Pyetja:
Më ka vdekur babai dhe pastaj u martova me një djalë, por nuk bëmë dasëm të rregullt. Kam dëgjuar se nëse qëllon një fatkeqësi para një gëzimi është shenjë e keqe. A është e vërtetë kjo?
***
Përgjigja:
Së pari, duhet të kemi parasysh se këto gjëra janë pjesë e besëtytnive, të cilat kanë zënë vend te njerëzit, aq shumë sa i qarkullojnë si të ishin fjalë të zbritura nga qielli. Nuk ka asnjë argument që tregon se fatkeqësia para gëzimit është shenjë e keqe, sjell ters, nuk do të shkojë mbarë, ose duhet patjetër që të prishet puna e nisur apo në rastin konkret të prishet kurora.
Madje Allahu i Lartësuar në Kuran thotë:
“Vërtet, me vështirësinë vjen dhe lehtësimi.” esh-Sherh: 6
Ky ajet përfshin dhe nënkupton gëzimin gjithashtu pas fatkeqësisë, sikurse përfshin lehtësimin pas vështirësisë, apo çeljen e shtigjeve të mira dhe të suksesshme pas mbylljes së përkohshme të tyre.
Nga ana tjetër, nuk është me vend që muslimani të shqetësohet për këto gjëra, kur ato burojnë nga injoranca e njerëzve dhe janë besëtytni, që qarkullojnë pa kurrfarë argumenti fetar. Muslimani çdo gjë e lidh me dijen, që ia ka dhënë Allahu i Gjithëdijshëm nëpërmjet ajeteve kuranore apo haditheve profetike. Muslimani duhet të besojë se fatin, mbarësinë, suksesin, mbarëvajtjen, shërimin, daljen nga vështirësia, lumturinë etj., i sjell vetëm Allahu me dijen dhe urtësinë e Tij të pakufishme. Gjithashtu vetëm Allahu mund të të ruaj nga dëmet e ndryshme, nga sëmundjet, fatkeqësitë dhe sprovat. Kësisoj këshillojmë që të lexohet sa më shumë literaturë fetare, që të mos bien njerëzit pre e besimeve të kota, të forcohet lidhja me Zotin, duke iu lutur vazhdimisht Atij dhe duke shpresuar veç prej Tij dhe duke punuar vetëm me argumentet e qarta të fesë islame.
Allahu e di më së miri.
Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë