0.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Flluskë përshkrimi për Muajin e Shpirtit !

Më të lexuarat

Flluskë përshkrimi për Muajin e Shpirtit !
 
I stërlodhur fizikisht, po ngjitesha shkallëve të xhamisë ,tek dera ishin mbledh disa djem të cilët  po komentonin vështirësitë, nxehtesinë, sfidat e agjërimit (ishte dita e pare e Ramazanit) dhe po prisnin thirrjen e ezanit të akshamit që është shenja kryesore se dielli perëndoj, agjërimi i asaj dite u kry dhe falja po fillon… pash në sytë e tyre që po kërkonin komentin tim për agjërimin (ose mua mu duk ashtu:)), unë e bëra fytyrën si kur e kujton ndonjë të vdekur edhe me zë të dhimbshëm ju thash: ehhhhhhh….shkooooj Ramazani … u ulen në shkallë duke qesh…sepse ende as dita e pare skish mbaru.
 
Muaji që po shkon, ka plan program të përkryer që t ‘shkarkon nga gjerat “dytësore”, e shkarkon mendjen dhe trupin.
Pasi t’kenë dal nga puna “familja bashkëkohore”,mjaft e evuluar e eneve dhe ushqimit.
Pasi të kenë kaluar 3-4 ditët e para (të vështira) të agjërimit.
 
Truri u kthen përgjigje negative kërkesave normale dhe ankesave të organeve (gjuhes, stomakut, hormoneve…), dua ujë, dua bukë, dua shije…dua kënaqësi…fillon të arsyetohet se gjendja ka dal nga kontrolli, dhe fajtore kryesor për këtë gjendje alarmante  të pazakontë të trupit , për këtë ‘grusht shtet’ të palogjikshëm e bën Zemrën.
 
Zemra këtë “protestë” të brendshme e inkurajon për durim dhe i siguron të gjitha organeve se e ka idenë se çfarë po bënë dhe u premton se pas pak kohe do ju shpërndaj, diçka edhe më të shijshme se glukozën.
 
Truri  ngadalë nis të ndjej pushimin nga detyrat e tij të zakonshme …fillon të shfrytëzohet më esencialisht me funksionin e tij të lartë, fillon të merr informata, të mendoj, meditoj, krahasoj, thellohet dhe gjithë këto funksione ia shtojnë vlerën e e bëjnë më madhështore.
 
Pas pak ditësh e kupton se ti s’je si një motor i konstruktuar dobët i cili sapo mbetet pa karburant, fiket.
Ti je krijesë e mrekullueshme që mbijeton gjatë në çfarëdo rrethanash sepse Krijuesi yt është Ai i Lartësuari, I Pa të meta.
 
Veshkat kuptojnë që s’ka ujë të mjaftueshëm dhe din të kursejnë mrekullueshëm!
Mëlçia fillon programin e saj ekonomik, ndaj nis të shfrytëzoje depot e rezervave dhe konvertimin e tyre në glukozë (energji).
 
Duke e provuar dhe besuar ketë të vërtetë të madhe, njeriu fillon ta ndjejë thellësisht moton: ‘se duhet të hash ushqim për të jetuar dhe jo t’jetosh për të ngrenë’!
 
Nëse besimtari i përmbahet këshillës Kur’anore që është e përhershme, (pra vlenë edhe në ramazan): 
“Hani dhe pini e mos e teproni, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë”… atëherë jo vetëm shpirti por edhe trupi fillon të merr formë të bukur!
 
Çdo ditë e më shumë agjërim, zemra krenohet  para të gjitha organeve për pushtetin e saj, ajo u jep të gjithave pushim ndërsa vetë, vazhdon punën duke adhuruar Krijuesin e saj, ushtima e saj ndihet edhe me fort, nuk ndalet vetëm në krahrorë, por vazhdon vala goditëse e saj të përcjell sinjalin deri lartë, sinjalin që sa herë rreh thotë: të dua o Zoti im, vetëm Ty të adhurojë…zemra së bashku me trurin fillojnë t’i japin hapësirën e duhur shpirtit !
 
