“Urtësia është përvoja, duke i shtuar asaj edhe meditimin.”
Aristoteli
Një mizë përpiqej të dilte nga dritarja e mbyllur dhe vazhdonte të qëndronte pezull e të sillej djathtas e majtas, lart e poshtë, derisa gjithë energjia e saj u shterua dhe ngordhi. Aty afër saj ishte dera e hapur, por ajo nuk u përpoq të kërkonte rrugë tjetër për të dalë, përveç dritares. Ajo këmbënguli në një rrugë të vetme, një herë pas një tjetre, derisa ngordhi, ndërkohë që mund të dilte nga ky qorrsokak, nëse ajo thjesht përpiqej.
Studiuesit kryen një eksperiment mbi minjtë, për të mësuar rreth aftësive e tyre për të vepruar. Ata vunë një mi në një labirint, dhe në fund të atij labirinti vendosën një copë djathë. Miu filloi të kërkonte e të kërkonte dhe çdo radhë provonte një rrugë ndryshe, derisa më në fund mbërriti tek copa e djathit dhe e hëngri. Eksperimenti vazhdoi. Studiuesit e ndërruan vendin e djathit dhe e kthyen edhe një herë miun në labirint, por këtë radhë vendnisja e miut do të ndryshonte nga hera e parë. Natyrisht, miu vrapoi për te vendi i mëparshëm, ku kishte gjetur copën e djathit herën e parë, por nuk gjeti gjë; ai vazhdoi ta kërkonte në çdo vend djathin, duke provuar rrugë të ndryshme, derisa më në fund arriti ta gjente, dhe kjo për shkak të fleksibilitetit me të cilin shquhet.
A vërejmë ndonjë ndryshim mes sjelljes të mizës dhe sjelljes së miut?
Natyrisht që ka ndryshim…! Miza ishte e vendosur të dilte nga dritarja dhe nuk zotëronte fleksibilitetin e mjaftueshëm që të kërkonte rrugëdalje tjetër. Ndërsa miu, edhe ai ishte i vendosur ta gjente copën e djathit, por ai zotëronte gjithashtu një fleksibilitet maksimal, në mënyrë të tillë që, sa herë përballej me një pengesë, ose dështonte, ai qëndronte disa sekonda, pastaj e ndryshonte planin dhe vepronte me shpejtësi. Si rezultat, ai e gëzoi shpërblimin duke marrë më në fund, copën e djathit.
Mund të jesh plot entuziazëm, të kesh energji maksimale, të kesh shumë aftësi dhe të veprosh në përputhje me to, mendërisht dhe fizikisht, dhe mund të kesh vendosmëri të plotë, por, nëse nuk ke fleksibilitet dhe gatishmëri për ta ndryshuar planin,çdo herë që has në sfida dhe vështirësi, ka mundësi që të dështosh, tamam siç ndodhi me mizën.
Charles Givens, në librin e tij “Super Self”, thotë: Përsëritja e së njëjtës përpjekje, e cila nuk jep sukses, nuk do ta ndryshojë rezultatin, sado që të shtohet numri i këtyre përpjekjeve”. Kjo do të thotë se mundet që punët të dështojnë, të tensionohen e të përfundojnë marrëdhëniet, kompanitë të deklarojnë falimentimin e tyre dhe njerëzit ta humbasin kontrollin e ndjesive duke u përpjekur të përsëritin gjërat që nuk funksiononin më parë. Ka njerëz që dalin nga një marrëdhënie e keqe, për të rënë në një tjetër marrëdhënie të keqe, pikërisht si e para. Ose ndodh që ndonjëri ta lërë një punë jo tërheqëse, për të zënë një punë tjetër pothuajse të ngjashme me të parën… Pra, për të mos bërë të njëjtin gabim, në këto raste, duhet përdorur fleksibiliteti, i cili është një nga çelësat themelorë të suksesit.
Sekreti i suksesit të japonezëve është aftësia e tyre për t’u përshtatur shpejt me të tjerët dhe ata gjithmonë janë në kërkim të përmirësimit të arritjeve të tyre.
