Thatësia që po mbretëron prej disa muajve ka sjellë vështirësi në furnizimin e qytetarëve të komunës së Ferizajt me ujë të pijes. Aktualisht në Fabrikën e ujit në Pleshinë përpunohen rreth 160 litra ujë për sekondë, 20% më pak, nga kapaciteti prej 200 l që ka kjo fabrikë.
Të shtyrë nga kjo gjendje, drejtuesit e Kompanisë Rajonale për Ujë dhe Kanalizim (KRUK) “Bifurkacioni” që nga korriku kanë filluar aplikimin e reduktimeve të ujit në orët e vona të natës.
Drejtori i kësaj kompanie, Faton Frangu, ka thënë të enjten se komuna e Ferizajt, kryesisht zona urbane furnizohet nga burimet sipërfaqësore të ujit, kështu që thatësia që po mbretëron prej disa muajve ka bërë që edhe prurjet në fabrikë të zvogëlohen. Ai ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndonjë situatë alarmante por që kjo gjendje aktuale është brengose ngase po u nxjerr telashe në furnizimin e qytetarëve me ujë.
“Kemi ramje prej 40 litrave në sasi të ujit që vjen prej burimeve në fabrikë. Kjo është brengose ngase po sjell probleme në furnizim”, ka thënë Frangu.
Për më tepër mësohet, se kjo situatë që po mbretëron ka shtyrë ndërmarrjen e masave për kursimin e ujit nga kompania. Që nga muaji korrik është duke u aplikuar një reduktim i ashpër i ujit në orët e vona të natës.
“Prej orës 21:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit ndërpritet i tërë furnizimi nga rrjeti i ujësjellësit. Kjo për shkak të mungesës së ujit dhe mbushjes së rezervuarve, por edhe me qëllim të ndaljes së keqpërdorimit të ujit, ngase shpesh herë në këto orë konsumatorët e kanë shfrytëzuar ujin për ujitje”, ka thënë drejtori i “Bifurkacionit” Faton Frangu.
Ndryshe, mungesa e të reshurave do ta vështirëson edhe më shumë furnizimin e qytetarëve me ujë. Zyrtarët besojnë se në muajt në vijim do të ketë reshje të shiut me këtë edhe rritje të sasisë së ujit, në të kundërtën ndoshta edhe reduktime më të ashpra./KP/.kohaislame