Në Tiranë ka filluar protesta e opozitës shqiptare, thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Kjo proteste vjen pas kërkesës për dorëheqje që bëri opozita ndaj kryetarit te Kuvendit Ilir Meta, ku deputeti Tom Doshi e akuzoj se ka porositur një vrasje ndaj tij dhe ndaj deputetit tjetër të Partisë Demokratike Mhill Fufi, raporton Anadolu Agency (AA).
Fillimisht protestuesit janë mbledhur rreth orës 10:40 në sheshin “Skënderbej” në qendër të kryeqytetit shqiptar, për të vazhduar më pas me marshimin e tyre në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku pritet që pas orës 11:00 të mbajnë fjalime lideri i opozitës Lulzim Basha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës. .
Siç bëhet e ditur në protestën e sotme marrin pjesë anëtarë dhe simpatizantë të opozitës nga pothuajse të gjitha rrethet kryesore të vendit si nga Durrësi, Vlora, Berati, Shkodra, Dibra, Korça, Lezha, Gjirokastra, Mati, etj. Protestuesit të organizuar kanë udhëtuar me autobusë nga vendlindja e tyre në drejtim të Tiranës për të iu bashkuar protestës së opozitës. Protestuesit mbajnë në duar pankarta me mbishkrimet “Meta ik”, “Meta-Rama ik”.
Për të siguruar mbarëvajtjen e protestës policia ka bllokuar disa akse rrugore në Tiranë, ku nuk lejohet qarkullimi automjeteve, ndërsa nj numër i madh i forcave të policisë janë në gatishmëri për të shmangur çdo incident të mundshëm. Ndërkohë një numër i simpatizantëve të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, parti e cila drejtohet nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta janë mbledhur paqësisht përpara selisë së saj.
Opozita shqiptare bëri thirrje për protestë popullore disa ditë më parë pas zhvillimeve rreth çështjes “Doshi”, ku deputeti i Shkodrës Tom Doshi, i cili u përjashtua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, në një deklaratë publike lëshoi akuza ndaj kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta se ka porositur një vrasje ndaj tij. Partia Demokratike ka këmbëngulur në kërkesën e saj për dorëheqjen e keut të Kuvendit, Ilir Meta. Ndërkohë seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë e nisur sot rreth orës 10:00 ka zgjatur vetëm pak minuta, derisa janë miratuar disa projektligje të parashikuara në axhendën e sotme të punimeve të Kuvendit, pasi deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit.
Ndërkohë lidhur me disa pretendime për pengim të protestuesve ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Në një reagim zyrtar Policia e Shtetit ka sqaruar se nga strukturat e policisë t nuk ka asnjë pengim apo bllokim të automjeteve që transportonin qytetarë drejt Tiranës. Policia e Shtetit porosit pjesëmarrësit në këtë protestë dhe organizatorët që të tregojnë kujdes, për shkak të informacioneve që disponon policia për mundësinë e personave me armë zjarri apo me lëndë eksplozive që mund të infiltrohen brenda turmës protestuese./AA