Laptopi, sistemi i navigimit, apo Smartphone janë bërë të pazëvendësueshëm. Ato i përdorin madje edhe fëmijët e vegjël. Por sa të rrezikshme janë ato për zhvillimin e fëmijëve?
Manfred Spitzer flet shumë bujshëm kur bëhet fjalë për përdorimin gjithnjë e më të madh të kompjuterëve nga fëmijët dhe rinia. Kompjuteri apo video-lojërat janë “makina që pengojnë mësimet”, pohon profesori i psikiatrisë në Universitetin e Ulmit në Gjermani. Spitzer pohon se “gjenerata e re do të jetë e dëmtuar shumë”.
“Është dëshmuar se rinia që kalon shumë kohë me mediat dixhitale, është e dëmtuar në procesin e mësimeve”, pohon Spitzer dhe shpjegon: kompjuterët na largojnë nga puna shpirtërore, e cila kërkon një angazhim më të madh të trurit. Ky angazhim më i madh e ushtron trurin dhe e bën më të mençur.
Spitzer krahason aftësinë e trurit me muskujt, të cilët kur nuk përdoren zvoglohen gjithnjë e më shumë. Ulja e nivelit të aftësisë mendore në kushte të caktuara edhe mund të matet. Për shembull: ai që gjithmonë përdorë një sistem navigimi në veturë, dobëson sistemin e navigimit në kokën e tij. Kështu jo vetëm që dobësohet orientimi, por zvogëlohet edhe volumi i një pjese të caktuar të trurit, që quhet Hippocampus.
Dëmtimet në zhvillim dhe notat më të dobëta
Hulumtuesi i zhvillimit të trurit paralajmëron nga përdorimi i tepërt i kompjuterit, sepse disa fëmijë fillojnë tepër herët me përdorimin e tij. Studimet kanë dëshmuar se deri në moshën tre vjeçare, fëmijët nuk mund të mësojnë asgjë nga lojërat me kompjuter. Përkundrazi, ekziston rreziku që të shkaktohen dëmtime në zhvillimin e gjuhës. Por edhe më vonë kompjuteri dhe lojërat tjera dixhitale nuk ndihmojnë shumë fëmijët në zhvillimin e tyre, pohon profesori në një bisedë për Deutsche Wellen.
“Duhet ta keni parasysh se kur fëmijëve të klasës së parë, të dytë apo të tretë i blini një lojë dixhitale, do të thotë se i keni dhuruar nota më të dobëta. Ndërsa kompjuteri në dhomën e një 15-vjeçari ulë nivelin e notave të tij dhe nuk e përmirëson atë. Kjo është dëshmuar edhe me studimet shkencore”, pohon Spitzer.
Por tezat e tij kontestohen nga studiues të tjerë për arsim. Një nga kritikët e tij është edhe Stefan Aufenanger, profesor i pedagogjisë për media në Universitetin e Majncit.
“Unë jam kundër vlerësimeve të tilla të përgjithësuara, ku thuhet se kompjuteri ka përkeqësuar të gjitha dhe se më parë ka qenë më mirë. Kjo nuk është e vërtetë”, pohon ai. Por edhe Aufenanger është kundër qëndrimit tepër të gjatë të fëmijëve të vegjël para kompjuterit apo televizorit.
“Ka prindër të cilët mendojnë se ulja e fëmijëve të vegjël para medieve digjitale do t’u ofrojë mundësi më të mëdha për një profesion më të mirë, por kjo është plotësisht e pavërtetë”, pohon pedagogu për media.
“Kompjuteri hap shanse për mësime në shkollë”
Mediat elektronike, kur përdoren si duhet, mund të shërbejnë shumë mirë edhe për mësime në shkollë. “Kompjuteri ofron materiale të shumta dhe mundësi për të provuar gjëra të ndryshme, për të menduar mbi gjërat, për zhvillimin e faktorëve të ndryshëm”, pohon ai. Si një shembull pozitiv ai veçon lojërat ekonomike dhe shoqërore në kompjuter, të cilat stimulojnë hulumtimet në një vend fiktiv dhe ofrojnë zgjidhje për funksionimin e një qyteti.
Wassilios Fthenakis është një nga hulumtuesit në “Didacta”, në panairin më të madh të Europës për arsim, i cili çdo vit mbahet në Gjermani. Edhe ai paralajmëron nga vlerësimet tepër negative ndaj mediave digjitale. “Hulumtimet e bëra nuk ofrojnë ndonjë dëshmi për dëmtimin e domosdoshëm nga përdorimi i këtyre mediave. “Dëmtojnë përbërja, gjatësia e përdorimit dhe përdorimi për qëllime që nuk i shërbejnë zhvillimit”, shpjegon ai. Pra nëse fëmijët përballen me një përbërje që nuk i përshtatet moshës së tyre.
Fthenakis dhe Aufenanger janë të mendimit se këtu përgjegjësinë më të madhe e kanë prindërit. Ata duhet të japin kontributin e tyre dhe duhet t’u shpjegojnë fëmijëve me kohë gjarat që mund të bëjnë në kompjuter dhe lojëra dhe jo të demonizojnë mediat elektronike.
Kur prindërit kanë përshtypjen se fëmijët po përdorin tepër gjatë kompjuterin, atëherë duhet të flasin me fëmijët dhe t’u shpjegojnë atyre rreziqet që kanosen. Por edhe këto probleme mund të zgjidhen duke shpjeguar gjërat dhe jo me masa dënimesh.