ripërtëritjes ekonomike nuk ishte më në dorën e ekspertëve ekonomikë, por në dorën e mjekëve, policisë dhe ushtrisë. Sa më shpejt të izolohej përhapja e pandemisë e sa më shumë të kufizoheshin qytetarët e saj, pa pyetur për të drejtat e tyre, aq më shpejt do të rimerrte veten ekonomia.

Edhe mjekët atje, si çdo profesion tjetër shihen si pjesë e formulës Parti-Shtet. Gjatë ushtrimit të profesionit të tyre ata nuk duhet të thonë a bëjnë asnjë gjë që bie ndesh me direktivat e partisë. Në botën demokratike, mjekët dhe infermierët duartrokiten çdo natë për përkushtimin e tyre në luftën ndaj pandemisë dhe mediat pasqyrojnë me transparencë kritikat e tyre ndaj sistemeve shëndetësore.

Dr. Ai Fee, drejtuese e departamentit të urgjencës në Spitalin Qendror të Wuhan kritikoi qeverinë në Pekin për censurën e një interviste që kishte dhënë për revistën Ren Wu. Kjo mjeke tashmë nuk dihet ku ndodhet që prej datës 29 mars – raporton organizata ‘Reporterët pa Kufi’ . Të njëjtin fat kanë pasur edhe disa gazetarë investigativë që janë marrë me pandeminë COVID-19. Tashmë askush nuk e di ku ndodhen.

Në këtë këndvështrim kemi të bëjmë qartë me dallime thelbësore mes dy sistemeve diametralisht të kundërt: në njërën anë kemi në qendër njeriun dhe të drejtat e tij – nga ana tjetër kemi partinë-shtet si autoritet suprem. Nga njëra anë kemi përplasjen ligjore për balancimin e shëndetit të përgjithshëm me liritë e të drejtat e qytetarëve, nga ana tjetër kemi vetëm ligje që duhen zbatuar dhe bindjen absolute të subjekteve, të cilët në të kundërt rrezikojnë të dërgohen ose izolohen në vende të ‘paditura’.

Gara e re dhe ndryshimi i detyrueshëm rregullave të lojës?!

Ndryshimi i parë që kërkoi disidenti rus Andrei Sakharov, ishte shkëputja e Komitetit Qendror të Partisë nga vendimmarrja (ekzekutivi) – ky ishte edhe çelësi i shkëputjes nga koncepti parti-shtet. Për sa kohë që ekziston partia-shtet, atëherë shteti i së drejtës influencohet drejtpërsëdrejti nga idealet dhe vija e partisë në fuqi dhe për pasojë, nuk do të ketë shtet të së drejtës por shtet të partisë. Dhe kjo reflektohet automatikisht edhe në marrëdhëniet me shtetet e tjera.

Në këtë dallim të madh mes këtyre dy sisteme, Kina plotësisht e ndërgjegjshme për këtë ‘mangësi’ të demokracisë dhe ‘vlerë’ të sajën, e konsideroi këtë rast si një avantazh në aftësinë ripërtëritëse. Vendimet e partisë jo vetëm që nuk vihen në pikëpyetje, pra nuk ka asnjë mekanizëm ngadalësimi apo instrumente ‘kontrolli dhe balance’, por në disa raste ka edhe veprime të cilat kryhen vetëm për të ruajtur boshtin parti-shtet.

Kjo pandemi tregoi qartëse shtetet demokratike janë dukshëm në disavantazh në përballjen me këtë sfidë, krahasuar me vende jo-demokratike. Kapacitetet dhe aftësitë ripërtëritëse pas pandemive tashmë duhen të jenë kryefjala e strategjive të sigurive kombëtare, në mos më shumë se reagimet ndaj përballjeve bërthamore apo ato terroriste që deri më sot, kishin mbetur vetën në letër.

Deformimi i interesave të një populli dhe transformimi i tyre në interesat e një partie politike, e bën atë vend të rrezikshëm jo vetëm për popullin e tij, por edhe për çdo vend tjetër me të cilin ka marrëdhënie. Duke mos harruar ideologjinë, popullsinë dhe fuqinë prodhuese të Republikës Popullore të Kinës, ta konsiderosh atë si palë të barabartë në marrëdhënie me shtetet e tjera, në versionin më të mirë për shtetet e mëdha do të ishte naivitet me pasoja të parikuperueshme dhe në versionin më të keq për shtetet e vogla do të ishte djallëzore.

Shtetet demokratike kanë rastin më të mirë të provojnë aleancat dhe partneritetet mes tyre dhe të rrisin besueshmërinë e institucioneve demokratike tek njerëzit. Po ashtu duket se ka ardhur koha e rishikimit në thelb të partneriteteve dhe marrëdhënieve normale me palët të cilat e konsiderojnë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të palës tjetër si një avantazh të vetin dhe disavantazh të tjetrit. Krijimi i një mekanizmi parandalues ndaj këtij shfrytëzimi duhet të jetë i menjëhershëm, i qartë dhe me hapa të cilat do bëjnë të pamundur përsëritjen. Përndryshe më vonë do të jetë shumë vonë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit