Ndalo, nuk të lejoj të qëllosh mbi mua,
Me plumba nuk vritet zemra e pafajësisë,
Me zjarr nuk digjen trupat e pafuqisë
Me bombardime nuk shkatërrohet vendi i lumturisë.
Ta bëj me dije që për secilin ka një Zot.
E gjakun tonë as akulli nuk ngrin,
Buzëqeshjen nga fytyra imë se largon dot
Prandaj vdekja nuk ma merr dot lumturinë.
E vetmja forcë që kam është të mos kem frikë.
Dhe pse këto rrugë me lot po i laj
Kjo njerëzi paska qenë shumë e ligë
Të etur për të marrë shpirtra që nuk kanë faj!
Jemi fëmijë pa më të voglin faj.
Po dëgjojmë vetëm krisma dhe vaj,
Jemi fëmijë të ngrirë si skulpturë
Na ka mbuluar pluhuri si pëlhurë!
Nuk kemi një dorë të na përkëdhelë.
Jo, as strehë nuk kemi më
Por nderin tonë askush nuk mund ta shkelë
Se zemrës së pafajshme askush nuk i bën dot asgjë!
Eh! Këto krisma që na morën fëmijërinë
Që shtëpitë në gërmadha na i kthyen
Që lotin në sy na e ngrinë,
Që zemrat tona, pa mëshirë, në dysh i thyen!
Si është e mundur që bota nuk ndjen asgjë.
Kur sheh ëngjëj që shuhen në pafajësi,
Kur sheh fytyra që shprehin dhembshuri,
Kur sheh trupa që mposhten me pafuqi.
Zoti ju dënoftë o njerëz të ligë,
Nga lotët e pafajshëm si nuk keni frikë,
Do të digjeni dhe ju, do të merrni dënim
As vdekja për ju nuk do të jetë shpëtim.
By:Leonora Dauti