Dy deputetët të Kuvendit të Kosovës, Latif Gashi (deputet aktual) dhe Rrustem Mustafa (ish- deputet), janë ulur të martën në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Së bashku me dy deputetët, ishte ftuar që të paraqitej në gjykatë në ora 10, në cilësinë e të pandehurit, edhe Nazif Mehmeti. Kjo është seanca e parë që mbahet pasi që Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer çështjen në rigjykim për një pikë të aktakuzës.
Të gjitha palët janë paraqitur me kohë në seancë. Të pandehurit, sipas aktakuzës nga prokuroria speciale, akuzohen se kanë kryer veprën penale të krimeve kundër popullatës civile, e dënueshme me ish-Kodin Penal të ish-Jugosllavisë dhe me Kodin Penal të Kosovës, si dhe në kundërshtim me konventat e Gjenevës dhe protokollet e shtesat e saj.
Të tre të pandehurit në kohën e luftës kishin nofkat e tyre. Latif Gashi njihej me nofkën Lata, Nazif Mehmeti me nofkën Nazi dhe Rustem Mustafa me nofkën Remi. Që të tre të pandehurit gjatë luftës kishin mbajtur pozita komanduese në UÇK.
Sipas aktakuzës, që nga gushti 1998 deri në prill 1999, ata kishin pasur dijeni për qendrat e ndalimit në vendet Bajgorë, Llapashticë, Majac, Patok dhe Kolec. Në këto qendra ishin ndaluar civilë shqiptarë me arsyetime se janë kolaboracionistë të pushtetit serb.
Në këto qendra, të pandehurit së bashku me persona të tjerë të panjohur, akuzohen se kanë ndaluar, torturuar, keqtrajtuar dhe rrahur në mënyrën me çnjerëzore civilë shqiptarë. Sipas aktakuzës, personat e ndaluar për të shpëtuar duhej të tregoheshin luajalë ndaj UÇK-së, ashtu që për të treguar besnikërinë duhej të vrisnin ndonjë serb.
Që në fillim të seancës, avokati Mexhid Syla, mbrojtësi i të pandehurit Latif Gashi, deklaroi se është bërë mirë që lënda më në fund është caktuar, por sipas tij, të pandehurit e kanë marrë shumë vonë aktakuzën, dhe nuk kanë pasur mundësi që të përgatiten për këtë seancë.
Ai shtoi se me këtë vonesë në caktimin e kësaj lënde janë shkelur nenet 5 dhe 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe është shkelur Kushtetuta e Kosovës. “Të pandehurit kanë të drejtë në gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”, tha Syla.
Me tutje, ky avokat tha se deri tek kjo vonesë ka ardhur si pasoj e neglizhencës së gjykatës dhe të prokurorisë.
Pika tjetër që avokati Syla ngriti ishte se si do të procedohet me dëshmitarë dhe me prova. Ai kërkoi sqarime nëse do të dëgjohen dëshmitarët për pikën 8 që ka mbetur nga aktakuza, apo do të lexohen deklaratat e tyre të dhëna në shqyrtimin e mëhershëm gjyqësor dhe në faza të tjera të procedurës.
Edhe vetë i pandehuri Latif Gashi kërkonte të dinte nëse ishin plotësuar kushtet elementare për fillimin e gjykimit, kjo pasi që akuzën e kishte marrë vetëm një ditë më parë, ndërsa kushtet ligjore janë që kjo të bëhet së paku tetë ditë përpara. Ai kërkoj shtyrjen e shqyrtimit për përgatitje.
Kolegji pastaj i dha fjalën prokurorit, i cili fillimisht bëri një hyrje, e më pas e lexoi në tërësi aktakuzën kundër tre të pandehurve.
Kryetarja e kolegjit, pas leximit të aktakuzës, pyeti të pandehurit nëse kishin nevojë për përgatitje para se të deklaroheshin lidhur me fajësinë ose pafajësinë.
I pandehuri Gashi kërkoi që para se të deklarohej të bënte një hyrje të shkurtër. Por pasi që filloi të komentonte aktakuzën, ai u ndërpre nga kolegji për t’u përgjigjur në pyetjen e parashtruar nga ta.
Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti deklaruan se kanë nevojë që të përgatiten, kurse Rrustem Mustafa tha se e ndjen vetën të pafajshëm për atë që akuzohet nga prokuroria.
Kolegji miratoi kërkesën e palëve që seanca të shtyhet për një datë tjetër. Seanca e radhës u caktua për datën 17 shtator, shkruan “Gazeta Jeta në Kosovë”.kohaislame