2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

FOL: Komunat në fazën fillestare të politikave të transparencës

Më të lexuarat

Lëvizja “Fol” ka publikuar të premten raportin “Indeksi i transparencës në nivel komunal”. Koordinatorja e këtij projekti, Mexhide Demolli-Nimani, në një konferencë për media tha se meqenëse projekti është i karakterit ‘pilot’, kësaj radhe ka mbuluar vetëm katër komuna të përzgjedhura: Gjakovën, Podujevën, Prizrenin dhe Mitrovicën.
Përmbajtja e këtij raporti bazohet në informatat e mbledhura përmes një pyetësori të strukturuar, të plotësuar nga secila komunë e përzgjedhur gjatë muajve maj – qershor 2012, dhe dokumenteve të dërguara nga këto komuna.

Përgjegjësit për informim publik në Komunën e Prizrenit kanë treguar njohuri të konsiderueshme, ndonëse jo të kënaqshme, të dispozitave të Statutit që synojnë zbatimin e dispozitave kushtetuese dhe ligjore.

Po ashtu në Rregulloren për transparencë, kjo komunë nuk ka arritur të shpjegojë çfarë obligimesh, strukturash dhe resursesh specifike brenda strukturave komunale parasheh ajo.

Ndërkaq, sa i përket komunës së Mitrovicës, zyrtarët për informim të kësaj komune kanë treguar njohuri të kënaqshme të dispozitave të Statutit , pasi që ata kanë listuar të gjitha dispozitat relevante të Statutit që rregullojnë qasjen në dokumente zyrtare të Komunës dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje. “Gjendja duket pak më e mirë sa u përket masave zbatuese, pasi që kjo komunë ka listuar disa prej tyre: transparencën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal dhe komiteteve të tij, publikimin e akteve të komunës, peticionet, tubimet me qytetarë, konsultimet publike dhe qasjen në dokumente zyrtare të komunës”.

Ndërkaq, tek resurset e alokuara për zbatimin e aktiviteteve që ndërlidhen me komunikimin dhe informimin publik, sipas Demolli-Nimanit, kjo komunë ka dhënë një shifër prej €10,000, të alokuar këtë vit për botimin e revistës mujore të Komunës dhe të disa broshurave.

Ndërsa, koordinatori lokal i Lëvizjes FOL në komunën e Podujevës, Granit Thaçi, tha se zyrtarët për informim në komunën e Podujevës kanë treguar njohuri të kënaqshme të dispozitave të Statutit pasi që kanë dhënë të gjitha dispozitat ligjore që rregullojnë përgjegjësinë ligjore të kësaj komune për komunikim dhe informim publik. “Tek ndarja e dokumenteve nga ato sensitive dhe ato që janë të qasshme për publikun komuna e Podujevës nuk ka dhënë asnjë shpjegim shtesë, rreth dokumenteve që janë përherë të qasshme ose jo. Po ashtu rreth buxhetit të ndarë për këtë zyrë kanë deklaruar se nuk kanë buxhet të ndarë veçmas për zyrën por në kuadër të buxhetit të zyrës së kryetarit dhe nuk është përmendur asnjë shifër konkrete”, tha ai.

Koordinatorja e Lëvizjes FOL për komunën e Gjakovës, Drenusha Mula tha se stafi i zyrës për informim me publikun ka treguar njohuri të pamjaftueshme të dispozitave të Statutit, kjo me arsyen që ata vetëm i janë referuar Statutit, por nuk kanë dhënë përmbajtjen e dispozitave të Statutit që rregullojnë përgjegjësinë ligjore për komunikim dhe informim publik.

Sipas Mulës, zyrtarët në fjalë kanë përmendur Rregulloren për Transparencë por nuk kanë shpjeguar se çfarë obligimesh, strukturash dhe resursesh specifike brenda strukturave komunale parasheh kjo rregullore.

“Vlerësimi i punës në komunën e Gjakovës kryhet në baza gjashtëmujore dhe vjetore, por megjithatë nuk është e qartë se çfarë standarde të raportimit e monitorimit të brendshëm dhe të vlerësimit të punës mund të ketë. Ndërkaq zyrtarët për informim kanë deklaruar se nuk kanë kryer ndonjë aktivitet shtesë për komunikim dhe informim publik sa i përkeq qasjes në dokumente publike”, tha ajo.

Siç tregojnë gjetjet e këtij studimi politikash publike, komunat janë në fazën fillestare të kompletimit dhe zbatimit të legjislacionit dhe politikave lokale që mundësojnë qasjen e publikut në dokumentet publike të tyre dhe masa të tjera për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies së tyre ndaj publikut.

Zhvillimi i bazës së informatave mbi komunikimin dhe bashkëpunimin me aktorë jashtë-qeveritarë, në veçanti me media dhe organizata të shoqërisë civile, të cilat do të mundësonin marrjen e një pasqyre të qartë mbi qëllimet dhe llojet e aktiviteteve për të cilat komunikohet dhe bashkëpunohet me secilën prej tyre. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit