Gara zhvillohet mes dy ish-kryeministrave të vendit, Francois Fillon (62) dhe Allain Juppe (71)
Republikanët, partia e qendrës së djathtë në Francë, sot zgjedhin kandidatin e tyre për zgjedhjet presidenciale të cilat do të mbahen në vitin 2017, ndërkohë që gara zhvillohet mes dy ish-kryeministrave të vendit, Francois Fillon (62) dhe Allain Juppe (71), raporton Anadolu Agency (AA).
Fillon, i cili premtoi se do të reduktojë vendet e punës në sektorin publik dhe se do të ulë shpenzimet qeveritare, javën e kaluar në raundin e parë fitoi 44 për qind të votave, me çka llogaritet pretendenti kryesor për të fituar nominimin e republikanëve konservatorë.
Nga ana tjetër Juppe, i cili është deklaruar për një “identitet të lumtur” të Francës, tha gjatë fushatës se nuk do të bëjë ndryshime në ligjin për martesat mes gjinive të njëjta të cilin e miratoi qeveria socialiste, por premtoi se do të heq pagesën e tatimit të fitimit.
Fillon, i cili ushtroi postin e kryeministrit të Francës në vitet 2007- 2012 gjatë fushatës prezantoi programin më radikal në reformat në punë, duke premtuar se në periudhën e ardhshme pesë vjeçare do të reduktojë 500.000 vende të punës në sektorin publik.
Kandidatët që pretendojnë të trashëgojnë postin e presidentit Francois Hollande kanë pikëpamje të ndryshme mbi çështjen dhe identitetin francez.
Fillon theksoi se emigrantët duhet të respektojnë trashëgiminë kulturore të vendit në të cilin kanë ardhur, ndërkohë që Juppe thotë se fuqia e Francës qëndron në shumëllojshmërinë e saj.
Gjatë debatit dy orësh televiziv të premten, Fillon tha se “ndjen se ka fituar betejën ideologjike”, duke këmbëngulur se Franca asnjëherë nuk ka qenë më shumë djathtiste se që është tani për çka kandidatura e tij është “një zgjedhje e përkryer.
“Projekti im është më radikal. Franca nuk është një komb multikulturor. Kur shkoni në shtëpinë e dikujt është nga mirësjellja të mos e pushtoni”, tha Fillon.
Lidhur me politikën e jashtme, ai mban qëndrim për marrëdhënie të mira dhe më të afërta me Moskën dhe presidentin e Rusisë Vladimir Putin mbi situatën në Siri.
I pyetur në fillim të fushatës nëse Franca do të bashkëpunojë me Bashar al-Asadin në luftën kundër organizatës terroriste DEASH, Fillon tha se Franca duhet të bashkojë forcat me të gjitha fuqitë e mundshme, “qofshin demokratike ose jo”.
Përzgjedhja e kandidatëve i organizuar si me modelin e SHBA-ve, është i pari i këtij lloji për republikanët francezë, ndërsa socialistët do të zgjedhin kandidatin e tyre në janar.
Zgjedhjet presidenciale në Francë do të mbahen më 23 prill dhe 7 maj.