0.9 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Foreign Policy: Mbijetuesi…

Më të lexuarat

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka deklaruar: “Për hir të popullit sirian, ka ardhur koha që presidenti Assad të largohet”.

Kjo ka qenë thirrja e parë eksplicite për udhëheqësin sirian që të japë dorëheqje, por sot, 452 ditë më vonë, Bashar al-Assad mbetet në pushtet.

Kështu nis shkrimin revista amerikane “Foreign Policy”, e cila kujton edhe deklaratën e javës së kaluar të Assadit për mediat ruse: “Jam sirian, jam krijuar në Siri. Duhet të jetoj në Siri dhe të vdes në Siri”.

Ndryshe nga vendet e tjera arabe, ku autokratët kanë rënë nga kryengritjet e qytetarëve, regjimi i Assadit nuk tregon shenja se do të vyshket shpejt.

Interesat konkurruese të lojtarëve rajonalë dhe ndërkombëtarë kanë penguar ndërhyrjen e huaj ushtarake. Sipas revistës, fuqia e regjimit dhe ndarja e forcave antiqeveritare ka luajtur, po ashtu, rol të rëndësishëm në dekurajimin e përfshirjes së huaj.

Katër arsyet pse Assad ende është në pushtet

“Foreign Policy” shkruan për katër arsyet e mbetjes së Assadit në pushtet.

E para, sipas revistës, është fakti se regjimi i Assadit nuk është plasaritur. Në korrik, qarku i brendshëm i tij ka pësuar goditje të rëndë kur një bombë ka vrarë katër zyrtarë – përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Daoud Rajiha. Por, regjimi është rimëkëmbur shpejt, duke emëruar menjëherë zëvendësimet e zyrtarëve.

Sipas njerëzve të afërt me qarqet e regjimit, shpërthimi i korrikut ka qenë hera e parë që regjimi i Assadit është ndjerë i kërcënuar. Goditjet e tjera, të tilla si dezertimi i kryeministrit sirian, Riad Hijab, nuk kanë paraqitur kërcënime serioze për regjimin, shkruan revista.

Si arsye të dytë, ajo përmend ushtrinë siriane. Personeli aktiv numëron 295,000 ushtarë, ndërsa rezervat përfshijnë 314,000 trupa shtesë.

Shifra të sakta nuk mund të sigurohen, por flitet se 50,000 deri në 100,000 ushtarë kanë dezertuar te forcat rebele. Shifrat, sipas revistës, janë të pamjaftueshme për të dëmtuar seriozisht kapacitetet e ushtrisë. Për më tepër, shumë nga të larguarit ushtarakë, kur u është dhënë mundësia, janë larguar për në shtëpi dhe nuk u janë bashkuar rebelëve.

Komuniteti alavit mbetet armiqësor ndaj kryengritjes dhe kjo është arsyeja e tretë e fuqisë së Assadit, shkruan “Foreign Policy”. Alavitët janë pakicë fetare, së cilës i përket edhe vetë presidenti.

Në mesin e saj ka pasur disa shenja të pakënaqësisë, kryesisht për shkak të pasojave të rënda në radhët e forcave alavite të ushtrisë, por numri i dezertuesve ka qenë relativisht i vogël.

Opozita, në anën tjetër, ka dështuar që të afrohet me ta. Asnjë figurë opozitare nuk ka bërë përpjekje që t’i bindë alavitët se e ardhmja e tyre në Sirinë e pas-Assadit do të jetë e sigurt nga hakmarrja, se do të gëzojnë të drejta të barabarta si vëllezërit sunitë dhe se do të ruhen interesat e tyre ekonomike.

Ndarjet brenda opozitës siriane janë arsyeja e katërt për fuqinë e regjimit, shkruan revista. Grupet opozitare kanë nënshkruar një marrëveshje më 11 nëntor, e cila ka për qëllim bashkimin nën një koalicion të të gjitha fraksioneve anti-Assad. Por, shumë punë mbetet për t’u bërë.

Sfida themelore është mungesa e një programi politik, i cili bashkon opozitën. Edhe pse grupe të ndryshme janë duke punuar për agjendën, ende nuk ka një vizion të përbashkët politik se si të veprohet sot dhe pas rënies së Assadit.

Me pak fjalë, ka një vakum politik dhe një vakum organizativ në çdo nivel të opozitës siriane. Rrjedhat e ndryshme të financave, të cilat kanë qenë në dispozicion për opozitën, kanë përkeqësuar edhe më shumë këtë problem.

Pa marrë parasysh se kush merr kryesimin e regjimit sirian në të ardhmen, “Foreign Policy” shkruan se presidenti i ardhshëm do të duhet të merret me një qytetari të fuqizuar, e cila nuk do të pranojë më sundimin e dorës së hekurt. Regjimi i Assadit mund të mos bjerë nesër, por ai nuk mund të sundojë Sirinë – mënyra e tij e kontrollit nuk funksionon më, pasi ka dëshmuar të jetë i paaftë për reforma të rëndësishme.

Në anën tjetër, militarizimi i konfliktit ka mënjanuar aktivistët dhe grupet civile, që kanë nisur kryengritjen. Dështimi dhe mosgatishmëria e opozitës politike për të artikuluar një hartë të besueshme për zgjidhje, bën që konflikti ushtarak ta zhysë vendin edhe më thellë në kaos dhe dhunë.

Për më tepër, thuhet në artikull, në Siri po shfaqen edhe aktor të rinj. Grupet luftarake islamiste, në veçanti, kanë injektuar agjendën e tyre në konflikt. Ndonëse nuk janë aq të shquar siç kanë qenë gjatë luftës civile në Irak, ata kanë potencial të bëhen lojtarë të mëdhenj në Sirinë e ardhshme.

Në luftëra, ashtu si edhe në evolucion, të fortit mbijetojnë dhe lulëzojnë dhe këto grupe, për fat të keq, përbëjnë më të fortit, shkruan “Foreign Policy”./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit