Hoxhë i nderuar, në kohën e verës si zakonisht bëhen dasmat, dhe harxhohen para të mëdha. Një gjest që duhet të sqarohet është fustani i bardhë i nusërisë, a është i ndaluar?
Po, është e vërtetë se koha verës është koha e dasmave se për një kohë veshët të lodhen nga muzikat, edhe pse ti mund mos keshë dasëm, por duhet t’i dëgjosh muzikat e dasmave të krejt kojshive po edhe të katundit.
Në dasmat tona, e them me keqardhje, më së paku ka ngjyrë Islame, normalisht duke i patur parasyshë disa përjashtime. Mundohemi për fat të keq t’u përgjasojmë sa ma tepër të huajve, pra jo muslimanëve, a shumë pak interesohemi për qëndrimin Islam ndaj gjërave të tilla.
Harxhimet janë një kapitull tjetër i zymtë i dasmave tona, ndërkaq nga ana tjetër në vendet tona ka skamje të madhe. Me të vërtetë kontrast i madh, dhe sinqerishtë njeriu mbetet pa koment.
Për sa i përket fustanit të bardhë të nusërisë, parimisht nuk ka pengesë të vesh vajza fustan të bardhë kur shkon nuse.
Mirëpo, kjo nuk duhet kuptuar pa kushte, pra fjalët e mia nuk kanë të bëjnë me rrethanat tjera që e shoqërojnë fustanin e bardhë në dasmat tona.
Që të jemë më i qartë, them se ajo që e bëjmë ne në dasma është e pa lejuar, sepse nusja e re me fustan të bardhë prezenton në mes burrave që nuk i ka gjë për nga gjaku sipas normave Islame, poashtu disa fustana të bardhë bëjnë zbulimin e pjesëve shumë të rënda të auretit, që edhe pse bëhet fjalë në mes grave nuk është në rregull të zbulohen.
Pra, fustanin e bardhë mund ta vesh, por nuk është e lejuar që ai të zbulojë ndonjë pjesë të rëndë të auretit edhe nëse është në mes femrave, poashtu nuk duhet të përzihet me meshkuj apo të dal me atë fustan ku e shohin meshkujt, si dhe nuk duhet ta zgjedh fustanin nga dashuria ndaj ndonjë artisteje apo këngëtareje apo jo muslimaneje tjetër, sepse kalon në ndalesën që e ka Pejgamberi ﷺ që muslimani t’i përgjasojë atij të fesë tjetër.
Nëse i pëlqen thjesht modeli i cili nuk është në kundërshtim me parimet Islame, nuk ka pengesë që ta qep, edhe nëse e mban ndonji femër jo muslimane, sepse në këtë rast nuk do ta bënte këtë nga dashuria për imitimin e jo muslimanes, por për atë se i pëlqen modeli përkatës.
Do t’i kisha këshilluar të gjithë që të gjurmojnë pas butiqeve të cilat ofrojnë veshje Islame, e që janë prezente edhe në vendet tona.
Allahu e di më së miri.
Mr. Bashkim Aliu