Fatah ka njoftuar se ditën e diel do të mbahet grevë gjithëpërfshirëse me qëllim solidarizimi me të burgosurit palestinezë të cilët prej një muaji po vazhdojnë grevën në shenjë proteste kundër kushteve të këqija në burgjet izraelite
RAMALLAH (AA) – Lëvizja Fatah ka bërë thirrje për rritje të aktiviteteve popullore për mbështetje të të burgosurve palestinezë që po mbajnë grevë urie në burgjet izraelite, raporton Anadolu Agency (AA).
Përmes një deklarate me shkrim, Fatah ka njoftuar se ditën e diel do të mbahet grevë gjithëpërfshirëse me qëllim solidarizimi me të burgosurit palestinezë të cilët prej një muaji po vazhdojnë grevën në shenjë proteste kundër kushteve të këqija në burgjet izraelite.
Në deklaratë thuhet se qeveria izraelite dhe administrata e burgjeve janë përgjegjës për jetën e palestinezëve të cilët po mbajnë grevë urie.
Ndryshe, mbi 1.500 palestinezë në burgjet izraelite filluan grevë urie më 17 prill “për të kërkuar t’i jepet fund praktikave arbitrare të Izraelit”. Përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, heqja e ndalesave për vizitat familjare dhe heqja e praktikave siç janë izolimi i vetmuar në qeli dhe burgimi administrativ, bëjnë pjesë në mesin e kërkesave të të burgosurve palestinezë.
Sipas një raporti të disa institucioneve, përfshirë edhe Komitetin e të Burgosurve Palestinezë, në burgjet izraelite gjenden rreth shtatë mijë të burgosur palestinezë, përfshirë 481 nga Jerusalemi Lindor i okupuar, prej të cilëve 57 janë gra dhe 300 fëmijë.