3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Fondi i veçantë për veriun, përtej Planit të Ahtisaarit?

Më të lexuarat

Marrëveshja e përkohshme për doganat, e cila ka rezultuar nga takimi i fundit i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb, Ivica Daçiqi, nuk është sqaruar sa duhet para opinionit dhe si e tillë nxit dilema të shumta, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në Kosovë.

Ata thonë se krijimi i një buxheti të veçantë nga Qeveria e Kosovës për veriun e vendit, nuk do të binte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Dokumentin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, mbi të cilin bazohet Kushtetuta, por edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Por, sipas tyre, krijimi i një fondi të veçantë për veriun e vendit nga taksat që merren në pikat doganore 1 dhe 31, në veri, pa kaluar nëpër buxhetin e Kosovës, do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe veprim në s’përputhje me Dokumentin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit.

Analisti i çështjeve politike, Shpend Kursani, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED, vlerëson se sinjalet që vijnë nga takimi i fundit Thaçi – Daçiq, japin të kuptohet se vendkalimet kufitare 1 dhe 31 do të trajtohen ndryshe nga vendkalimet kufitare tjera.

“Nga takimi i fundit, me sa duket, është marrë vesh që doganat e mbledhura nga pikat 1 dhe 31, të përdoren vetëm për veriun e Kosovës. Me planin e Ahtisaarit, të mbledhurat nga këto pika doganore do të duhej të shkonin në buxhetin e Kosovës, e prej buxhetit të Kosovës të ndahen për veriun apo për ndonjë rajon tjetër të Kosovës”.

“Meqenëse po i mbajnë informatat e fshehura nga ky takim, mirëpo në bazë të deklaratave që janë dhënë edhe nga zoti Thaçi, por edhe nga letra e zonjës Ashton, të mbledhurat nga pikat doganore do të shkojnë për veriun e Kosovës, gjë që do të tejkalonte planin e Ahtisaarit, nëse janë marrë vesh kështu”, thotë Kursani.

Analisti dhe njohësi i rrethanave integruese, Shenoll Muharremi, vlerëson se çështja e fondit të veçantë për veriun nuk duhet shikuar si çështje e izoluar.

“Në rast se deri në qershor, gjatë bisedimeve, ne arrijmë që të zhbëhen strukturat paralele të sigurimit dhe të tjera të Serbisë, si dhe të shtrihet juridiksioni i Republikës së Kosovës, pa e cenuar sovranitetin e Kosovës, unë mendoj se ky fond dhe ky dialog do të jetë me rezultat pozitiv për Kosovën”.

Shenoll Muharremi
​​”Patjetër që çështja e veriut është çështje shumë e ndjeshme dhe në shumë aspekte nuk do ta kënaqë vetëm njërën palë, por thjesht, do të ketë kompromise që do t’i kënaqin të dy palët, me kusht që të ecet përpara në rrugën evropiane edhe të Kosovës edhe të Serbisë”, konsideron Muharremi.

Por, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit të fundit me Daçiqin, ka thënë se “tash doganat do të paguhen sipas standardeve që ka caktuar Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka shpjeguar se mjetet e mbledhura nga dogana, do të shkojnë në një fond të veçantë që do të themelohet nga Bashkimi Evropian, e kryesisht ato mjete do të përdoren për zhvillimin e komunave veriore.

Analisti Kursani beson se të dy kryeministrat, në deklaratat e tyre do ta mbajnë fshehur se marrëveshja është si zgjidhje që ka dalë jashtë dokumentit të Ahtisaarit.

“Kryeministri Thaçi do të thotë se nuk ka dalë nga Plani i Ahtisaarit, ndërsa pala serbe do të thotë se nuk ka dalë nga Kushtetuta e saj, e ku ta di unë. Mirëpo, çka është me rëndësi, është se pas kësaj marrëveshjeje, me siguri që në bisedat e ardhshme do të hapet edhe çështja e policisë dhe gjyqësisë. Aty do të duket edhe më qartë se a po tejkalohet plani i Ahtisaarit edhe në polici dhe gjyqësi apo jo. Sepse, me dogana, mund të them se po”, thekson Kursani.

Merdar…
​​Por, Muharremi vlerëson se problemi i veriut të Kosovës është i dukshëm dhe ai duhet të adresohet dhe zgjidhet.

“Do të ishte shumë mirë që edhe plan të Ahtisarit të mos kishte. Por, ne e kemi situatën ashtu çfarë e kemi dhe duke marrë parasysh perspektivën dhe mirëqenien e qytetarëve, të gjejmë zgjidhje, të cilat na mundësojnë ta mbyllim çështjen e veriut të Kosovës, në mënyrë që të fokusohemi sa më shpejt në zhvillimin e vendit dhe në integrimin e saj në BE”, vlerëson Muharremi.

Ndryshe, sipas shpjegimeve që ka dhënë kryeministri serb Daçiqi, fondi i veçantë do të mbikëqyret nga një përfaqësues i BE-së, një përfaqësues i veriut të Kosovës dhe një nga Prishtina.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit