0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Fiati nis eksportet e makinave nga Serbia

Më të lexuarat

Shtrënguar nga një deficit i tregtisë së jashtme, Serbia ka shpresa të mëdha nga eksportet serbe të Fiat Automobiles.

Një deficit i madh i tregtisë së jashtme është një problem kronik i ekonomisë serbe, që deri në shtator arriti në 4 miliardë euro.

Prodhimi në masë i modelit të ri të Fiat në Kragujevac, Serbia qendrore, po i bën autoritetet me shpresë se do të jenë në gjendje të bëjnë diçka lidhur me deficitin tregtar të vendit.

Prodhimi serial i modelit të ri të Fiat 500L nisi më 4 korrik dhe prodhimi ditor është parashikuar të arrijë 550 makina muajin e ardhshëm. Plani është që për 2013-tën prodhimi vjetor të arrijë midis 120,000 e 180,000 makina.

Makina e re, që do të ketë çmim rreth 14,000 euro në Serbi, është para së gjithash e synuar për tregjet evropiane dhe të SHBA. Makinat e para u eksportuan në Itali në mes të gushtit.

Blerësi i parë i modelit të ri të Fiat në Serbi ishte Mllagjan Dinkiç, ministri i financave dhe ekonomisë i vendit që mori një hua për këtë qëllim.

Dinkiç tha se nuk mendonte se Serbia do të “prodhojë një makinë të cilësisë së lartë,” por vuri në dukje se kishte besim “se ky investim me rëndësi të madhe për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Serbisë, do të ketë sukses.”

Ekonomistët megjithatë, nuk mendojnë se vetëm fabrika e Fiat-it mund të ringjallë ekonominë serbe , por mund të shërbejë si një nxitje për investitorë të tjerë të huaj.

Mirosllav Zdravkoviç, analist ekonomik e redaktori i faqes në internet Makroekonomija, tha se nëse eksportet me vlerë 1 miliardë euro dalin të vërteta, buxheti serb do të marë midis 100 e 150 milionë euro në të ardhura, taksa, teknologji të reja dhe përfshirje të bashkëpunëtorëve vendas.

“Eksportet më të mëdha sigurisht e bëjnë Serbinë më tërheqëse në sytë e investitorëve të tjere të huaj,” i tha Zdravkoviç SETimes.

Në ceremoninë që shënoi hapjen e shitjeve të modelit të ri të Fiat në Serbi, Kryeministri Ivica Daçiç shprehu një urim për Fiatin që të bëhet eksportuesi më i madh në vend.

Zdravkoviç tha se është gjithashtu e rëndësishme të ndryshohet struktura e eksporteve serbe sepse tani eksportohen vetëm prodhime kryesore ose gjysmë të përfunduara.

“Në fazën tjetër, i tërë prodhimi industrial mund të ndryshojë, në të cilin do të bëhemi më shumë si vendet që e bëjnë këtë suksesshëm nëpërmjet tranzicionit,” tha Zdravkoviç.

Megjithatë, jo gjithkush është kaq optimist për sa u përket eksporteve. Mahmud Bushatlija, studiues në Institutin Ekonomik të Beogradit, paralajmëroi se eksportet e Fiat-it nga Serbia po nisin në një kohë krize për industrinë e automobilave të Evropës.

“Ka ende një krizë ekonomike në Evropë e në kohëra të tilla industria e automobilave dhe turizmi kurdoherë vuajnë më të shumtën, pasi njerëzit e lënë kollaj blerjen e një makine të re apo udhëtimin,” i tha Bushatlija SETimes.

Të dy ekonomistët pranojnë megjithatë se Serbisë i duhen shumë më tepër investime si fabrika e Kragujevacit për të përmirësuar ndjeshëm ekonominë.

Deri tani, qyteti i Kragujevacit ka marrë përfitimin më të shumtë nga Fiati, i cili për shkak të rënies së industrisë së makinave në vitet 1990 mbante nofkën e pafat Lugina e Urisë.

Kryebashkiaku Veroljub Stevanoviç e përshkroi investimin e Fiat si “diçka epokale që do të sjellë një atmosferë të re në Kragujevac dhe do të ngrejë standartin e jetesës të qytetarëve.”

“Më shumë se 3,000 vetë do të punësohen në fabrikë dhe me bashkëpunëtorët e Fiat dhe së paku 10,000 vetë do të jenë në gjendje tërthorazi të punësohen vitin e ardhshëm,” i tha Stevanoviç SETimes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit