ANTALIA (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, sot në Antalia theksoi se organizata terroriste FETO është infiltruar kudo, madje edhe brenda gjyqësorit dhe Kongresit amerikan, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu qëndroi në Antalia në një ceremoni me rastin e vënies së gurthemelit për qendrën kulturore Gazipasha, ndërsa foli edhe për zhvillimet aktuale, mes tjerash për luftën kundër organizatës terroriste FETO.
“Jemi të vetëdijshëm për të gjitha lojërat dhe dredhitë që bëhen kundër nesh. E dimë se çfarë sot FETO tenton të bëjë në SHBA, e dimë se FETO është infiltruar në institucionet dhe gjyqësorin amerikan. Ne këtë SHBA-ve ia themi në fytyrë, nuk flas pas shpine. Ne për askënd nuk flasim pas shpine”, tha Çavuşoğlu.
“FETO u infiltrua edhe brenda misionit amerikan në Turqi, brenda gjyqësorit dhe Kongresit amerikan, kudo, në të gjitha organizatat. Në këtë apo mënyrë tjetër, legalisht ose ilegalisht. Këtë e flasim hapur”, tha kreu i diplomacisë turke, duke theksuar se mbarë bota e sheh për çfarë organizata të rrezikshme terroriste bëhet fjalë, për çka edhe mbyllin shkollat e tyre.
Ai u përqendrua edhe në situatën në Lindjen e Mesme, duke thënë se Turqia bën përpjekje të mëdha për pajtim në Siri, si dhe për stabilitetin e Irakut.
“Atë që dua të them është se Turqia asnjëherë nuk ka hezituar dhe as që do të hezitojë nëse nevojitet për të shkatërruar çdo rrezik. Kushdo që tenton të pengojë rrugën e Turqisë, qoftë organizata terroriste ose ndonjë vend, ne do të luftojmë dhe këtë do ta tejkalojmë. Ne me askënd nuk duam përleshje. Atë që duam është të jemi miq me këdo. Por, ai që do të jetë mik me Turqinë dhe popullin e saj, doemos duhet të mësoj si do të sillet dhe veprojë”, theksoi Çavuşoğlu.