Japonezët kanë besim të madh në tri fjalë; me ato fjalë jetojnë dhe ato fjalë i zbatojnë në jetën e tyre të përditshme:
Fjala e parë është fjala: Koniçiua, që do të thotë “Mirësevjen”. Me këtë fjalë ata e përshëndesin njëri-tjetrin, dhe me të e përshëndesin çdo njeri të huaj gjithashtu, duke i shtuar gjithmonë atë buzëqeshjen e tyre të përhershme.
Fjala e dytë është “Arigato!”, që do të thotë “Faleminderit!”. Kjo sepse ata i vlerësojnë të tjerët dhe i falënderojnë.
Fjala e tretë në të cilën ata kanë besim është fjala “Kajzen”, që do të thotë “Përmirësimi i vazhdueshëm”. Kjo, sepse ata e bëjnë mirë çdo gjë që bëjnë dhe e kryejnë më mirë se çdokush tjetër.
Fleksibiliteti dhe përshtatshmëria, të afroj në më shumë në realizimin e qëllimeve të tua. Piloti i avionit qëndron gjithmonë i gatshëm për ta ndryshuar rrugën gjatë gjithë udhëtimit, derisa të mbërrijë në destinacionin final.
Dr. Denis Waitley, në librin e tij “Kënaqësia e punës”, thotë: “Shkencëtarët nuk e dinë saktësisht se çfarë ka ndodhur me dinozaurët, por ata janë të gjithë të një mendjeje se ata nuk arritën të përshtateshin me ndryshimet e ambientit përreth tyre, ndryshe nga çfarë thonë për kacabunjtë, që ishin të pranishëm këtu në tokë, qysh rreth shtatë milionë vite më parë, dhe kjo për shkak të aftësive të tyre të shkëlqyera për t’u përshtatur dhe për të bashkëvepruar me të tjerët.”
Ekziston një hipotezë në Programimin neu rolinguistik, që thotë: “Fleksibiliteti është kontrolli… Njeriu me fleksibilitet më të madh në sjelljet e tij, zotëron kontroll më të madh mbi gjërat.”
Në librin e tij “Dhjetë çelësat e fuqisë së karakteriť”, Brian Tracy, thotë: “Tetëdhjetë përqind e gjithë asaj që ne bëjmë, do të ndryshojë brenda pesë vjetëve nga sot”. Ai gjithashtu thotë: “Mesatarisht, njeriut i vijnë të paktën katër shanse në vit, dhe nëse ka fleksibilitet të mjaftueshëm për t’i shfrytëzuar këto shanse, ai do të bëhet i suksesshëm”… Siç e përmendëm për Tomas Edisonin, ai dështoi mijëra herë, para se ta shpikte llambën elektrike dhe çdo herë provonte rishtazi një mënyrë të re, derisa ja arriti qëllimit. E njëjta gjë ndodhi edhe me Walt Disney, edhe me Kolonel Sanders dhe me të gjithë njerëzit e mëdhenj.
Është një histori rreth fleksibilitetit, që tregohet për një peshkatar, i cili kur gjuante, sa herë që zinte një peshk të vogël, e mbante, dhe sa herë që zinte një peshk të madh, e hidhte në përsëri. Një person u bë shumë kurioz, prandaj iu afrua dhe e pyeti: “A mund të ma shpjegosh sekretin se pse peshkun e madh e hedh sërish në ujë dhe mban vetëm peshqit e vegjël?!”… Peshkatari ia ktheu: “Edhe unë e bëj me shumë hidhërim këtë veprim, por jam i detyruar dhe s’kam rrugë tjetër. Ena ku unë gatuaj peshkun është shumë e vogël, e nuk mund ta gatuaj peshkun e madh aty, prandaj e hedh në ujë përsëri.”
Ani, pse nuk e prenë në copa peshkun e madh? – e pyeti i habitur personi.
Nëse ky peshkatar do të kishte patur fleksibilitetin e mjaftueshëm, ai do t’i rishikonte mundësitë dhe aftësitë e tij dhe do të mund ta gjente zgjidhjen e atij problemi, pa qenë nevoja ta mërziste veten duke e humbur gjithë atë peshk të madh.
Edhe ti gjithashtu, ke nevojë të jesh fleksibil dhe i gatshëm për ta përshtatur veten dhe për ta ndryshuar planin tënd, sepse njeriu mund të hasë sfida të mëdha në jetë. Për shembull, njeriu mund të humbasë punën, ose mund të ndahet nga shoku i tij i jetës, e të mbarojnë të gjitha lidhjet mes tyre. Prandaj, njeriu duhet ta fortifikojë veten e tij me fleksibilitet, për të bërë gjithë ndryshimet e nevojshme, që të jetë në gjendje të qëndrojë në këmbët e veta përsëri pas një problemi të mundshëm dhe të ecë në rrugën e duhur.
Më lejo të të bëj këtë pyetje: “Nëse vendos të kalosh një ditë në bregdet, dhe ti e përgatit gjithçka, e ëndërron të kalosh një kohë të bukur… Çfarë do të bësh, nëse qielli mbushet me re dhe fillon të bjerë shi?… A do ta kalosh ditën brenda në shtëpi, më shpirtin të ngushtuar duke ankuar kohën e keqe?… Do t’i marrësh familjen për ta kaluar ditën në një vend tjetër… apo do të ftosh shokët të të vizitojnë në shtëpi këtë ditë?
Ose për shembull, nëse rruga në të cilën je mësuar të kalosh çdo ditë në mëngjes, kur je duke shkuar në punë, është e mbyllur, pasi është duke u riparuar. Çfarë do të bësh ti?… Do të kthehesh prapë në shtëpi, apo do të kërkosh për një rrugë tjetër?
Nëse dëshiron të dëgjosh në radio, por gjen se treguesi i stacionit është vendosur në një stacion që ty nuk të pëlqen ta dëgjosh, a do të heqësh dorë për të dëgjuar radion, apo do të kërkosh të gjesh stacionin tënd të preferuar?
Një shok më pati thënë një herë: “Nëse dëshiron të kesh sukses, o Ibrahim, bëhu fleksibil.”. Unë e pyeta: “Çfarë do të thotë kjo?”… Ai m’u përgjigj: “Ditën që gjen një punë, të jetë gjithashtu dita që ti fillon të kërkosh një punë tjetër… Gjithmonë bëj të kesh një numër mundësish para teje”… Në fillim, nuk e kuptova aq mirë se çfarë kishte për qëllim me këtë, por më pas e kuptova se të gjitha mundësitë e mia të punësimit asokohe, ishin të përqendruara në fushën e hotelerisë. Prandaj, fillova ta pyes veten se çfarë mund të ndodhë nëse e humbas këtë punë, ose nëse kuptoj se nuk po më pëlqen më puna me hotelet? Në këtë moment, vendosa të studioj më shumë dhe arrita të marr njëzet e tri diploma, me të cilat arrita të jem në gjendje të punoj punë të ndryshme e të llojllojshme. Pastaj fillova të krijoj kompaninë time private, ndërkohë që akoma vazhdoja të isha drejtor hoteli. Në çdo kohë, unë isha i gatshëm të përparoja në rrugën time. Me kalimin e kohës, fitova më shumë fleksibilitet, në të gjitha aspektet e jetës sime. Nuk po dija saktësisht se çfarë doja të bëja, që të bëja planet e të ardhmes sime… të parashikoja pengesat që mund të qëndronin mes meje dhe arritjes së qëllimeve të mia, e t’i gjeja zgjidhjet paraprakisht.
Ndoshta pyet veten se si më parë unë kërkoja nga ti që të kishe pritshmëri pozitive, ndërsa tani po të them që të parashikosh gjërat negative që mund të të ndodhin?!… Përgjigjja është se këtu qëndron një ndryshim mes dy situatave. Të kesh pritshmëri pozitive është diçka e madhe, dhe për të arritur qëllimet e tua, duhet të jesh në dijeni të plotë qysh për para se çfarë mund të hasësh për t’ia arritur asaj, prandaj është detyrë që t’i gjesh zgjidhjet që më përpara, dhe kjo është ajo që hulumtuesit e quajnë: “Të menduarit strategjik për të patur sukses”. Nëse i thua vetes se mjafton të mendosh pozitivisht dhe gjithçka do të jetë në rregull, do të rrëzohesh në sfidën më të parë me të cilën do të ndeshesh në jetën tënde, se pse nuk ti e fortifikove veten kundër pengesave në të cilat mund të hasësh. Prandaj, duhet të mësohesh dhe të jesh i përgatitur për ndryshim të planit tënd, siç thoshte Marshall: “Jeta pa studim, nuk e meriton ta jetojmë.”
Kur isha drejtor hoteli në Montreal, drejtoria e ushqimeve dhe pijeve, organizoi një mbrëmje me rastin e vitit të ri. Programi i për gatitur përfshinte një darkë luksoze, të përbërë nga gjashtë pjata, pastaj edhe muzikë e kërcim, madje edhe ngrënien e mëngjesit ditën tjetër, pasi të pranishmit do ta kalonin natën në hotel. Pasi përgjegjësit e organizimit mbaruan së vëni edhe detajet e fundit të programit, unë i pyeta për planin zëvendësues, planin B… Ata më pyetën se çfarë kisha për qëllim me këtë, dhe u thashë: “Nëse plani fillestar nuk e arrin qëllimin, çfarë duhet bërë për ta arritur qëllimin e kërkuar?”… Të gjithë filluan të mendonin për planin B. Ideja e këtij plani ishte që në vend të darkës luksoze, të përbërë nga gjashtë pjata dhe shërbim të vazhdueshëm ndaj secilit të pranishëm në vendet e tyre, të bëhej një bufe e madhe, e hapur, e përbërë nga lloje të ndryshme peshku dhe ushqime deti, përveç programit të kërcimit lindor dhe muzikës lindore….
Pas projektimit të të dyja planeve, ne filluam fushatën e reklamimit të programit fillestar, dhe në fakt ndodhi ajo që kishim parashikuar. Vërtet, na erdhën vetëm njëqind kërkesa prenotimi, në vend të treqind kërkesave që na duheshin. Prandaj e ndërruam planin, duke përdorur programin zëvendësues dhe i njoftuam klientët për ndryshimin. Ata e pritën mirë këtë ndryshim, sepse do të kishin një program argëtues interesant, përveç ushqimit të përgatitur në formë bufeje të hapur dhe me të njëjtin çmim. Pastaj filluam të bënim reklama shtesë, duke u fokusuar në ndryshimet e reja dhe e arritëm qëllimin e pritur që ishte ardhja e treqind klientëve në mbrëmje, gjë të cilën nuk do ta arrinim, nëse nuk do të kishim plan zëvendësues dhe nëse nuk do ta kishim fleksibilitetin për ta ndryshuar planin fillestar.
Ja tani,për ty, një plan se si të arrish të kesh një nivel të mjaftueshëm fleksibiliteti:
1. Bëj një listë me qëllimet e tua dhe renditi sipas përparësive!
2. Zgjedh qëllimin që dëshiron ta realizosh më shumë se çdo qëllim tjetër!
3. Shkruaj tri plane që mund të të ndihmoj në ta realizosh qëllimin tënd, ku nëse nuk funksionon njëri plan, të jesh i përgatitur me planin tjetër.
4. Parashikoji më herët pengesat që mund të hasësh dhe përgatitu për zgjidhjet e tyre!
5. Bëhu gjithmonë mendjehapur për ide të reja!
6. Çdo ditë, ndaje një kohë për të rishikuar planin tënd, dhe kërko rrugë për të përmirësuar çdo situatë! Fillo që sot dhe përgatitu për çdo ndryshim! Fortifikoje veten tënde me fleksibilitet dhe do ta ndjesh ndryshimin për më mirë në jetën tënde. Kjo aftësi do të të ndihmojë të mbërrish në majë të suksesit dhe të lumturisë.
Dhe kujto gjithmonë:
Jetoje çdo çast sikur të ishte çasti i fundit i jetës sate…!
Jeto me besim! Jeto me shpresë!
Jeto me dashuri! Jeto me përpjekje
dhe çmoje vlerën e jetës!