“Furtuna” mediatike Xherdan Shaqiri- Shefqet Krasniqi dhe prerja në besë e mikut…
Ka prej ditësh që në mediat online qarkullon një “ushqim” i ri për të na hedhur neve, pjesëtarëve të realitetit virtual që marrim nga mediat sociale dozën e duhur për të shfryrë gjithçka nga s’e kemi bërë gjatë ditës.
Xherdan Shaqiri dhe Shefqet Krasniqi, dy figura publike, janë vënë kundër njëri-tjetrit, në fakt Xherdan Shaqiri, talenti ynë i kombëtares së Zvicrës e ka bërë “lanet” Imam Shefqet Krasniqin, pasi e ka mirëpritur në shtëpinë e tij në Shegër të Gjilanit së bashku me këngëtarin Arian Alushi, që mban nofkën artistike Golden AG.
Meseleja me dy fjalë: Imami i Prishtinës Shefqet Krasniqi ka shkuar në shtëpinë e Xherdan Shaqirit në Shegër, është mikpritur nga futbollisti i ka dhuruar disa libra dhe kanë folur për shumë gjëra dhe natyrisht për besimin, për të cilin vetë Shaqiri është shprehur se i përket dhe imami këtë e ka dhe për detyrë. Nejse asgjë të keqe deri këtu. Më pas, veç e veç dhe bashkë me Golden AG kanë dalë në një fotografi, padyshim për kujtim.
Këtë foto e kanë shpërndarë dhe ajo është botuar në rrjetet sociale dhe media online.
Por pas kësaj, disa media zvicerane, sigurisht virtuale, kanë nisur thumbet e sulmet, duke kujtuar Xherdanin se paska takuar një njeri që dyshohet për terrorizëm.
Dhe çfarë bën Xherdani pas kësaj, merr telefonin, hap facebook-un dhe shkruan gjermanisht se ai nuk ka faj pasi ka qenë vetë hoxha që ka kërkuar të dalë në foto dhe ky, nuk mund t’ja ndalonte pasi ai, është një fans si gjithë të tjerët.
Djaloshi nga Zhegri sikur ka harruar shumë nga traditat e tokës së tij dhe popullit që i përket. Miku kur të vjen në shtëpi, është mik dhe jo një “fans”. Dhe kur një miku i thua “bujrum” nuk nxjerr në pazar çfarë hëngrët, pitë, apo folët, le më pastaj të thuash se miku erdhi vetë se “donte të bënte foto”.
Shaqiri është i ri dhe është mësuar më shumë atje, por edhe në Zvicër miku nuk pritet në besë përkundrazi, këtu nuk hyn fare as vendi e as flamuri, por njeriu. Shaqiri ka qenë i detyruar që nëse do do ta bënte sqarimin në gjermanisht, duhet që të shkruante dhe shqip mbi atë që mediat ia kanë punuar, por ai thjesht u shfajsua.
Nejse, është faji i shoqërisë dhe i mediave që futbollistët e sotëm janë si “kukullat” e dikurshme të drurit që i përdorin si idhuj për të ndrequr imazhin, kur në fakt imazhin kushdo e tregon në jetën e përditshme: në lojë, rrugë, por edhe kur pret ndonjë mik në shtëpi.
Ndërkaq nga ana tjetër, nëse disa media periferike zvicerane kanë spekuluar në lidhje me Imam Shefqet Krasniqin (Nuk e bëri media serioze), këtë nuk duhet ta bënin rrjetet shqipshkruese.
Pasi Shefqet Krasniqi është një qytetar i lirë dhe i respektuar i Republikës së Kosovës. Mbi të nuk ka asnjë vendim gjykate, ndaj çdo fjalë kundër, quhet dëmtim imazhi dhe nëse hoxha i nderuar pajton Tom Gashin apo ndonjë avokat të aftë tjetër, ia merr ca euro apo lekë mediave tona. Krasniqi është dhe një zyrtar legjitim i një institucioni të rëndësishëm i njohur nga Kushtetuta e Kosovës siç është Bashkësia Islame e Kosovës.
Ndaj ai, në këtë rast nuk është as tifoz e as i dyshuar, por tek zviceranët duhet ta mbronte Shaqiri, sepse e kishte në besë, i kishte hapur derën.
Ndërsa mediat tona, do të ishte mirë t’i kishin injoruar këta zëra jo seriozë. Siç bëri media serioze e Zvicrës.
Po, mend për herë tjetër! Normalisht edhe për Imam Krasniqin: fotot me futbollistët ndoshta nuk janë “porta e duhur” për shtimin e vizualitetit. Po në fakt varet dhe me çfarë futbollisti ke dalë, se të ishte Mërgim Mavraj nuk do thoshte kurrë ato fjalë që nxori Xherdani. Besoj i mbajmë mend dokrrat e medias për të ndjerin babanë e tij dhe Mërgimi iu lut Zotit për të gjithë ne. Edhe pse nuk është imam…/tesheshi.com/