Kjo ditë është nga më të rëndësishmet për Universitetin Shtetëror të Tetovës kur i hapim dyert e fakulteteve tona dhe programeve studimore të tyre, jo vetëm në qendrën e Universitetit tonë, në Tetovë, por edhe gjithandej në qytetet tjera ku kemi fakultete dhe organizojmë studimet të disperzuara, si në Kumanovë, Shkup, Gostivar, Kërçovë, Dibër dhe Strugë.
Fillimi i vitit akademik për Ju studentë të rinj që sapo keni hyrë në dyert e mëdha të jetës akademike, paraqet kthesën e madhe në jetën Tuaj, për të siguruar një të ardhme më të lumtur, të sigurt dhe me perspektivë, për Ju, familjet tuaja dhe vendin tonë, në hapjen e rrugës drejt integrimeve, zhvillimit dhe progresit, si të gjithë popujt dhe vendet e botës së qytetëruar.
Jam i lumtur që sot para Jush, para familjeve dhe kolegëve tuaj studentë të gjeneratave të mëparshme, në emër të stafit drejtues të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe në emrin tim personal, t’Ju drejtoj urimet më të sinqerta dhe t’Ju dëshiroj mirëseardhje në fillimin e vitit akademik 2012/2013.
Të nderuar studentë dhe studente, në momentin kur keni vendosur të studioni në këtë Universitet, duhet të jeni të bindur se e ardhmja Juaj do të jetë më e lumtur, me sukseset që do të arrini gjatë studimeve do të përgatiteni profesionalisht që të jeni të aftë t’i përballoni të gjitha sfidat e jetës suaj në të ardhmen.
Zmadho fotografinë
Fjala e Rektorit të USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti-Fillimi i vitit akademik 2011/2012 më 17 shtator 2012
Këtë vit akademik do ta fillojmë së bashku me Ju dhe mësimdhënësit Tuaj, me shpresa të reja se ky Universitetet, si institucion i vetëm publik dhe i integruar në gjuhën shqipe, është dhe do jetë alternativa më e sigurt edhe e brezave që do të vijnë.
Universiteti ynë Ju garanton studime më të lira, më cilësore dhe diploma të pranuara edhe jashtë vendit, ku mund t’i vazhdoni studimet e mëtejme, ose inkuadroheni në punë sipas kualifikimit dhe përgatitjes suaj profesionale të këtë Universitet. Studimet që do të ndiqni në Universitetin Shtetëror të Tetovës, zhvillohen sipas standardeve më bashkëkohore sipas Procesit të Bolonjës dhe Sistemit Evropian të Transferit të Kredive.
Prandaj, Ju studentë të rinj duhet ta ndjeni këtë universitet si pjesë të pandarë të jetës suaj, si vatër e dijes që do t’ju pajisë me dituri dhe shkathtësi të nevojshme për të gjitha sfidat e jetës dhe ardhmëri më të ndritur.
Vetëm në dy afatet për regjistrimin e studentëve të rinj, në të gjitha fakultet dhe programet studimore, përfshirë edhe studimet e disperzuara të Universitetit tonë, janë pranuar mbi 3500 studentë, të rregullt dhe me korrespodencë, por vlen të theksohet se sot ne kemi shpallur edhe afatin e tretë te rregullt për vendet e paplotësuara dhe sipas nevojës do të publikojmë edhe konkurs plotësues, për të përmbushur detyrimin tonë ndaj të gjithë maturantëve që kanë mbaruar shkollimin e mesëm.
Zmadho fotografinë
Filloi viti akademik 2011/12 në Universitetin shtetërorë të Tetovës
Këto rezultate të përgjithshme për regjistrimin e studentëve të rinj, janë dëshmi se fushata e zhvilluar gjatë muajve prill dhe maj, në të gjitha shkollat e mesme, prezantimet tona në Panairet e edukimit në Shkup dhe Prishtinë, si dhe një sërë aktivitetesh me karakter informativ, për ofertën akademike të Universitetit tonë kanë dhënë mesazh të fuqishëm deri te maturantët, jo vetëm në vendin tonë por edhe në Republikën e Kosovës dhe Shqipërisë.