Kur provon agjërimin fillon ta kuptosh se jetohet edhe pa shijet që të jep ushqimi, jetohet edhe pa ujë, jetohet edhe pa epshe, jetohet edhe pa kimin e shkurtër të lezetshme që na japin receptorët e ndryshëm, por s’jetohet pa shpirt, s’jetohet pa qëllim, s’jetohet pa besim, s’jetohet pa dashuri!
 
Pas ca ditësh shpirti merr pushtetin në trup, njeriu fillon të ndihet i pavarur nga frika (e mbijetesës, e sigurimit të ushqimit të tepërt), frika se “vetëm ushqimi të mban gjallë” që mban peng njerëzimin, frikë që ndez luftëra, frikë që derdh gjak çdo ditë!
 
Frikë e kotë, frikë e pabaze sepse çdo ditë e më shume shohim njerëz me barkun plot, vrasin veten!!!
Agjëruesi fillon ta ushqen shpirtin e Tij me ushqimin e  preferuar të shpirtit, me fjalën e Krijuesit të Shpirtit e Trupit, me Kur’anin, Këshillën e Pakrahasueshme.
 
Nga ky transformim jetese agjëruesi fillon të korrë frytet e të jetuarit si njeri me shpirt, fillon të shijojë lirinë e të jetuarit si i pavarur nga brengat (se çfarë dhe ku do të ha), nga epshet dhe dëshirat që lidhen me kënaqësitë momentale…
Agjëruesi fillon të ndjejë një kënaqësi që e ka vështire t’ia shpjegoj jo agjëruesit.
S’ka të bëjë kjo kënaqësi vetëm me shpresën për shpërblimin e madh që e pret në boten tjetër e as vetëm me shpresën që me agjërim po ikën nga dënimi që e pret në botën tjetër!
 
Kjo kënaqësi është më shumë ndjesi dashurie, ndjehesh që Ti në mënyrën e “palogjikshme” ashtu siç të është kërkuar i thua Zotit : Po unë Ty të besoj, për Ty bëjë çfarë të më thuash sepse unë vetëm Ty të Adhuroj!
 
Dhe sa herë e praktikon këtë pjesë të nënshtrueshmërisë ndaj urdhrit të Tij qoftë ai urdhër edhe i “palogjikshëm” në pamje të parë, pas pak kohe durim dhe nënshtrim, besimtari korr ndjesitë, mrekullitë dhe sukseset që i vijnë nga çdo anë, ato i vijnë prapë “palogjikshëm” për ata që s’besojnë!
 
Në planetin tonë ka shumë kësi zemrash që ditën dhe natën nisin sinjale adhurimi për në qiell, nëse këto sinjale do ishin figurativisht  sinjale drite, sa bukur duket toka nga lart…
 
Këto zemra kanë një Zot që nuk është i pakujdesshëm ndaj robërve të Tij, Një Zot që është Mirënjohës ,dhe i do robërit e Tij.
Për dallim nga veprat tjera të mira që i llogarisin engjujt, adhurimin (si formën më të përsosur të dashurisë, nënshtrimit, respektit dhe varshmërisë) e llogarit Vet Zoti i Botërave, duke thënë: 
 
‘Agjërimi është për Mua, Unë shpërblej për të’!
 
Për këto zemra të gjalla, caktoj një natë (natën e Kadrit), që është më me vlerë se njëmijë muaj (që t’ua stërfishoj punët e mira), urdhëroj engjëjt që të zbresin në tokë dhe ta mbushin tërë këtë planet, ta adhurojnë Zotin bashkë me besimtarët…..
 
Duke komunikuar kështu me Zotin me fjalë dhe vepra, shpirti i agjëruesit rritet çdo ditë, çdo ditë e më shumë merr formë më t’bukur, bëhet më i dashur, më pozitiv, më i ndjeshëm, më i afërt, bëhet më falenderues, më mirënjohës, më bujar, më vetëkontrollues, më vetëqortues, bëhet shpirt në të cilin gravohet altruizmi i vërtetë!
 
Të gjitha këto vlera nuk janë pako që i varen në qafë çdo besimtari!
 
Të gjitha këto mirësi janë të ekspozuara falas në çdo ditë agjërimi, pastaj besimtarët, varësisht nga ambiciet e tyre që të pasojnë hapat e të Dërguarit (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë me Të), dallohen nga njëri tjetri me edukatë dhe bukuri shpirtërore aq sa ditën dhe morën virtyte nga ky ‘Muaj i Shpirtit’ !
 
Deri sa tërë bota tjetër garon në mes vete me kompani farmaceutike të ndryshme për tu ofruar kënaqësi “kimike” konsumatorëve (sjellin në treg qindra barëra qetësuese, antidepresive, hormone stimuluese etj,etj…).
 
Kompani të ushqimit (që punëtorët e tyre doktorojnë në shije dhe servim të zbukuruar) dhe pijeve,
garojnë në mes tyre me pije të ndryshme duke filluar nga firmat e pafundshme të kafes, pijeve të llojllojshme alkoolike, energjike, freskuese…
 
Ndërsa në rangun e tretë, hyjnë dy bizneset e organizuara mirë, e para që prodhon dhe shpërndanë (me shumë krim e rrezik), droga nga më të lehtat deri tek më shkatërrueset dhe e dyta manipulon me krijesën më të dobët femrën duke e përdorur atë në mënyrën më të mjere, me çnjerëzore për qëllimet më të ulëta!
 
Në konkurrencën e tyre e gjithë kjo pafundësi “kompanish” kanë disa qëllime të përbashkëta:
Që të fitojnë nga konsumatorët “e pa fat” parat e tyre e në këmbim t’ua “ndalin” përkohësisht dhembjet, vuajtjet…që t’ua “lëshojnë” disponimin, kënaqësitë dhe tu servojnë lumturi minutore kimike!
 
Deri sa kjo pjesë e njerëzve “të robëruar” në këtë lloj jetese duhet të punojnë një javë që të “kenaqet” një të shtune, si mund ta kuptojë njeriun që nuk han as nuk pinë as gjërat më elementare dhe vazhdon të jetojë?!!!
 
Ky i “shkreti” madje edhe nëse ofendohet nga të tjerët duhet të buzëqesh dhe të thotë: unë jam agjërueshëm! Është ngarkuar edhe më këtë barrë nga i Dërguari (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë me të) sepse brenda këtij besimtari tanimë shpirti ‘është ngrit në këmbë’ dhe ka marr pushtetin, shpirti ka origjinë jashtëtokësore ndaj kur ushqehet me mësime jashtëtokësore (Kuran), çudit me sjelljen dhe bukurin e Tij të gjithë tokësorët!
 
Tani jemi në fund të muajit dhe nëse themi, eh shkoj Ramazani, askush nuk  qeshet se vërtet po shkon ky muaj i shpirtit, po shkon duke na lënë në duar frerët e gjuhës, frerët e epsheve dhe frerët e shumë veseve që kemi…e nëse ne vazhdojmë të mbajmë në duar me fanatizëm frerët e vetes (nga bota lajkatare), do e shijojmë gjithë lirinë që na dha dhe do reflektojmë edhe me tutje vlerat që na skaliti ky muaj si kirurgu me briliant!
 
Besimtari pasi ta ketë ndjerë kënaqësinë e të pasurit pushtet mbi vetveten, bashkë me të edhe ndjesinë ekstreme të lirise, ndjesinë e mrekullueshme të komunikuarit me Zotin (ditë e natë), shpresën se Zoti do e fale e gradoj….vazhdon jetën e përkohshme në këtë botë duke qenë mirënjohës për begatitë e panumërta, e s’ka se si mos të vjen ndërmend lutja: 
O Zoti im Bujar më jep udhëzim, shëndet dhe mundësi të agjërojë çdo ramazan deri në ditën kur do kthehem tek Ti o i Lartësuar!
 
 
Bardhyl Rraci
 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit