Shpeshherë hasim në Kuran disa fjalë që përsëriten shumë, mirëpo nëse meditojmë rreth tyre shohim se ajo në esencë është një, mirëpo kuptimi i saj ndryshon nga kontesti i ajetit. Në këtë temë do të zgjedhim fjalën su’u, seu’u…
Fjala “su’u” ka kuptime të ndryshme… Nëse shikojmë fjalorët e gjuhës arabe, aty e gjejmë këtë fjalë me kuptimin i/e keqe, i/e urryer, etj., si p.sh., njeri i keq ose grua e keqe.
Në Kuranin Famëlartë thuhet: “Shembull i keq është populli që i përgënjeshtroi faktet Tona dhe e dëmtoi vetveten.” (El-A’raf, 177)
Fjala es-su’u ka kuptimin ashpërsi, forcë. Thotë Allahu i Lartësuar: “Përkujtoni edhe kur ju shpëtuam prej popullit të faraonit, që nga ai shijuat dënimin më të idhët…” (El-Bekare, 49)
Fjala es-su’u ka kuptimin varrë, plagë që godet kafshën. Allahu i Madhëruar duke treguar për të Dërguarin e Tij, Salihun, që u sprovua me popullin e vet, tha: “O populli im, kjo është deveja e Allahut, për ju është një argument. Lëreni pra, të ushqehet në tokën e Allahut e mos e prekni me ndonjë të keqe e t’ju godasë menjëherë dënimi!” (Hud, 64)
Fjala es-su’u ka kuptimin e metë, e ligë. Thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe, fute dorën tënde në sqetullën tënde e do ta nxjerrësh atë të bardhë pa asnjë të metë. Kjo është një mrekulli tjetër.” (Ta Ha, 22)
Fjala es-su’u ka kuptimin sherr, keq. Thotë Allahu i Lartësuar në Kuranin e Tij Famëlartë: “Ne nuk ishim që bëmë ndonjë të keqe!” (En-Nahl, 28)
Fjala es-su’u ka kuptimin ofendim, fjalë e ndyrë, e keqe. Thotë Allahu i Madhëruar: “Allahu nuk do publikimin e shprehjeve të këqija përveç(publikimit) të atij që i është bërë padrejtë. Allahu është dëgjues, i dijshëm.” (En-Nisa, 148)
Fjala es-su’u ka kuptimin mëkat. Thotë Allahu i Madhëruar: “Pendim i pranueshëm te Allahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë mëkat me mosdije dhe shpejt pendohen; të tillëve Allahu iu pranon pendimin…”(En-Nisa, 17)
Fjala es-su’u ka kuptimin dëm, zarar. Thotë Allahu i Lartësuar: “A është Ai që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar dëmin, ndërsa ju ju bën mbizotërues të tokës. A ka zot tjetër pos Allahut? Jo, por ju shumë pak përkujtoni…” (En-Neml, 62)
Fjala es-su’u ka kuptimin vrasje, humbje. Thotë Allahu i Madhëruar: “Dhe atë pa i gjetur kurrfarë e keqe fituan begati e mirësi të mëdha nga Allahu dhe e arritën kënaqësinë e Tij, Allahu është dhurues i madh.” (Ali Imran, 174)
Kështu sipas mendimit të disa komentuesve të Kuranit.
Fjala es-su’u ka kuptimin i keq. Për ata të cilët e thyejnë besën e dhënë Allahut pasi u patën zotuar, për ata të cilët e këpusin atë për të cilën Allahu ka urdhëruar të jetë e pakëputur dhe bëjnë shkatërrime në tokë, Allahu thotë:“…ata janë të mallkuar dhe ata kanë përfundim të keq.” (Er-Ra’ad, 25)
Fjala es-sev’i shkruhet si ajo më parë në gjuhën arabe, mirëpo lexohet ndryshe dhe ka kuptimin pa moral ose amoralitet. Këtë e vërejmë në ajetin e sures Merjem, ku Allahu i Madhëruar i drejtohet Merjemes duke i thënë: “Oj motra e Harunit, babai yt nuk ishte njeri i prishur e as nëna jote nuk ka qenë e pamoralshme!” (Merjem, 28)
Në asnjë mënyrë nuk lejohet të lexohet me “u” (es-su’u) sikurse në rastet e tjera, gjithashtu as në ajetin tjetër, ku thuhet: “Por ju menduat se i Dërguari dhe besimtarët kurrë nuk do të kthehen te familjet e veta dhe kjo(bindje) në zemrat tuaja u duket e mirë dhe patët mendim të keq…” (El-Fet’h, 12)
Këto ishin disa nga kuptimet e fjalës es-su’u kur lexohet me “u” dhe me “e”, të cilat në esencë tregojnë për vepër ose fjalë të keqe, mirëpo konteksti i ajetit është ai i cili i klasifikon llojet e së keqes. Kjo na ndihmon dhe na stimulon të meditojmë rreth Kuranit Fisnik, rreth ajeteve dhe sureve që gjenden në të.
E lusim Allahun Fuqiplotë që të na lehtësojë kuptimin dhe meditimin e Kuranit Famëlartë!
Eroll Rexhepi