Ne edhe më tej mbetemi të përkushtuar për arsimimin e gjeneratave të reja dhe sigurimin e një të ardhme më të ndritur për studentët dhe familjet e tyre, në dobi të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit tonë. Universiteti ynë, gjatë afër dy dekadave të veprimtarisë së tij të bujshme, është udhëhequr nga vizioni i qartë edhe përgatitur për sfidat që është përballur, por jemi të vetëdijshëm se na presin edhe punë të tjera në të ardhmen, për sigurimin e hapësirave të nevojshme, kompletimin dhe furnizimin e laboratorëve; sigurimin dhe begatimin e bibliotekave me literaturë profesionale dhe sidomos për thellimin e bashkëpunimit me universitetet tjera në vend dhe në arenën ndërkombëtare, me qëllim të ngritjes së cilësisë së mësimit, veprimtarisë shkencore, hulumtimeve dhe thellimit të dijeve në të gjitha fushat shkencore që studiohen në këtë Universitet, për ta ngritur këtë institucion të arsimit sipëror në nivelin e merituar, përkrah universiteteve të tjera më prestigjioze, si në vendin tonë, në regjionin e Ballkanit dhe në arenën ndërkombëtare. Dhe në fund, edhe një herë, më lejoni t’Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj në këtë solemnitet me rastin e fillimit të vitit akademik 2012/2013, ndërsa studentëve të rinj dhe mësimdhënëseve e bashkëpunëtorëve të Universitetit tonë, t’ju uroj një vit të mbarë, të suksesshëm dhe me fitore të reja, sidomos në këtë vit kur i gjithë kombi shqiptar anekënd botës do të festojë 100-vjetorin e Flamurit dhe Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.
Fjala përshëndetëse e zv/ministrit Safet Neziri, mbajtur në USHT me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2012/2013 (17.09.2012)
Ndjehem i nderuar që sot marr pjesë në këtë ceremoni, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2012/2013.
Zmadho fotografinë
Fjala përshëndetëse e zv/ministrit Safet Neziri, mbajtur në USHT me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2012/2013
Sot qindra studentë të rinj fillojnë studimet e tyre universitare, sikundër me mijëra të tjerë vazhdojnë betejën e diturisë për të arritur më të mirën për ta dhe për mbarë shoqërinë.
Përcaktimi Juaj për të ndjekur rrugën e edukimit dhe arsimimit, jo vetëm që na e forcon besimin se e ardhmja e kombit tonë do të jetë më e ndritur, por neve si drejtues institucionesh na obligon që të vijojmë përpjekjet dhe angazhimin tonë të përbashkët për t’Ju siguruar kushte më të mira, të përshtatshme për të ndjekur procesin mësimor-shkencor.
Në këtë drejtim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë në koordinim të plotë me udhëheqësinë e Universitetit Shtetëror të Tetovës, synojmë realizimin e objektivave tona në më shumë projekte, si ofrimi i literaturës shkencore për fakultete të ndryshme, specializimin e kuadrit akademik dhe motivimin e tij për të ndjekur fushën e kërkimeve dhe zbulimeve shkencore, si dhe përfundimin e projektove të ndryshme infrastrukturore.
Vlerësoj se vetëm më këto forma, do të ngritim akoma më shumë kredibilitetin e këtij institucioni, që edhe në kohët më të vështira ka dëshmuar se reformimi shoqëror nuk bart emra, ose atribute personale e politike, por vendosmëri dhe përkushtim të palëkundur të stafit akademik dhe studentëve të Tij.
Me lejoni të theksoj se procesit të reformave në arsim i duhet kohë, por mbi të gjitha vullnet dhe gatishmëri dhe puna që po e bëjmë në reformimin e universiteteve tona përmban përgjegjësi, ndjeshmëri dhe kërkon kujdes. Ne jemi të vendosur që të vazhdojmë këtë rrugë me seriozitet, dije dhe guxim intelektual.
Universiteti Shtetëror i Tetovës, me pedagogët e specializuar dhe programet e shumta studimore, tanimë ka bërë modelin e arsimimet që ju shpie drejt njohjeve të reja shkencore, për të shprehur vetveten, për t’u zhvilluar dhe për të marrë përgjegjësi si qytetarë të denjë të vendit tonë. Po ashtu, ky universitet ka dëshmuar se është i hapur për të gjithë, ka ndërtuar një mekanizëm profesional për bashkëpunim të suksesshëm me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe sektorin e biznesit vendor dhe më gjerë.
Besoj fuqishëm se kjo praktikë do të vazhdojë të funksionojë edhe në të ardhmen dhe në këtë mënyrë prosperiteti dhe avancimi arsimor dhe edukativ arrihen më lehtësisht.
Do ta përfundoj fjalën time, më dëshirën që të keni suksese në studime dhe uroj të takohemi edhe në ditën e diplomimit Tuaj.kohaislame