Ndonëse mbi 60 për qind e sipërfaqes së mbjellë me grurë në komunën e Ferizajt tashmë janë korrur, rendimentet mesatare të tij sillen rreth 3.500 kilogramë për hektar, që krahasuar me vitin e kaluar është sasi më e ulët, bëjnë të ditur zyrtarë të Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në Ferizaj.
Ndër faktorët që kanë ndikuar në këto rendimente zyrtarët kanë përmendur faktorët klimatikë dhe sëmundjet e grurit.
Drejtori i DBP-së, Xhemajl Reçica, tha për KosovaPress-in se përveç faktorëve klimatikë këtë vit në disa zona të mbjella me këtë kulturë është shfaqur edhe sëmundja e njohur si “Pucinia graminis”, apo e njohur në popull si “ndryshku”.
“Në disa zona, si për shembull në fshatin Dremjak, kemi pasur sipërfaqe që janë prekur nga kjo sëmundje, gjë që ka ndikuar të kemi edhe rendimente të ulëta të grurit. Pavarësisht kësaj, fushata e korrje-shirjeve në komunën e Ferizajt është duke shkuar sipas planifikimit dhe deri më tani mbi 60% e sipërfaqes së mbjellë është korrur, nuk kemi pasur probleme me kombajna, e as me zjarre”, tha Reçica.
Me këtë kulturë në komunën e Ferizajt janë të mbjella 5.200 hektarë, ndërsa mësohet se në disa zona rendimentet kanë qenë të mira dhe kanë kaluar sasinë prej 6.000 kg.
“Fushata pritet të përfundojë brenda afatit, në terren i kemi 90 kombajna, pritet që numri i tyre të rritet, ngase në fushatë janë inkuadruar kombajna edhe nga terrenet tjera”, thotë Reçica.
Ndërkaq, e tërë sasia e grurit të korrur po grumbullohet në pikat grumbulluese që ndodhen në fshatin Softaj, Koshare, Gurëz dhe Bablak.