2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Fatkeqësitë që duan të na mbysin

Më të lexuarat

Fatkeqësitë që duan të na mbysin

Çdo ditë dhe natë, saherë që me gisht prekim telefonin e mençur, saherë që hapim televizorin, shpeshherë kur pranojmë telefonata dhe shumë herë kur bëjmë bisedë me njëri-tjetrin vërejmë fatkeqësitë e llojllojshme dhe të panumërta të muslimanëve sot.
Muslimanëve sot nuk u duhen shtëpitë prandaj ua rrënojnë dhe i bombardojnë! Muslimanët kanë shumë fëmijë, së këndejmi shumë gajle, prandaj ua vrasin! Muslimanëve sot nuk u pëlqen vendlindja, andaj kërkojnë strehim gjithkund tjetër, po qoftë edhe në bark të peshqve!
Subhanallah, çfarë kohe! Çdo luftë e madhe po ndodhë në vendet e muslimanëve. Çdo armatim i ri, me shkatërrim në pakicë apo me shkatërrim masiv, prodhohet diku kurse provohet mbi shtëpitë dhe trupat e muslimanëve! Çdo diktaturë ekstreme ushtrohet mbi muslimanët! Dhe çka jo tjetër?!
S’do mend se jemi duke jetuar në dhimbje e fatkeqësi, në kriza prej llojeve më të ndryshme, porse si duhet të sillet muslimani në këtë realitet dhe si duhet ta mbajë shpirtin pa i pëlcitur gjoksi?! Kësaj do përpiqem t’i jap përgjigje në vazhdim.

Nga metodat më efikase për lehtësimin e dhimbjeve është kujtimi i rasteve edhe më të rënda, në veçanti nëse ato raste tashmë i kemi përballuar një herë.
Fatkeqësi më e madhe se të gjitha këto që i përmenda dhe shumë të tjera që nuk i përmenda për neve muslimanët, fatkeqësi të cilën me shumë vështirësi e kemi duruar, ka qenë vdekja e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam. Ajo nuk ishte e lehtë prandaj vet i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, i përgatiste të afërmit e tij për atë fatkeqësi. Ai tha:
“Nëse ndonjërit prej jush i ndodhë një fatkeqësi, le ta kujton aty edhe fatkeqësinë time, sepse ajo është nga fatkeqësitë më të mëdha” (Sahihul Xhamië nr. 347).
Nëna Ajshe, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, tregon se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, kishte hapur derën apo perden mes tij dhe njerëzve, kur ja, i pa njerëzit si po faleshin me Ebu Bekrin, Allahu qoftë i kënaqur prej tij. E lavdëroi Allahun për bukurinë e situatës që e pa dhe shtoi shpresat që Allahu ta zëvendësonte kohën e tij me një kohë sikur që po e sheh, e pastaj tha:
“O njerëz, cilido prej njerëzve apo prej besimtarëve goditet me ndonjë fatkeqësi, le të sforcohet me fatkeqësinë e tij në mua me qëllim që t’i lehtësohet fatkeqësia që e ka goditur në dikë tjetër, sepse askush nga Umeti im nuk do të goditet me fatkeqësi më të rëndë për të sesa fatkeqësia ime” (Sahih Ibën Maxhe nr. 1310).
Edhe burrat më të mëdhenj u trishtuan nga kjo fatkeqësi, e dini se si Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, refuzoi të pranonte vdekjen e tij; ngjashëm ndodhi edhe me besimtarët tjerë.
Enesi, radijallahu anhu, tregon: Kur iu shtua sëmundja Profetit, i binte të fikët, e Fatimja, Allahu qoftë e kënaqur prej saj, qante duke thënë: “Ah, dhimbjet e babit”, kurse ai i përgjigjej: “Nuk do ketë dhimbje babi pas sotit”. E kur ndërroi jetë, Fatimja tha: “Ah babi! Iu përgjigj Zotit kur e ftoi! Ah babi, që vendin e ka në Xhenetul Firdeus! Ah babi, melekut Xhibril po i tregojmë! Kur u varros, Fatimja na tha: “O Enes, si patët zemër të hidhni dhé mbi të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ue selem?!” (Sahihul Buhari nr. 4462).
Enesi, radijallahu anhu, ishte në të njëjtin hall por asaj nuk deshi t’ia shtojë dhimbjen edhe më shumë, kurse dhimbjen e tij për këtë fatkeqësi e ka shprehur kështu: “Në ditën kur i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, hyri në Medinë, aty ndriçoi gjithçka kurse në ditën kur ndërroi jetë, Medinën e kaploi terri. Kur i shkundëm duart nga varrosja e tij, i urryem zemrat tona” (Sahihu Tirmidhi nr. 3618).
Megjithatë, prej besimtarëve kërkohet durimi i bukur dhe vazhdimi i amanetit në formën më të mirë. Dhimbja mund të vjetërohet por assesi të harrohet dhe mund te një musliman është më e dukshme e te tjetri më pak. Kjo ishte nga fatkeqësitë më të mëdha, të cilën muslimanët e kanë duruar dhe akoma po e durojnë derisa tu mundësohet kalimi mbi Sirat për të pirë ujë nga kroi i Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, nga i cili do të na shërbejë ai vet.
Që këtu, duhet kuptuar se fatkeqësia më e rëndë është humbja e të drejtës së kalimit mbi Sirat, humbja e imanit, për të cilin aq shumë u angazhua dhe u lodh Muhamedi, alejhi salatu ue selam. Fatkeqësia në fe është fatkeqësia pas të cilës nuk ka më përmirësim dhe as shpëtim. Allahu na ruajttë!
Me këtë lloj meditimi duhet kuptuar çdo fatkeqësi tjetër. Fatkeqësia e vëllezërve dhe motrave refugjatë këto ditë, e sidomos ajo e djaloshit Ajlan, po na bën ashtu siç tha Enesi, radijallahu anhu, “t’i urrejmë zemrat tona” madje jetët tona, porse muslimani duhet të rimerr veten dhe të reflektojë pozitivisht në çdo vend dhe situatë.
Ja një dijetar i sotshëm, Salih El Megamisi nga Medina si e përshkroi pamjen e trishtueshme të djaloshit:
“Trupi i Faraonit shpëtoi që për pasardhësit të jetë mësim, kurse trupi i djaloshit sirian shpëtoi që për muslimanët të jetë përgëzim, e këtë nuk e kuptojnë përveçse të dijshmit”.
“Po, shpirti i tij shkoi drejt qiellit, por ai gjithashtu u shpërnda nëpër gjithë muslimanët për tu dhënë atyre jetë”.
“Ky umet është fisnik tek Allahu dhe Allahu nuk e lë në dorë të armikut që është në pritë, as në dorë të tagutit mendjemadh dhe as në dorë djemve që e humbën rrugën”.
“Në kokat e të mençurve është e ditur se maja i pikëllimit është hapi i parë drej gëzimit, ndërsa kjo që po ndodhë në Sham, ka mbërritur kulminacionin”.
Tronditja nga këto fatkeqësi nuk guxon të ndikojë në prishjen dhe as lëkundjen e synimeve tona fisnike që kemi për veten, familjen dhe shoqërinë.

Omer Berisha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit