Suksesi i sportistëve dhe artistëve nga Kosova, ka bërë që Republika e Kosovës të paraqitet me sukses dhe pranohet edhe aty ku nuk njihet nga politika, madje edhe në shtete si Rusia.
Pesë vite pasi flamuri i Republikës së Kosovës valoi për herë të parë në Rusi, falë suksesit të xhudistes Majlinda Kelmendi në Kampionatin Evropian të Xhudos, artistët nga Kosova kanë bërë që flamuri i Kosovës të shfaqet përsëri në Rusi krahas flamujve të shteteve tjera.
Zeni Ballazhi dhe Mentor Zymberaj kanë paraqitur Kosovën në festivalin “Ostrovski Fest” në Kineshma të Rusisë. Në konferencën e mbajtur për media pas shfaqjes “Ëndrrat e Hamletit”, Balazhi dhe Zymberaj janë paraqitur me flamurin e Republikës së Kosovës. Këtë e kanë bërë të ditur vetë artistët nga Kosova përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
Rusia është një nga vendet e cila nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe së bashku me Serbinë, ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, mirëpo falë suksesit të sportistëve dhe artistëve nga Kosova, Rusia ka “dështuar” të bllokoj paraqitjen e Republikës së Kosovës brenda vetë Rusisë.