1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Freedom House: Retortika islamofobike ishte shqetësim për vitin 2014

Më të lexuarat

Kosova, mes demokracive elektorale

 

Kosova konsiderohet si një nga vendet me përparim më të madh për zhvillimet e vitit të kaluar. Ajo për herë të parë është futur mes vendeve të konsideruara “demokraci elektorale” falë vlerësimeve për procesin zgjedhor dhe të drejtave politike.

 

Të drejtat politike kanë marrë notën 4 nga 5 për vitin e kaluar, falë zgjedhjeve relativisht të suksesshme të qershorit dhe marrëveshjes politike për qeverinë e koalicionit. Për liritë civile, vlerësimi ka qenë i pandryshyar në 4.

 

Freedom House thotë se 2014-a shënoi një kulminim të prirjeve pozitive dhe se përveç zgjedhjeve organizata vërejti edhe përmirësimin në pluralizmin politik, marrëdhëniet partiake dhe përgjegjshmërisë së qeverisë. Freedom House thotë se vlerëson faktin që PDK-ja bashkëpunoi, që udhëheqësi i opozitës u bë kryeministër dhe që qeveria po e shton transparencën ndaj publikut.

 

Zoti Puddington thotë se shumë vende si Kosova kanë pasur arritje që janë ende të reja në drejtim të demokracisë.

 

“Nëse një vend arrin përmirësim, ne e njohim atë përmirësim. Nëse vitin që vjen, gjërat lëvizin në drejtim të gabuar, nëse ka një rënie të shkallës së lirisë, ne do ta nënvizojmë atë”, thotë zoti Puddington.

 

Duke folur për ngjarjet e ditëve të fundit që u shoqëruan me dhunë, ai thotë se synimi i Freedom House nuk është të gjykohet nëse ndryshimet që janë realizuar do të vazhdojnë nga një vit në tjetrin.

 

“Pra ne e kuptojmë që ka një element brishtësie në demokracinë e Kosovës sot. Korrupsioni ka qenë gjithmonë problem madhor. Përsa i takon këtij akti të dhunshëm ditët e fundit, një pjesë e madhe e saj ka të bëjë me tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës”.

 

Zoti Puddington thotë se tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve janë diçka me të cilën zyrtarët e vendit duhet të përballen. Në fakt megjithë përmirësimin e kohëve të fundit, në raport thuhet se kushtet e serbëve dhe  retorika islamofobike ishin shqetësime për vitin 2014. Mes incidenteve shqetësuese përmenden arrestimi i imamëve të Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës dhe dëmet e varrezave ortodokse serbe.

 

Gjendja e lirisë në Shqipëri

 

Shqipëria vazhdon të ketë të njëjtën shkallë vlerësimi, duke marrë 3 pikë për gjendjen e lirisë në përgjithësi, në një sistem matës me një shkallë nga 1 në 7, ku 1-shi përfaqëson liritë më të mëdha dhe 7-ta mungesën më të madhe të lirive.

 

Freedom House ia atribuon mosndryshimin e vlerësimit kombinimit të problemeve të rrënjosura institucionale dhe reformave pozitive por që janë ende në fazat e para.  

 

“Sigurisht që ne do të preferonim që Shqipëria të kishte shënuar më shumë përparim”, thotë Arch Puddington, zv/president për kërkimet tek kjo organizatë.

 

Ai ia atribuon mungesën e përparimit, historisë së shtypjes së regjimit totalitar të Enver Hoxhës, që ai thotë ishte më i rëndë sesa vendet e tjera të Evropës Lindore.

 

“Mendoj se vendi ende po përpiqet të dalë nga ajo errësirë ku ishin zhytur nën regjimin Hoxha.  Prandaj mund t’u duhet pak më shumë kohë. Ata kanë shënuar përparime të rëndësishme”.

 

Raporti nënvizon se qeveria e kryeministrit Edi Rama siguroi në vitin 2014, statusin e vendit kandidat pas tre shtyrjeve të mëparshme dhe është vlerësuar për masat ndaj krimit të organizuar, ligjit të ri për lirinë e informacionit dhe ligjit për proceset e konsultimit për hartimin e legjislacionit dhe strategjive të rëndësishme për politikat.

 

Megjithatë, vazhdon Freedom House, vendi vazhdoi të vuante pasojat e mosmarrëveshjeve politike, përfshirë bojkotimin e parlamentit nga opozita, mosndëshkimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion dhe një trashëgimi emërimesh politike në postet e gjyqtarëve.  Zoti Puddington thotë se nëse do që të anëtarësohet në BE, Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet.

 

“Por një nga gjërat që kemi mësuar është se kur një vend anëtarësohet në BE, ka prirjen t’i respektojë standardet demokratike në mënyrë të qëndrueshme, kështuqë ne shpresojmë që Shqipëria ta arrijë atë synim”.

 

 

Rënie e lirisë në shkallë globale

 

Në shkallë globale, Freedom House vlerëson se në vitin 2014 liria ka rënë për të 9-in vit me radhë, për shkak të taktikave agresive nga regjimet aurtoritare dhe shtimit të sulmeve terroriste. Raporti i Freedom House shqyrton gjendjen e të drejtave politike dhe lirive civile. Zoti Puddington, thotë se pranimi i demokracisë si forma mbizotëruese e qeverisjes dhe e një sistemi ndërkombëtar ngritur mbi idealet demokratike, është nën kërcënimin më të madh që prej 25 vjetësh.

 

Raporti citon ndërhyrjen ruse në Ukrainë, dhe zhvillimet në Egjipt, Turqi dhe Kinë si shembuj.

 

Por Freedom House tërheq vëmendjen se demokracitë shpesh presin deri kur prirjet autoritare të kthehen në katastrofë ndërkombëtare para se të ndërhyjnë dhe kjo sipas kësaj organizate është për të ardhur keq sepse edhe regjimet më shtypëse kanë treguar se përgjigjen para presionit të popullit të tye dhe atij nga jashtë.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit