Fondacioni Kulturor, Arsimor dhe Humanitar, “ALSAR”, edhe këtë vit ka akorduar 150 bursa për studentë ekselentë nga e gjithë Shqipëria. Ky është kësti i parë për vitin 2018, pasi do të ketë edhe një këst tjetër në gjashtëmujorin e dytë. Bursat u shpërndanë, nëpërmjet një ceremonie në Tiranë, ku merrnin pjesë studentë dhe prindër të studentëve përfitues të kësaj burse, studentë të tjerë, pedagogë, drejtues kryesorë, shefa departamentesh dhe katedrash të fakulteteve të ndryshme të universiteteve publike të Tiranës, përfaqësues nga ambasada turke në Tiranë etj.
Ceremoninë e hapi kryetari i Fondacionit Kulturor, Arsimor dhe Humanitar, ALSAR, Mehdi Gurra, i cili, pasi përshëndeti pjesëmarrësit në takim, foli për veprimtarinë e fondacionit të drejtuar prej tij në fushën e arsimit dhe të edukimit të të rinjve shqiptarë, veçanërisht atyre të talentuar nëpërmjet mbështetjes dhe inkurajimit akademik.
Në fjalën e tij, ai dha shifra mjaft interesante.
“Kështu, në katër vjet, Fondacioni “ALSAR” ka akorduar për studentët ekselentë mbi 400 bursa, me një rritje progresive nga viti në vit. Treguesit e pritshmërisë së tij kanë ardhur gjithnjë në rritje, numri i përfituesve në vitin 2014 ka qenë 25 studente, tashmë gjatë këtij viti, falë mbështetjes dhe inkurajimit të partnerëve tanë, numri i tyre ka arritur në 150 studentë.
Por puna në këtë drejtim nuk ngelet këtu. Fondacioni jo vetëm interesohet për këta studentë në vijimësi, por me programe aftësimi dhe projekte të tillë si “Nise tani karrierën tënde”, “Në horizontin e vullnetarizmit”,“Miqtë e librit” dhe ”Takim me personalitete”, synon të kontribuojë sadopak në orientimin e vëmendjes së studentëve drejt vullnetarizmit, punës në grup, dhe mendimit kritik si mekanizmat më të mirë të aftësimit kulturor e profesional të rritjes së potencialeve të tyre intelektuale e aktivizimit shoqëror.
Tashmë ky program është shndërruar në një traditë vlerash që ndiqet e pasurohet ndër vite”, tha më tej Gurra, duke bërë thirrje për sa më shumë aplikime në të ardhmen.
“Realizimi i këtij programi arsimor ndër vite mundësohet falë ndihmës bujare te institucioneve partnere turke që janë ndër shembujt konkretë e më shprehës të dashamirësisë, miqësisë dhe aleancës strategjike që ka populli dhe shteti turk me Shqipërinë. Një e vërtetë e pamohueshme dhe e vërtetuar në të gjitha aspektet! Tashmë ky program konsiderohet ndër projektet parësore dhe strategjike të Fondacionit “ALSAR”, duke u shndërruar në një traditë vlerash që ndiqet e pasurohet ndër vite…”, përfundoi fjalën, kryetari i fondacionit, Mehdi Gurra.