1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

FJALIMI I PRESIDENTIT TË SHQIPËRISË NGA SHESHI I FLAMURIT NË VLORË

Më të lexuarat

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë zyrtare të nisjes së festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë në Vlorë, Kreu i Shtetit tha se, “të gjithë sot festojmë të bashkuar, të lirë, të fortë dhe me miq të shumtë”.

“Këto janë çaste të paharrueshme për gjithë bashkëkombasit kudo qofshin, për çdonjërin që krenohet me rrënjët e familjes shqiptare dhe shpalos me dinjitet dhe krenari shenjën më sublime të kombit tonë, flamurin tonë kombëtar. Prej luftërave të Kastriotëve kundër otomanëve dhe deri më sot, simboli ynë, shenja jonë bashkuese, ky flamur që sot jemi mbledhur ta nderojmë, ka bërë një rrugë të gjatë”, tha Presidenti Nishani.

Gjatë kësaj rruge të mundimshme, sipas Nishanit, shqiptarët ia kanë arritur të mos ndahen nga flamuri kombëtar dhe t’i dalin zot atij. “Na e kanë rrëmbyer flamurin dhe u’a kemi marrë përsëri dhe na është bërë më i dashur. Kanë provuar të na e çjerrin të na e grisin flamurin dhe se kemi lejuar. Janë përpjekur të na e zhdukin flamurin tonë duke u munduar të na bindin ta harrojmë, dhe ia kanë arritur ta zhdukin për ca kohë, por e kemi nxjerrë përsëri nga hiri i harresës, kanë arritur të na e ndotin duke e ndryshuar, dhe e kanë bërë për ca kohë, por nuk ia kanë dalë ta bëjnë këtë përgjithmonë, as ta mposhtin; as ne dhe as flamurin tonë”, tha Nishani.

Sipas tij, “historia e vendit tonë, në faqet e shkruara dhe të pashkruara, dëshmon qartë dhe bindshëm për gjakun e derdhur, për sakrificat e pafundme dhe mundin për të arritur në ditët e lavdishme të Shqipërisë, kur ëndrrat filluan të bëheshin realitet, kur shpresat e shqiptarëve do të fitonin të drejtën e jetës”.

“Sot më shumë se kurrë ne po jetojmë ditën kur nderojmë punën, vlerën, kontributin e burrave të 1912-ës me respekt, mirënjohje të thellë, kurajo për të pranuar çdo kontribut të çmuar të çdo atdhetari e patrioti që bëri të mundur shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ne kujtojmë dhe nderojmë ata që na bënë shtet të lirë, që na falën dinjitet kombëtar dhe krenarinë e të qenit shqiptar. Sot 100 vjet më vonë, më në fund ne i njohim një për një të gjithë emrat e firmëtarëve të aktit të madh të pavarësisë. Janë 40 patriotë, intelektualë e atdhetarë nga gjithë trevat shqiptare që firmosën aktin e shpalljes së pavarësisë”, tha Nishani.

Gjithashtu, sipas tij, “sot është dita të nderojmë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që nuk u prapsën nga rreziqet, që i mposhtën ndasitë fetare e krahinore, që besuan në ëndrrën e tyre të madhe e të guximshme dhe me përkushtim iu përgjigjën thirrjes së atij vitit të madh”.

“Sot ne kemi me çfarë të krenohemi. Shqipëria nuk është më një vend i boshatisur nga vlerat dhe kujtesa historike, me fotografi dhe dokumenta të fshehura dhe të falsifikuara. Ne nderojmë Ismail Qemalin, burrin e madh të kombit shqiptar dhe fisnikët trima që u mblodhën kokë me kokë me ta, nderojmë çdo dëshmor që flijoi jetën e tij për Shqipërinë. Në këtë 100-vjetor të lavdishëm të flamurit tonë përulemi para tyre duke kujtuar me respekt të madh sakrificat sublime që kanë bërë shqiptarët në shekuj, përpjekjet e mijëra martirëve, syrgjynosjen e tyre, pasuritë që shkrinë, jetën që dhanë për këtë flamur. Kjo ka qenë një rrugë e gjatë dhe e vështirë”, vijoi Presidenti.

Ai theksoi se “një vend i vogël si Shqipëria, pothuaj i papërfillshëm në hartat e fuqive të mëdha, prej qëllimeve shoviniste të shteteve fqinje lakmitarë nuk u rrëzua, nuk u shua, por u mbajt fort, u ngrit në këmbë, ushqeu me gjakun e vetë ëndrrën për liri, shpresën e madhe për pavarësi, sepse pati bijë të mirë që asnjëherë nuk u ngritën kundër një vendi tjetër, thjesht deshën dhe mbrojtën trojet e tyre”.

“Sot ne kemi ëndrra dhe shpresa të mëdha. Shqiptarët dhe flamuri ynë nuk mund të ekzistojë ndryshe veçse në simbiozë me flamurin tonë, ne dhe flamuri ynë jemi të pandarë dhe të pandashëm si materia dhe mendimi, ideja dhe veprimi, si toka dhe qielli, trupi dhe shpirti. Flamuri ynë është nga më të pasurit. Në asnjë rast të historisë, flamuri ynë nuk i priu asnjë pushtimi, asnjë shkatërrimi”, tha ai.

Në përfundim, Kreu i Shtetit bëri thirrje që të vazhdojmë ta mbajmë të pastër dhe të paprekur flamurin tonë, simbolin tonë të shenjtë, udhëndriçues dhe bashkues”. “Ne na ndrit, na bashkon shpirtrat ky flamur me pamje frymëzuese, me ngjyra ekzaltuese. Nga më të vjetrit, më krenarët, më madhështorët, më të bukurit në botë është flamuri ynë”, tha Nishani.

“Si president i një vend të lirë dhe demokratik, më shumë se kurrë pranë familjes europiane, ju uroj gëzuar festën të gjithë shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi e kudo që janë në botë”, tha Presidenti Nishani.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit