Sharjet i dëgjojmë në çdo vend dhe në situata të ndryshme ndërmjet prindërve dhe fëmijëve të tyre, larg udhëzimit të Kur’anit dhe edukatës islame. Ekspertët mendojnë se shkaqet që çojnë drejt kësaj janë:
Mungesa e modelit të mirë;
Edukata e fëmijëve me edukatë të mirë islame nuk mund të realizohet përveç nëse babai dhe nëna janë model i mirë për fëmijët e tyre, duke u stolisur me moral të Kur’anit dhe Sunetit dhe duke ndjekur rrugën e drejtë profetike.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit, dhe e përmend shumë Allahun.” (Ahzabë: 21)
Prindërit konsiderohen themel i edukatës dhe model tek fëmijët. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:
“Çdo fëmijë lind me natyrë të përshtatshme dhe të pastër islame, e më vonë prindërit e bëjnë çifut, krishter ose adhurues të zjarrit.”
Prandaj është detyrë për ne – prindër dhe edukues – që t’u ofrojmë fëmijëve shëmbëlltyrë të mrekullueshme gjatë të folurit, pastrimit të gjuhës dhe bukurisë së të shprehurit.
Prej shëmbëlltyrës së mirë konsiderohet edhe kjo – sa për ilustrim – prindërit të mos buzëqeshin nëse fëmija shqipton ndonjë fjalë jashtë apo larg edukatës, si dhe mos ta shpërfillin këtë fjalë duke bërë që fëmija ta përsërisë, por patjetër duhet ta qortojmë dhe paralajmërojmë, ta mësojmë se fëmija i respektuar nuk shqipton fjalë të tilla. Fëmija nuk ndëshkohet për herë të parë me ndëshkim të rëndë, ngase është fjalë e re për të, ndërsa nëse përsëritet, prindërit duhet të presin dhe të ngadalësojnë. Kurimi duhet të jetë me butësi dhe mirësi. Profeti i mëshirës na mëson duke na thënë:
“Me të vërtetë nuk vendoset butësia në diçka e ajo vetëm se e zbukuron atë, dhe nuk hiqet ajo nga diçka, përveç se e shëmton atë”.
Shoqëria e keqe;
Fëmija që hidhet në rrugë dhe i lihet shoqërisë së keqe, shoqërisë së degjenerimit, është e natyrshme që të pranojë prej tyre gjuhën e mallkimit dhe sharjes. Për këtë arsye prindërit duhet t’i ruajnë fëmijët e tyre, t’i përcjellin gjithnjë me kë po shoqërohen e rrinë, ngase personi është në fenë e shokut të tij.
Roli i mësuesit dhe mësueses;
Ata duhet t’i mbikëqyrin të vegjlit. Nëse vërejnë ndonjë fëmijë, i cili flet fjalë të pista apo të pahijshme, e korrigjon me metodë të butë dhe edukative, e mëson se kjo nuk i takon atij si musliman e as familjes së tij të respektuar. Prindërit duhet të bashkëpunojnë me mësuesit e fëmijëve të tyre në shkollë.
Trajtim i gabuar për sjelljet devijuese;
Shpesh vërejmë se fëmijët gabojnë me qëllim apo pa të, prindërit nisin dhe u drejtohen me sharje dhe fjalë që i qetësojnë prindërit, mirëpo fëmijët ndihen të nënçmuar. E drejtë është që sjelljen e gabuar ta kthejmë me fjalë udhëzuese dhe lutëse për ta duke pasur për qëllim përmirësimin, sikur “Allahu të bëftë prej të mirëve”, “Allahu të begatoftë”, “Allahu të nderoftë” e shprehje të ngjashme edukuese që e ngushtojnë fëmijën dhe bëjnë që të rishikojë sjelljen e tij.
Edukatorët patjetër duhet t’u mësojnë fëmijëve sjelljet e mira nga Kur’ani dhe Suneti, ndëshkimin për sharjen, t’u shpjegojnë kërcënimin e Allahut për sharësit dhe mallkuesit, mëkatin e madh dhe dënimin e rreptë që i pret ata, me shpresë se kjo do t’i zmbraps ata.
Prej haditheve që ndalojnë sharjen dhe qortojnë fyerjen:
“Prej mëkateve të mëdha është sharja e njeriut prindërit e vet. Njëri prej atyre që ishin prezent tha: O i Dërguar i Allahut, a ka njeri që shanë prindin e vet? Pejgamberi iu përgjigj: Po. Kur njeriu e shanë babën e ndokujt e ka sharë babën e vet, dhe kur njeriu shanë nënën e ndokujt e ka sharë nënën e vet”. (Shënon Buhariu dhe Ahmedi)
“Sharja e muslimanit është fisk (mëkat), ndërsa vrasja e tij është kufr (mosbesim)”. (Shënojnë Buhariu, Muslimi dhe të tjerët)
“Njeriu flet një fjalë që nuk e ka të qartë çfarë mbartë ajo, por për shkak të saj ai hidhet në zjarr”. (Shënon Buhariu)
“Besimtari nuk është shpifës, as mallkues, as fyes e as vulgar”. (Shënon Tirmidhiu)
Ndërsa sa i përket Kur’anit, kemi fjalën e Allahut të Lartësuar:
“Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin”. (Ibrahim: 24-25)
Ndërsa më pastaj u shpjegojmë fëmijëve se fjala e keqe është si pema e keqe që e fut djalli në veshin e shqiptuesit, e cila e dëmton dëgjuesin ku më vonë s’mund të shërojë atë çfarë ka vepruar.
Plagët e shigjetës janë plagë, të shigjetës dhe shtizës në luftë, njeriu mund të shërohet prej tyre, përderisa mund të dëgjojë një fjalë rënduese të cilën s’mund ta harrojë gjithë jetën apo t’i harrojë gjurmët e saj të mbetura.
Në fund, doemos duhet bërë përcjellja e fëmijëve dhe njohja e shoqërisë së tyre, të mësohen veprimet e tyre. Nëse gjen atë që të gëzon, falënderoje Allahun, ndërsa nëse gjen tjetrën, të padëshirueshmen, vet barte përgjegjësinë dhe kryeje rolin që të takon si kujdestar. /krenaria.com/